Bie besimi i investitorëve në Eurozonë

Rëniet të mëdha të ndjenjës së investitoreëve në bllok dhe situata në Gjermani, nxisin rastin për më shumë ulje të normave të BQE-së, thonë ekonomistët.

Besimi i investitorëve për ekonomitë e Eurozonës dhe Gjermanisë ka rënë në gusht, duke nxitur rastin për një ulje tjetër të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane muajin e ardhshëm.

Treguesi ZEW i Ndjenjës Ekonomike për Eurozonën (ZEW Indicator of Economic Sentiment) ra me 25.8 pikë në 17.9 – rënia më e madhe, që nga muajt e parë të pandemisë Covid-19 në prill 2020.

Reklama e sponzorizuar

Gjermania, ekonomia më e madhe e Eurozonës, pësoi rënien më të keqe të ndjenjës ekonomike në dy vjet. Indeksi ZEW ra 22.6 pikë në një muaj, duke arritur në 19.2 – niveli i tij më i ulët, që nga fillimi i vitit. Rënia ishte pothuajse tre herë më e madhe se sa pritej nga analistët e anketuar nga Bloomberg.

“Perspektiva ekonomike për Gjermaninë po shkatërrohet,” tha presidenti i ZEW, Achim Wambach, duke shtuar se “pasiguria e lartë” e shkaktuar nga “politika monetare e paqartë” e BQE-së, të dhënat zhgënjyese të biznesit amerikan dhe shqetësimet në rritje për një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme, ishin duke zvarritur ndjenjën ekonomike.

Alexander Valentin, ekonomist i lartë në Oxford Economics, tha se morali më i dobët i investitorëve dha “argumente të mëtejshme për një ulje të normës së BQE-së në shtator, të ndjekur nga një ulje tjetër në fund të vitit”. Një perspektivë e dobësuar e rritjes, aktiviteti i dobët industrial dhe një treg i zbutur i punës “do ta bëjnë më të vështirë për BQE-në të mbajë njëanshmërinë e saj të ashpër”, shtoi ai.

Obligacionet gjermane u rritën të martën pas publikimit të sondazhit. Yield-i i obligacioneve 2-vjeçare të qeverisë gjermane, i cili është veçanërisht i ndjeshëm ndaj normave të interesit, ra me 0.04 pikë përqindje në 2.36 %. Yield-i i obligacionit 10-vjeçar ra me 0.02 pikë përqindje në 2.21 %. Rendimentet lëvizin në mënyrë të kundërt ndaj çmimeve.

Investitorët, të cilët presin që vendosësit e normave të BQE-së të ulin kostot e huamarrjes, kur të mblidhen më 12 shtator, kanë vlerësuar me një probabilitet pak më të madh uljen e mëtejshme në takimin e mesit të tetorit.

Optimizmi mbi një rimëkëmbje gjermane, që u përhap gjerësisht në pranverë, ka “avulluar plotësisht”, tha drejtuesi gjerman i Deutsche Bank, ekonomisti Robin Winkler. Produkti i brendshëm bruto i Gjermanisë u tkurr papritur me 0.1 % në tremujorin e dytë.

Sipas Tomasz Wieladek, kryeekonomist europian në T Rowe Price, rënia e mprehtë e indeksit ZEW reflektoi pjesërisht luhatjet e mëdha të fundit në tregjet globale të aksioneve, si dhe shqetësimet mbi perspektivën ekonomike.

Wieladek tha se BQE-ja do të shqyrtojë pritshmëritë e zymta për momentin, por “ka të ngjarë të veprojë nëse dobësia e rritjes shfaqet në të dhënat aktuale të PBB-së”.

Pas takimit të fundit të BQE-së për përcaktimin e normave para pushimit të verës në korrik, presidentja Christine Lagarde tha se një vendim për normat në shtator ishte “i hapur plotësisht” dhe se banka qendrore do ta bazojë lëvizjen e saj në të dhënat e reja, që do të bëhen të disponueshme gjatë verës.

“Nëse këto të dhëna vërtetojnë në të vërtetë procesin e uljes së inflacionit, kjo do të përforcojë besimin tonë në kthimin e rritjes së çmimeve të konsumit në objektivin prej 2 % në fund të vitit 2025.”

BQE mbajti kostot e huamarrjes në 3.75 % në mbledhjen e saj të korrikut, pasi uli normat nga niveli rekord 4 % muajin e kaluar.

ZEW, një institut ekonomik me bazë në Manheim, anketon deri në 300 analistë financiarë në bankat gjermane, grupet e sigurimeve dhe departamentet e financave të kompanive kryesore, në lidhje me vlerësimin e tyre të aktivitetit aktual ekonomik dhe ndjenjës së tyre të ardhshme. Indeksi shihet si një tregues i hershëm i besueshëm i tendencave makroekonomike. /FT