Murati: Bashkatdhetarët po detyrohen të paguajnë policë kufitare nga punonjësit e BKS-së

Hekuran Murati- ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se ka raportime që disa punonjës të Byrosë Kosovare të Sigurimit po i detyrojnë bashkatdhetarët që të paguajnë policë kufitare që tashmë është e paguar nga Qeveria.

Duke bërë thirrje që të mos paguajnë për sigurimin kufitar, Murati përmes një postimi në Facebook i ka quajtur këta punonjës “të papërgjegjshëm”, që sipas tij, nuk i informojnë saktë bashkatdhetarët që polica kufitare është e subvencionuar për vetura deri në 9 pasagjerë.

“Ftoj të gjithë ata bashkatdhetarë që janë ballafaquar me raste të tilla, ku u është kërkuar të paguajnë për policën kufitare e që do duhej ta merrnin falas, që rastet t’i raportojnë tek policia në numrin 192”, ka shkruar ai.

Reklama e sponzorizuar

Murati tutje ka thënë se disa raste tashmë janë raportuar se ka pasur edhe procedim penal për punonjësit e BKS-së.

Ai gjithashtu ka ftuar edhe Policinë dhe Prokurorinë që t’i trajtojnë me prioritet këto raste “të keqpërdorimeve”.