Zëra të shumtë dhe kontradiktorë (deklarata, prononcime dhe statuse në rrjete sociale) zyrtare dhe jo zyrtare, për dhe rreth të korrave të grurit, verës së bereqetshme, përmbushjes, ose jo të nevojave të Kosovës me grurë, edhe sivjet… Pse bëhen të pabesueshëm këta zëra?
Mehmet GJATA
Në Kosovë, sidomos në fillim të fushatave të korrje-shirrjeve, që te ne ndodhë në të shumtën e rasteve në fillim të korrikut, vërshojnë zëra (deklarata, prononcime dhe statuse në rrjete sociale) zyrtare dhe jo zyrtare, për dhe rreth të korrave të grurit, verës së bereqetshme, përmbushjes, ose huqjes së pritshmërive të rendimenteve. Dhe shumica absolute e këtyre zërave, në mungesë të të dhënave të verifikueshme zyrtare, janë kontradiktor ndërmjet njëri-tjetrit dhe si të tillë dalin të jenë edhe goxha të pabesueshëm për publikun.
Edhe në këtë vit, që karakterizohet deri në këto ditë, padiskutueshëm me kushte të favorshme klimatike në shumicën e rajoneve dhe grunajave kosovare (me të reshura të bollshme të shiut dhe me të reshura të rralla të breshërit), ”mbinë” si kërpudhat deklarata e prononcime, dhe prap të ndryshme dhe të dallueshme nga njëra-tjetra edhe ndër zyrtarë dhe ekspertë.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i “impresionuar” nga rendimentet, realisht imponuese të sivjetshme të grurit, posa u korrën “duajt e parë”, u deklarua pa ngurrim fare dhe me eufori se “për herë të parë pas lufte Kosova ka siguruar bukën e motmotit”. Sipas tij, “vendi ynë konsumon mesatarisht 260.000 tonë grurë në vit, ndërkaq të dhënat flasin për prodhim rekord, së paku 300.000 tonë grurë të prodhuar”.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se bazuar në analizat për konsum, një qytetar në Kosovë konsumon mesatarisht 250-300 gram miell në ditë, që përkon me 140-150 kg grurë në vit.
“Me një popullsi prej 1.75 milion banorësh, kjo kërkesë është rreth 262 mijë tonë grurë. Ndërsa vitin e kaluar janë importuar 139,000 tonë grurë, këtë vit Kosova pritet të prodhojë 140,000 deri 150,000 tonë më shumë se vitin e kaluar”, ka shkruar Peci.
Ministri i Bujqësisë, madje, me mburrje ka thënë se ky vit pritet të shënojë rekord për sa u përket rendimenteve të grurit, ndërsa ka vlerësuar se këto rezultate janë arritur në saje të “thjeshtimit të procedurave të aplikimit, rritjes së përkrahjes me subvencione me mbi 200 për qind dhe rritjes së sipërfaqeve të mbjella me grurë mbi 60 për qind”.
Edhe zyrtarë të tjerë të agrarit kosovar, e pohojnë se prodhimtaria e grurit këtë vit, qoftë nga sasia, qoftë nga cilësia, është më e mirë se vitin e kaluar. Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, me tone më të matura ka thënë këto ditë për medie se “rezultatet e korrje-shirjeve është e vështirë t’i themi, por është fat që këtë vit kemi me pas rendimente shumë më të mira krahasuar me vitin e kaluar, për arsye se vitin e kaluar nuk kemi pasur fat të mirë për shkak të të reshurave të shumta gjatë tërë vitit, dhe që për pasojë, nuk ka pasur rendimente të duhura”.
Ndërkohë, po këtyre ditëve, profesori i Fakultetit të Bujqësisë të UP-së, Imer Rusinovci, deklarohet se “këtë vit karakterizohemi me prodhimtari shumë më të lartë për njësi sipërfaqësore që dukshëm është më e lartë se në vitet paraprake…”, por, megjithëkëtë, ai vlerëson, për dallim nga Ministri i Bujqësisë, se “edhe sivjet me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor dhe varësinë nga importi e kemi pas marramendëse…”.
