Gjendja e shëmtuar e rrugës së rikonstruktuar, u pa që në ditën e parë pas rikonstriktimit, madje edhe ende pa u krye të tëra punët rikonstruktuese. Pas rikonstruktimit, gjithçka është keq, duken sheshazi lugjet dhe brigjet e krijuara në rrugën e sheshtë, shahtet që nuk janë gjëkundi të nivelizuara me sipërfaqen e rrugës, skajorët e hequr në shumë vende dhe të lëna si relikte anash rrugës dhe në shumë vende kubëzit e rralluar me hapësira disa centimetrash mes tyre.
Mehmet GJATA
Rruga “Ukë Sadiku”, ose që ta kujtojnë prishtinasit, ish-rruga “Voja Jankoviq”, në gjatësi, shumë-shumë rreth 200 metra, që ndërlidhë pjesën e lagjes Taslixhe, që shtrihet viza-vi Taukbahçes, me rrugën kryesore “Nazim Gafurri”, thënë më së buti, pas një rikonstruktimi, që zgjati rreth një vit (një vit rikonstruktim për 200 metra rrugë) është shëmtuar dhe është shpërfytyruar në përmasa trishtuese.
Shpërfytyrimin e kësaj rruge, që deri sa u bë rikonstruktimi i fundit (në vitin e kaluar), ishte “mburrje e banorëve të Taslixhes”, por edhe identiteti i kësaj pjese të kryeqytetit, e ka bërë kompania që ka bërë rikonstruktimin e rrugës (rivendosjen e gypave të rinj), në radhë të parë me punë të keqe, shkel e shko dhe me kryerje për “faqe të zeze” të punëve finale, rivendosjen e kubëzave të gurtë, të cilët derisa u hoqën për ta bërë rikonstruktimin e synuar, ishin të vendosur për bukuri dhe pa asnjë të metë. Por, situata ka ndryshuar totalisht, pas rivendosjes së këtyre kubëzave, dhe gjendja katastrofike e rrugës së rikonstruktuar u pa që në ditën e parë pas rikonstriktimit, madje edhe ende pa u kryer të gjitha punët rikonstruktuese.
Pas rikonstruktimit gjithçka është keq, duken sheshazi lugjet dhe brigjet e krijuara në rrugën e sheshtë, shahtet që nuk janë gjëkundi të nivelizuara me sipërfaqen e rrugës, skajorët e hequr në shumë vende dhe të lënë si relikte anash rrugës dhe në shumë vende kubëzit e rralluar me hapësira disa centimetrash mes tyre. Pastaj, shëmtimi i saj vazhdoi edhe pas rikonstruktimit, kur firma rikonstruktuese ka bërë ca përpjekje për t’i sanuar lëshimet e vërejtura nga qielli, duke shëmtuar edhe më shumë imazhin e rrugës, që ishte shembull i rrugëve me kubëza të gurtë.
Kompania që ka rikonstrukltuar rrugën “Ukë Sadiku”, në përpjekje për të kamufluar punën e keqe dhe lëshimet evidente që bien në sy nga çdokush që kalon këtu-pari, sivjet, në muajt e pranverës, hodhi mbi kubëzit e gurtë një ciment të lëngshëm (përzierje ujë dhe ciment), që, vetëm pasi kaloi një ditë, ose dhjetëra orë, me t’u tharë kjo shtresë, u bë një pluhur i pashembulltë, i ngritur nga çdo automjet që kalonte atypari.
Tani në rrugën “Ukë Sadiku”, në fillim fare të saj, tek ndërlidhja me rrugën “Nazim Gafurri” tek Taukbahçja, ka javë që është hapur një gropë e madhe dhe është rrethuar vetëm me shirita që paralajmërojnë rrezik, dhe me javë ka mbetur ashtu. Edhe sot kjo gropë mbetet e hapur, dhe as që i bie ndokujt ndërmend se ajo duhet të sanohet. Kjo është gjendja e rrugës Ukë Kraniqi, e gjatë rreth 200 metra, pas rikonstruktimit. Dhe kush do të bindet për krejt çka u tha më sipër, le të dalin ta shohin gjendjen e mjerueshme të rrugës pas rikonstruktimit.
Thjesht, tani rruga për të cilën bëhet fjalë, është e shpërfytyruar tërësisht dhe banorët e këtushëm, realisht janë të tmerruar me gjendjen e shëmtuar aktuale të rrugës. Duhet thnë se për këtë shëmtim të rrugës, që vetëm një vit më parë ishte model i rrugës së shtruar me kubëza të gurtë, do të duhej të ishte e njoftuar komuna me të gjitha institucionet e saj përkatëse, që e kanë për obligim ta mbrojnë hijeshinë, imazhin e mirë dhe të dashur të kryeqytetit. Do të duhej të ishte i njoftuar, gjithsesi, edhe mbikëqyrësi, nëse pati të tillë fare dhe i cili ka pranuar shëmtimin, stërkeqjen dhe shpërfytyrimin e kësaj rruge që me dekada të tëra shërbeu si ndërlidhëse për të gjitha lagjet dhe rrugët e tjera të “Taslixhes” në kryeqytet.
