Forumi i Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar do të mbahet në fillim të tetorit në Prishtinë

Drejtoresha Ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, u takua me Ambasadorin Gjerman, Jorn Rohde, dhe Zëvendës Ambasadorin, Matthias Conrad, për të diskutuar Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar.

Bëhet e ditur se ambasadori Rohde do të hapë zyrtarisht këtë forum, i cili do të mbledhë në Prishtinë liderë të biznesit dhe politikanë nga Gjermania dhe Kosova për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.
Forumi, i organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Komiteti Lindor i Ekonomisë Gjermane, do të mbahet më 2 dhe 3 tetor në Prishtinë.

“Në fillim të tetorit, Prishtina pritet të bëhet qendra e bashkëpunimit gjermano-kosovar, pasi ky forum do të zhvillohet menjëherë pas ngjarjes rajonale SUBEX – Supplier Expo, që mbahet më 1 tetor në Prishtinë dhe bashkëorganizohet nga tri oda gjermane: Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike Gjermane e Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar do të mirëpresë mbi 300 pjesëmarrës dhe ekspertë të industrisë nga Gjermania dhe Kosova. Ngjarja do të ofrojë një program tërheqës me diskutime në panele, intervista me ekspertë, podcast-e, masterclass-e, vizita në kompani dhe shumë më tepër.

Sipas Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Gjermania mbetet investitori më i madh i huaj në Kosovë (me 190 Milionë Euro investime të huaja direkte në 2023), donatori më i madh bilateral që nga paslufta, partneri kyç tregtar dhe shteti me diasporën më të madhe kosovare. Forumi i parë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili u mbajt në vitin 2022 rezultoi me investimin 20 milionë euro në sektorin e automotivës. /Telegrafi/