Edhe ekspertë të tjerë të agrarit tonë, sado që vlerësojnë se rendimentet e sivjetshme të grurit janë ndjeshëm mbi ato të vitit të kaluar, kanë dilema rreth përmbushjes së nevojave të vendit me grurë.
“Është vështirë të parashikosh saktësisht përmbushjen apo mospërmbushjen e nevojave tona për grurë, edhe me gjithë rendimentet e mira të sivjetshme, për shkak se nuk ka të dhëna të sakta rreth sipërfaqeve të mbjella me drithëra, dhe as me grurë”, thotë një ekspert i bujqësisë që do të mbetet anonim.
Asnjëherë, sipas tij, në vitet e paluftës nuk është saktësuar se sa hektarë realisht janë mbjellë me grurë. Ka pasur vlerësime vetëm të përafërta. Ç’është e vërteta, Kosova në periudhën e tranzicionit të shtetformimit, asnjëherë dhe në asnjë lëmi e sektor, nuk ka pasur të dhëna të sakta, madje në shumë raste, as të dhëna të përafërta të sakta, por edhe të domosdoshme thuaja se, për mbarëvajtjen dhe proceset zhvillimore në këto lëmi dhe sektorë prej më të ndryshmëve. Ose, thënë më konkretisht, në rastet më të shpeshta, ka pasur të dhëna kontradiktore, të bëra publike, qoftë nga institucionet zyrtare, qoftë nga individë të caktuar – përfaqëues të shoqërisë civile, sindikatave, apo asociacioneve të tjera. Dhe, këto të dhëna me të cilat institucionet shtetërore, jo rrallë kanë manipuluar dhe pokështu shpesh janë përgënjeshtruar nga palë të tjera (opozita, shoqëria civile dhe njohës të çështje konkrete për të cilat bëhet fjalë), deshëm apo s’deshëm, bëhen të diskutueshme.
I diskutueshëm dhe mjaft polemizues është bërë në shumë vite, edhe vitin e kaluar, edhe plasimi në publik i të dhënave me dallime edhe të skajshme të subjekteve, rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, rreth rendimenteve të pritshme nga korrje-shirjet e vjetshme dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës. Për shkak të mungesës së të dhënave të sakta dhe reale rreth sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha, dhe me grurë në veçanti, për vite të tëra pas luftës është kalkuluar me shifra goxha kontradiktore nga zyrtarët, përfaqësues të sindikatave të agrarit kosovar, por edhe nga asociacione të shoqërisë civile që janë të regjistruar ta trajtojnë agrarin tonë në një mënyrë apo tjetër.
Këto ditë ka vlerësime, siç u tha më lartë, rreth parashikimeve të përmbushjes së nevojave të vendit me grurë. Se si do të vlerësohet kjo çështje në fund të fushatës, mbetet të shihet… Por, kur mungojnë të dhënat e sakta të institucioneve përkatëse, qoftë për sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë, qoftë për rendimentet dhe cilësinë e produktit, atëherë dominojnë hamendësimet, edhe të zyrtarëve, sikundër që janë të ndryshme dhe kontradiktore edhe deklarimi i të dhënave për sipërfaqet e mbjella, për rendimentet dhe për përmbushjen e nevojave me grurë. Kështu ka ndodhur ndër vite.
Në vitin e kaluar, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve, kishte deklaruar publikisht (në medie) se arat e Kosovës më 2023, pritet që të japin bukën për vetëm 30 për qind të nevojave të vendit.
