Çmimet e disa perimeve në qiell: Një sallatë jeshile, 1,5 euro!

Një sallatë jeshile, tani, ka ditë që në tregun e gjelbër dhe në shitoret e specializuara e në supermarkete, kushton nga 1, 40, 1, 50 e 1, 60 centë, ndërkohë që vetëm para sa javësh – ky perim kushtonte gjithandej në tregjet tona 40, 50 centë një copë, por jo rrallë mund të gjendeshin edhe tre copë sallatash të gjelbra me 1 euro. I bie që brenda pak javësh, çmimi i këtij perimi të shumëfishohet, madje deri në 200 për qind e përtej.

Buletini Ekonomik

Këtyre ditëve, pos çmimeve super të larta të spinaqit dhe fasules, ka shkuar në qiell edhe çmimi i sallatës jeshile, edhe pse në Kosovë, të gjitha produktet, edhe ato bujqësore, kanë kosto enorme të lartë, megjithatë deri para ca javësh, kishte çmim të pranueshëm dhe në njëfarë mënyre të arsyeshëm. Një sallatë jeshile, tani, ka ditë që në tregun e gjelbër dhe në shitoret e specializuara dhe në supermarkete, kushton nga 1, 40, 1, 50 e 1,60 centë, ndërkohë që vetëm para sa javësh ky perim kushtonte gjithandej në tregjet tona 40, 50 centë një copë, por jo rrallë mund të gjendeshin edhe tre copë sallatash të gjelbra me 1 euro. I bie që brenda pak javësh, çmimi i sallatës së gjelbër të shumëfishohet, madje deri në 200 për qind e përtej.

Reklama e sponzorizuar

Pas këtij çmimi stratosferik për sallatën jeshile, një njohës i tregut tonë, goxha me nerva, i ka thënë Buletinit Ekonomik se “nuk ka gjë më irrituese se sa të shohësh çmime të këtilla në produktet bujqësore, që në Kosovë, kudo ta qitësh farën e tyre, ato do të bëhen, do të rriten dhe me pak përkujdesje do të japin frutat e mira”.

Sallata jeshile, sipas tij, deri para sa kohësh, është kultivuar gjithandej edhe ndër fermerët e komunës së Prishtinës, madje edhe nga qytetarë prishtinas, të cilët kanë mbjellë në ndonjë qoshe të oborrit, ose nën ndonjë plastmas të vogël dhe në këtë mënyrë, kanë plotësuar nevojat familjare, por edhe kanë pasur teprica, të cilat i kanë plasuar në treg, dhe mos të flasim për fermerët, që me vite kultivojnë sallata jeshile në sipërfaqe imponuese, duke mbushur kështu tregjet tona dhe duke furnizuar pa asnjë problem gastronominë e kryeqytetit dhe më gjërë.

Pak a shumë, situatë krejtësisht identike është edhe me spinaqin, tani super të shtrenjtë (një kilogram këto ditë po tregtohet edhe nga 5-6 euro), i cili mungon në tregjet tona për shkakun e vetëm se nuk është kultivuar as nga fermerët që më parë tradicionalisht kanë mbjellë arat dhe kopshtijet e tyre me këtë perim. Në këtë mënyrë, edhe spinaqi, që vetëm para 3-4 muajsh tregtohej nga 50 deri në një euro për një kilogram, ka arritur tani çmimin stratosferik dhe, praktikisht, të pakapshëm për qytetarin e rëndomtë të Kosovës.

Këto ditë, sado që shihet një tendencë për ngritjen e çmimeve edhe të shumë perimeve të tjera, si rëndom, në prag të sezonit të turshive, një numër produktesh bujqësore, ende nuk janë përfshirë në valën e shpërthimit të çmimeve të larta. Krahasuar me vitin e kaluar, sivjet, madje vërehet një ulje e çmimit të qepëve. Pas vjeljes së prodhimit të sivjetshëm, tregjet janë mbushur me qepë cilësore të vendit, dhe çmimi i tyre thuaja është standardizuar në 50-60 centë kilogrami.

Tregtarët e vjetër në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe njohësit e ecurive të tregtimit të perimeve te ne, apostrofojnë çmimin e pranueshëm që po zgjatë tash e disa javë edhe të domates dhe specit në tregjet tona. Një kilogram domatesh cilësore të vendit, ende mund ta gjesh me 60-70 centë, ose 3 kilogramë me 2 euro, ndërsa speci me cilësi mesatare i somborkës së popullarizuar ndër kosovarët, kushton 1 deri në 1,5 euro. Karrota dje dhe sot në tregjet tona kushtonte rreth 1 euro kilogrami, ndërsa kilogrami i patates tregtohej me 40 centë.

Edhe disa nga pemët tashmë kanë arritur në tregje nga pemishtet e vendit. Bien në sy prania e kumbullës (80 centë-1 euro kilogrami), dardhës (1-1,5 euro për një kilogram), nektarinës që tregtohet nga 1, 30 deri në 1,50 centë kilogrami etj.

Ndërkohë, në pyetjen e Buletinit Ekonomik, pse kaq çmim i lartë i sallatës jeshile, ose spinaqit, bie fjala, një shitës te tregu kryesor i gjelbër (te ndërtesa e RTK-së), përgjigjet pa u menduar shumë: “S’ka sallata sa është kërkesa për to në Kosovë”.

Sipas tij, “ fermerët e Kosovës, me gjasë e kanë zvogëluar prodhimin e tyre, për shkakun se në vitet e kaluara, në disa raste, sallatat kushtonin shumë lirë dhe fitimi nga to nuk ishte ai i pritshmi”.

Ndërsa, sipas vrojtuesve të tregut, ecuritë e çmimeve të këtij produkti (edhe të shumë produkteve të tjera bujqësore), flasin qartë për absurditetin tonë në agrarin kosovar në përgjithësi, dhe në veçanti në perimtari. Çmimet super të larta të spinaqit dhe të sallatës jeshile, por edhe të disa produkteve të tjera bujqësore, që fare mirë dhe suksesshëm do të rriteshin në tokat e bujqëve kosovarë, flasin edhe për dështimet evidente të planifikuesve në sektorin e bujqësisë, në këtë rast, veçmas të perimtarisë. Gjithsesi këto çmime janë edhe një tregues i paefektshmërisë së masave të shumta të ndërmarra nga dikasteret kompetente, të identifikuara pa rreshtur me miliona subvencione për ta intensifikuar agrarin kosovar. /Buletini Ekonomik/