Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë thirrje për pagesën e tatimit dhe kontributit pensional ndaj të punësuarve në mënyrë të pavarur të njohur me termin “freelancer”.
“Kur shërbimet si ‘Freelancer’ ofrohen si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga subjektet vendore, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosove dhe kur punëdhënësi është jashtë Kosovës, personi obligohet që individualisht të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional”, ka njoftuar ATK.
Tutje në postimin e tyre në facebook, ATK ka treguar se aktivitetet e tyre të punës duhen regjistruar në ARBK.
“…për të ardhurat e krijuara si biznes i regjistruar në Kosovë, deklarimi dhe pagesa i nënshtrohet rregullave për pagesë, si të ardhura nga shërbimet me normën 9% në qarkullimin bruto apo sipas rregullave ligjore për të ardhura reale”, vazhdon postimi.
Freelancerët janë punonjësit e specializuar në profesionin e tyre të cilët punojnë në bazë të projekteve apo shërbimeve të caktuara. Zakonisht ata njihen në fushat si IT, financierë, avokatë, arkitektë, gazetarë dhe fusha të tjera.