Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKRK) ka nisur procedurë hetimore ndaj disa operatorëve kabllor në vend. Kjo për shkak të dyshimeve të bazuara për marrëveshje kartel mes tyre, që si praktikë është e ndaluar me ligjet e Kosovës.
Procedura hetimore është nisur ndaj operatorëve si: Artmotion, Kujtesa, Telkosit dhe operatorit ISP Broadcast, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas burimeve të besueshme të Buletinit Ekonomik, të njëjtat janë duke u hetuar për fiksim dhe ngritje çmimesh, si dhe ndarje të tregjeve me marrëveshje të fshehta mes vete, që ndryshe njihen si marrëveshje kartel.
Buletini Ekonomik mëson se konkluzioni i plotë nga AKRK për nisjen e hetimeve ndaj këtyre operatorëve, pritet të publikohet ditën e hënë.
Ndryshe, neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës përcakton qartë marrëveshjet e ndaluara dhe që dëmtojnë konkurrencën. Një nga to është edhe marrëveshja kartel, për të cilën ka dyshime se ekziston në sektorin e kabllorëve në vend.
Sipas këtij ligji, një marrëveshje kartel është një “ujdi midis firmave konkurrente që hartohet për të kufizuar apo shmangur konkurrencën midis tyre dhe që synon rritjen e çmimeve dhe të fitimeve të ndërmarrjeve pjesëmarrëse, pa ofruar asnjë përfitim shtesë në të cilin të mbështetet kjo rritje”.
Në praktikë, kjo realizohet duke fiksuar çmimet, duke kufizuar prodhimin, duke bërë ndarje të tregjeve të klientëve apo të territoreve, duke manipuluar tenderat, ose duke kombinuar disa nga kufizimet e sipërpërmendura.
Kartelet gjithmonë janë në dëm të konsumatorëve dhe të shoqërisë në përgjithësi, sepse ndërmarrjet që marrin pjesë në to vendosin çmime më të larta (dhe marrin fitime më të mëdha) sesa në një treg konkurrues. /Buletini Ekonomik/