Dhe është e çuditshme si u pranuan punët rekonstruktuese të bëra kaq keq nga komuna, drejtoritë përgjegjëse për rekonstruktimin e kësaj rruge, nga mbikëqyrësi dhe nga përgjegjësit e tjerë, që e kanë për obligim ta mbrojnë hijeshinë, imazhin e mirë dhe të dashur të kryeqytetit. Po e ripërsërisim: kjo rrugë, e gjatë rreth pak më shumë se 200 metra, me një pjesë me pjerrtësi bukur të madhe, pra me përpjetëz të theksueshme dhe gjithashtu me tatëpjetë karakteristike për rrugët e “Taslixhes”, qëkur është ndërtuar kjo lagje ka qenë e shtruar me kubëza prej guri – kalldrëm guri. Gjithmonë, tash e rreth 50 e më shumë vjet. Gjithmonë, edhe pas rikonstruktimeve jo të pakta që i janë bërë, ka vazhduar të jetë në kubëza guri, por e shtruar për së mbari dhe e dashur për banorët e këtushëm. Por, edhe për kryeqytetasit. Kurse tani, pas rikonstruktimit të fundit të saj, ajo është bërë irrituese, me plot pluhur, me kubëza të gurtë të munguar, ose të rralluar, me mungesë të skajorëve dhe me shahte të deformuara.
Rikonstruktimi i keq dhe i shëmtuar i rrugëve në lagjen Taslixhe të Prishtinës, ç’është e vërteta ka nis para 3-4 vitesh e më shumë. Të përkujtojmë se më 2019 pat nisur edhe një herë rikonstruktimi i rrugës “Ymer Paçarizi”, rreth 200-250-metërshe, e shtruar gjithmonë me kubëza guri. Rikonstruktimi i saj ishte stërzgjatur me muaj të tërë, dhe një pjesë prej dhjetëra metrash, pa asnjë shpjegim paraprak, as një njoftim të banorëve, dhe në vend të kubëzave të gurit u mbulua me asfalt. Dhe në këtë mënyrë po kështu u shpërfytyrua rruga – identiteti i “Taslixhes”. U deformua keq imazhi i saj. Pa asnjë njoftim. As nga punëkryesi, as nga Komuna – institucionet kompetente të Prishtinës. Gjithçka nisi, me gjasë, me përzgjedhjen e punëkryesit, i cili nuk kishte haberin, as dijeninë, as shkathtësinë elementare për rikonstruktimin e kësaj rruge.
Më saktësisht: për mungesë të potencialit njerëzor dhe të makinerive përkatëse kompania – fituese e tenderit për rikonstruktimin e rrugës i pati hequr kubëzat për më shumë se 5-6 muaj dhe kishte vazhduar ta lërë të bllokuar rrugën për tërë këta muaj. Arsyetimi i kompanisë, i bërë public, për tërë këtë zvarritje dhe stërzgjatje të pakuptimtë, ishte se “ata nuk kanë punëtorë që dinë të vendosin kubëzat e gurit dhe se po presin ta kontraktojnë një kompani nga Prizreni për ta bërë këtë punë”. Ky ishte pak a shumë arsyetimi i kompanisë fituese të tenderit, e cila e fitoi, pra tenderin për rikonstruktimin e rrugës së njohur “Ymer Paçarizi”, pa pasur punëtorë që dinë t’i shtrojnë gurët. E kur e gjetën kompaninë për ta bërë punën për të cilën u shpallën fitues, dhe kur tani nënkontraktuesit i mbetën dhjetëra metra për ta përmbyllur punën, me gjasë ata mbetën pa kubëza guri, të cilët brenda pesë-gjashtë muajve sa qëndruan të hedhur anash rrugës – ishin avulluar. Dhe, zgjidhja erdhi shpejt. Atë ditë që shtrohej me asfalt rruga “Nazim Gafurri”, e hënë, më 9 dhjetor 2019, edhe kjo disa muaj në rikonstruktim, u shfrytëzua kompania asfaltuese për ta mbuluar me asfalt edhe këtë pjesë rruge të “Taslixhes”. Kështu, tani kemi asfalt, kubëza – guri dhe prapë asfalt. Tërë kjo në më shumë se 200 metra rrugë. Një shëmti irrituese, nga një rrugë atraktive dhe e këndshme.
Tani, pak a shumë, për nga niveli i shëmtisë dhe shpërfytyrimit është gjendja identike edhe në rrugën Ukë Sadiku, për të cilën u fol më sipër. Kot banorët e mllefosur po kërkojnë që t’u dalë në krah komuna, e cila së paku po heshtë publikisht rreth shëmtimit të kësaj rruge, sikundër që nuk u bë i gjallë as mbikëqyrësi eventual i këtyre punëve. /Buletini Ekonomik/