“Sipas informacioneve tona nuk ka më shumë 40 mijë hektarë të mbjellë, aty diku. Bazuar në rendimente shumë të ulëta, nuk do të kemi më shumë se për 30 për qind të nevojave të popullatës. Me këto sipërfaqe dhe rendiment nuk do të arrijmë rendimente më shumë se 3 mijë kilogramë për hektarë, mesatarja”, ishte shpehur në verën e kaluar Tahiri, për një televizion të vendit.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Bujqësisë ndaj këtyre të dhënave, por edhe akuzave të përfaqësuesit të sindikatave të bujqëve të Kosovës. Sipas Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, “të gjithë ata që përmes deklaratave të tyre po vazhdojnë të shfrytëzojnë mediat duke pohuar të pa-vërtetat se në Kosovë ka vetëm 40 mijë hektarë të mbjellura me grurë; me siguri një veprim të tillë e bëjnë pasi që veç i kanë paraqitur “faktet” dhe të dhënat paraprakisht në prokurori (ndryshe mendja e shëndoshë nuk e kupton, se dikush mund të konsumojë vepër penale në mënyrë të vetëdishme), sepse kushdo që ka informacione që pretendon se numri i sipërfaqeve është vetëm 40 mijë i bie rreth 11 e 282 hektarë më pak dhe se dikush po tenton të manipulojë, duke dashur që kundërligjshëm të përfitojë më shumë se 5 milionë euro apo saktësisht 5.347.668 euro të taksapaguesve tanë”.
Edhe në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, sipas MBPZHR-së, me kulturën e grurit në gjithë territorin e Kosovës më 2023, kanë qenë të mbjellura gjithsej 66,159.52 hektarë (40 mijë hektarë thotë Tahir Tahiri). Edhe të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) rreth tokave të mbjella me grurë më 2021 dhe më 2022, sikundër edhe rendimentet e grurit, janë goxha të ndryshme nga ato për të cilat ka njoftuar përfaqësuesi i sindikatave të agrarit të Kosovës. Sidoqoftë, megjithë të dhënat kaq të dallueshme dhe të bëra publike nga shumë subjekte, dihet se Kosova asnjëherë deri më tash, që nga viti 2000, nuk ka arritur që të plotësojë nevojat e popullatës së saj me miell nga rendimentet e veta të grurit. Vazhdimisht është varur nga importi, që kryesisht është bërë dhe vazhdohet të bëhet nga vendet e rajonit (më së shumti nga Serbia), një sasi më të vogël nga Ukraina dhe nga Rusia, si dhe nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Gjithmonë, që nga koha kur Kosova ishte si subjekt në ish-Jugosllavi, numri i hektarëve të planifikuar për mbjellje të grurit është kalkuluar të jetë 80 mijëshi, ca hektarë më shumë a më pak. Përafërsisht ky numër hektarësh (80 mijëshi, pra) është thënë të jetë edhe disa vjet rresht, pas luftës dhe pas pavarësisë së vendit. Tani, në këto 3-4 vjetët e fundit, sikur ishte reduktuar ky numër hektarësh i paraparë për t’u mbjellë me grurë, megjithë subvencionet e shumta dhe që nuk janë për t’u nënvlerësuar. Sipas njohësve të rrethanave, tashmë edhe nëse planifikohet të mbillen 75 deri në 80 mijë hektarë, e shumta që do të arrihej të mbillej me grurë do të ishte 66-68 mijë hektarë. Por, ministri aktual i agrarit kosovar, tani së fundmi, në nisje të fushatës së sivjetshme të korrje-shirjeve, ka shpërfaqë një përqindje marramendëse të rritjes së sipërfaqeve të mbjella me grurë në Kosovë.
Rritja e sipërfaqeve të mbjella me grurë mbi 60 për qind, që e thotë ministri është më shumë se gjysma e sipërfaqeve të deritashme të mbjella me grurë, ose ndërmjet 35 mijë e 40 mijë hektarëve, dhe që jo vetëm për ekspertët, dalin të jenë shifra të diskutueshme. Në gjithë shtetet e botës dhe në shtetet e rajonit saktësisht bëhen publike hektarët e mbjellë, por edhe rendimenti dhe sasia e grumbulluar e grurit. Ndoshta, do të vijë një ditë, që të bëhen edhe te ne. /Buletini Ekonomik/