Nagavci: Subvencionim deri në 110 euro për tekstet shkollore, aplikimi hapet nesër

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) edhe këtë vit do të vazhdojë me subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e Kosovës. Një gjë të tillë e bëri të ditur vetë ministrja Arbërie Nagavci në një konferencë për media.

Ajo bëri të ditur se edhe sivjet tekstet shkollore do të ofrohen përmes subvencionimit të prindërve.

“Furnizimi me tekste shkollore do të bëhet sipas praktikës së vitit të kaluar të subvencionimit të prindit, që do të kenë mundësi të aplikojnë nga nesër. Prindërit i subvencionojmë nëpërmjet një procesi që është transparent, që shmang mundësitë e ndonjë keqpërdorimi që ka ndodhur në të kaluarën”, ka pohuar Nagavci.

Reklama e sponzorizuar

Nagavci ka thënë se për nxënësit nga klasa e 1-5 vlera e subvencionimit do të jetë 80 euro, ndërsa për ata nga klasa 6-9 vlera do të jetë 110 euro. Ajo ka shtuar se sivjet janë 217 mijë e 696 nxënës nga klasa 1-5.

Aplikimi për subvencionim do të hapet nga nesër (e mërkurë).

“Aplikimin për subvencionime prindërit mund ta bëjnë që nesër në E-Kosova, të gjithë prindërit që  i kanë hapur vitin e kaluar llogarit, tani e kanë më lehtë, nesër do të lansojmë një video për të treguar procedurat e aplikimit për subvencionim”, ka thënë Nagavci. /Telegrafi/