Aksionet globale rikuperojnë pjesën më të madhe të humbjeve të së hënës

Të dhënat pozitive të punësimit në SHBA sjellin lehtësim për investitorët, duke ndihmuar në zbutjen e frikës nga ngadalësimi i afërt ekonomik.

Tregjet globale të aksioneve rifituan terren të premten, duke marrë vrullin e tyre nga rritja e së enjtes në Wall Street, që do të thotë se aksionet tani kanë rikuperuar pjesën më të madhe të humbjeve të tyre nga rënia e rëndë e së hënës.

Rënia e shifrave të papunësisë në SHBA të enjten, ndihmoi në zbutjen e frikës për një ngadalësim të afërt ekonomik dhe u dha aksioneve amerikane fitimin e tyre më të madh, që nga viti 2022.

Aksionet aziatike u rimëkëmbën, me Topix të Japonisë, që u mbyll 1 % më lart, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut dhe Hang Seng i Hong Kongut u rritën 1.5 % dhe TWSE i Tajvanit u mbyll me 2.9 % si pasojë e një rritje të aksioneve aziatike të gjysmëpërçuesve.

Reklama e sponzorizuar

Tregjet europiane të aksioneve gjithashtu u rritën, me indeksin Stoxx Europe 600 me përmirësim 0.7 %, me fitime të forta për aksionet e pasurive të paluajtshme dhe lëndëve të para. Cac 40 i Francës u rrit 0.7 %, ndërsa Dax i Gjermanisë u rrit me 0.4 % dhe FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar 0.3 % më lartë.

Kontratat e së ardhmes S&P 500 tregojnë për fitime të vogla hapjeje të premten, pasi standardi i Wall Street u rrit me 2.3 % të enjten.

Edhe pse shumica e tregjeve kryesore të aksioneve kanë rikuperuar humbjet e së hënës, tregjet globale mbeten nën nivelet që ishin përpara publikimit të raportit të javës së kaluar për punësimin në SHBA.

“Ishte raporti i punësimit javën e kaluar, ai që i çoi tregjet në një kthesë,” tha Kristina Hooper, kryestratege e tregut global në Invesco, kështu që “ka kuptim që ishte raporti i tregut të punës, që do të qetësonte tregjet” këtë javë.

Japonia kishte mbajtur peshën kryesore të shitjeve së të hënës, me Topix që ra 12 % në një seancë të vetme tregtare. Ai u rikuperua të nesërmen, me fitimin më të madh njëditor që nga viti 2008, pasi ndërmjetësit ishin në gjendje të bindin investitorët, se rënia ishte tepër e tepruar. Të premten, Topix ishte 3 % më i ulët në mbylljen e tregut një javë më parë.

“Paqëndrueshmëria është ende e lartë, kështu që ne mund të vazhdojmë të shohim luhatje të tregut në Japoni”, tha Naoya Fuji, strateg i kapitalit në Nomura, i cili theksoi se fitimet e forta të korporatave, blerjet e aksioneve dhe qeverisja më e mirë e korporatave e kishin ndihmuar tregun japonez të rimëkëmbet nga tronditja e së hënës.

Qetësia relative e së premtes pasoi të dhënat, që tregonin se shifrat e papunësisë në SHBA, parë si një tregues për shkurtimet e vendeve të punës, kishin rënë në nivelin e tyre më të ulët në një muaj.

Shifrat e papunësisë dhanë një lexim prej 233,000, nga niveli i rishikuar i javës së kaluar prej 250,000 – dhe nën parashikimet e ekonomistëve prej 240,000.

Në të kundërt, raporti i listë pagesave të javës së kaluar, tregoi se ekonomia më e madhe në botë shtoi vetëm 114,000 vende pune në korrik, shumë më pak se parashikimet e konsensusit prej 175,000 – duke i çuar çmimet e aksioneve ndjeshëm më të ulëta në tregtimin e paqëndrueshëm të premten dhe të hënën, dhe duke shkaktuar një rritje të madhe në obligacionet qeveritare, pasi investitorët rritën parashikimet se Rezervës Federale do t’i duhej të ulte menjëherë normat e interesit.

Indeksi Vix i turbulencave të pritshme të bursës amerikane, i njohur si “matësi i frikës” i Wall Street-it, kishte arritur një lexim prej 65 të hënën, shumë mbi mesataren e tij afatgjatë prej rreth 20, përpara se të pësonte rënie.

Për Tim Murray, strateg në T Rowe Price, raporti i papunësisë ishte “një surprizë e madhe pozitive, pasi kemi parë këtë seri surprizash negative”.

Hooper i Invesco-s vuri në dukje një “proces të vazhdueshëm shërimi – por, me paralajmërimin se tregjet do të jenë në avantazh, sepse asgjë nuk ka ndryshuar me Fed. Ata nuk do të bëjnë asnjë lloj ulje të normës para takimit të shtatorit”.

“Unë mendoj se do të duhet kohë, që tregjet të normalizohen, por ne duhet të pyesim veten se çfarë e shkaktoi atë rënie të mprehtë shoqëruar me shitje globale aksionesh, dhe mendoj se ishte irracionale,” shtoi ajo. “Unë nuk mendoj se po na tregon, se një recesion i madh po vjen.”

Aksionet kishin pasur një ecuri veçanërisht të fortë, të nxitur nga shpresat për një “ulje të butë” ku Fed ul me sukses inflacionin pa shkaktuar recesion, dhe nga entuziazmi për kompanitë e inteligjencës artificiale. /Financial Times/