Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti i cili tha se punësimi në Kosovë është rritur për 20 për qind.
Bajrami në një postim në Facebook, ka shkruar se “numrat kurrqysh s’po qojnë te lulëzimi i punësimit”.
“Kryeministër, pyeti ekonomistët që i ke në Kabinet se cila teori apo praktikë të qon të krijimi enorm i vendeve të punës kur rritjen ekonomike e ke vetëm 4.3% (2022); 3.3% (2023) dhe pret me pas rritje max 3.9 (2024)? qysh ka mundësi me lulëzu punësimi Kryeministër kur eksporti në vitin 2023 ka qenë vetëm 819 milionë euro ndërsa importi ka qenë 5.7 milardë euro, dmth. deficit tregtar 4 miliardë e 947 milionë euro?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo më tej ka shtuar se të dhënat e sakta të punësimit janë ato në Trust.
“Qysh po u krijojkan vende punë Kryeministër kur investimet kapitale gjatë mandatit tënd janë vetëm 11% buxhetit dhe investimet private i ke në rënie? Të dhënat e ATK-së mundesh me i përdorë për propagandë, por ato nuk paraqesin punësim real sepse në ATK-ja të punësuar ta qet edhe atë që punon dy ditë në muaj dhe ta llogaritë si të punësuar dy, tri herë secilin që i ka dy, respektivisht tri puna.
Të dhënat e sakta të punësimit janë ato në Trust-it, të punësuar janë ata që për 12 muaj paguajnë kontribute dhe sipas Trust-it, raporti vjetor për vitin 2023 në Kosovë janë krijuar:
2020 – 10 179 vende pune (pandemi),
2021 – 16 877 vende pune,
2022 -15 833 vende pune,
2023 – 12 551 vende pune,
Dhe ky nuk është kurrfarë lulëzimi sepse s’ka pas punësim as për ata që për herë të parë kanë hy në treg të punës”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së, tutje ka shtuar se papunësia është ulë për shkak se fuqia punëtore është largu nga Kosova.
“Dhe në fund Kryeministër, është e vërtetë se papunësia është ulë, por jo pse ka lulëzuar ekonomia, por sepse fuqia punëtore ka ikë nga Kosova dhe kjo do të këtë pasoja për ekonominë edhe në vitet në vazhdim”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/