Edhe në Ferizaj ka rënë vrulli i shitblerjes së banesave

Fotografi ilustruese

Në Ferizaj, ç’është e vërteta, po ndërtohet edhe më tutje shumë, si në periferi, si në afërsi të qendrës së qytetit. Janë ngritur dhe vazhdojnë të shkojnë lartë çmimet e tyre, por është evidente rënia e ndjeshme e tregtimit të banesave atje. Sivjet, ka shumë më pak shitblerje se sa dy-tre vjetët paraprake.

Mehmet GJATA

Ferizaji, i njohur në këto vitet e fundit për nga shpërthimi i vrullshëm i ndërtimeve të banesave, por edhe për nga tregu ndër më të mëdhenjtë të paluajtshmërive në Kosovë, sivjet, edhe në këta muajt e verës, sikur e ka zbehur reputacionin e krijuar të ndërtimit dhe të shitblerjeve, sidomos të banesave. Në Ferizaj, ç’është e vërteta po ndërtohet edhe më tutje shumë, si në periferi, si në afërsi të qendrës së qytetit, janë ngritur dhe vazhdojnë të shkojnë lartë çmimet e tyre, por, pokështu është evidente rënia e ndjeshme e tregtimit të banesave. Sivjet, ka shumë më pak shitblerje se sa dy-tre vjetët paraprake.

Reklama e sponzorizuar

Pronari i një agjencie që ka veprimtari tregtimin e paluajtshmërive në Ferizaj, por që kërkon, anonimitetin, i ka thënë të enjten Buletinit Ekonomik se “edhe më tutje, nuk është se nuk ka shitblerje të paluajtshmërive, sidomos të banesave të reja, por, numri i transaksioneve të shitblerjes është goxha më i ulët se në dy –tre vjetët më përpara. Sipas tij, janë të ndryshme shkaqet e rënies së shitblerjeve të banesave në Ferizaj, ku siç dihet, vetëm pak kohë më përpara, ishte bërë i njohur nga shpërthimi i bumit të ndërtimit, por edhe të tregut të paluajtshmërive. Në radhë të parë, thotë ai, ka rënë theksueshëm interesimi i blerësve nga komunat fqinje të Ferizajt për të blerë banesa, ndërkohë që dihet se në shpërthimin e vrullshëm të tregut të ndërtimeve në këtë qytet, ka ndikuar në masë të madhe blerja e banesave nga qytetarët e komunës së Vitisë dhe të Kaçanikut, të cilët deri vonë ishin ndër blerësit kryesor në këtë sektor. Tani, me gjasë, një numër i madh qytetarësh nga këto komuna, në fqinjësi të drejtpërdrejtë me Ferizajn, kanë siguruar banesa, kështu që, kjo zbehje e shitblerjeve ka ndikuar jo pak edhe në tregun e përgjithshëm të sektorit të ndërtimit në Ferizaj.

Edhe njohësit e tjerë të tregut të banesave në këtë qytetet, e potencojnë rënien e shitblerjeve të banesave nga vitiasit dhe rajonet e tjera të afërta me Ferizajn, por, sipas tyre, në uljen e intensitetit të tregtimit të patundshmërive në Ferizaj, ka ndikuar edhe interesimi shumë më i vogël i diasporës së madhe të kësaj komune për të investuar në paluajtshmëri. Ndërsa ndër faktorët më me ndikim në rënin e tregut të banesave në Ferizaj, ata shohin çmimet e ngritura shumë dhe shpejtë të një metri katror të ndërtimeve të reja.

Sipas të dhënave që ka siguruar Buletini Ekonomik, tani në Ferizaj, edhe në pjesët më të largëta nga qendra, nuk mund të gjesh banesë nën 700 euro për një metër katror. Ndërsa, në qendër, çmimi i një metri katror ka prekur 1,500 euro.

Në dy komplekse banesore, mu në qendër të qytetit, të ndërtuara në trollin e ish-ndërmarrjes së ndërtimeve në Ferizaj, fare në qendër, një metër katror kushton saktësisht 1,500 euro. Por, nuk ka shitje. Në këtë kompleks banesash (dy ndërtesa shumëkatëshe), shumica e tyre janë të pa shitura, edhe pse tash e një kohë më të gjatë janë të finalizuara. Në këtë mënyrë, edhe në Ferizaj në tregun e banesave, po ndodhin lëvizje të shpeshta dhe të papritura, që ngjajnë në surpriza, qoftë të këndshme, qoftë të pakëndshme. Gjithsesi, surprizë e pakëndshme në këtë treg mbetet ngritja e vrullshme e çmimeve të banesave përkundër ndërtimeve të shumta të tyre dhe ofertës mbizotëruese kundrejt kërkesës.

Me fjalë të tjera, edhe në Ferizaj, sikundër në të gjithë Kosovën, vazhdon të ketë shumë ofertë (numër enorm të madh të banesave në shitje), si rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm imponues të ringjallur pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht vazhdojnë të mbretërojnë çmime të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të qytetarëve shumicë të këtij rajoni dhe fuqisë së kufizuar blerëse të tyre.

“Në Ferizaj, në vitin e kaluar, me javë dhe muaj, ka pasur klientë të shumtë të interesuar për të pasur një banesë në këtë qytet edhe për shkak të përafrimit me kryeqytetin pas ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup. Tani, qëkur është ‘shijuar’ goxha shumë edhe shfrytëzimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, që ka shkurtuar shumë “distancën” dhe kohën për të arritur nga Ferizaj në Prishtinë dhe anasjelltas, sikur ka rënë interesimi i shprehur, sidomos nga diaspora për të pasur një banesë në Ferizajin e ‘afruar’ shumë me kryeqytetin”, kanë thënë për Buletinin Ekonomik, në agjencinë e patundshmërive në Ferizaj.

Tani, mërgimtarët, që më parë e potenconin në bisedat me rastin e transaksioneve të patundshmërive përparësinë e blerjes së një banese në Ferizaj, me rrëfimin se ‘nga Ferizaj në Prishtinë (saktësisht deri në Veternik), tani më një vozitje fare normale arrin brenda 17 deri 20 minutash”, janë shumë më të paktë. Thjesht, ka rënë kërkesa për blerjen e banesave edhe në Ferizaj, përkundër përparësive të krijuara me autostradën, dhe përkundër cilësisë së pakontestuar të ndërtimeve të reja, thonë në agjencinë e patundshmërive. Madje, sipas tyre, pos qendrës së qytetit, edhe çmimi i një metri katror është në suaza të çmimeve më normale të ndërtimeve në vend.

Se çka do të bëhet në të ardhmen, mbetet të shihet në muajt dhe vitet në vazhdim, por në Ferizaj vazhdon të ndërtohet thuaja njësoj si në ditët më të mira të tregut të banesave. /Buletini Ekonomik/