Gjatë 35 ditëve të ardhshme, derisa të rikthehet B2-shi në operim, Kosova do të ketë prodhim nga kapacitetet ekzistuese të vetat gjithsej diku rreth 520-550 megavatë-orë energji elektrike. Dhe kjo do të thotë, se për 35 ditët e ardhshme Kosova do të përballet me mungesa të theksueshme të rrymës për shkak se do të ketë saktësisht minus 260 megavatë-orë më pak rrymë të prodhuar nga termocentralet e veta.
Buletini Ekonomik
Sikundër që është paralajmëruar disa herë nga zyrtarë të KEK-ut, nga dita e sotme (28 gusht 2024) ka nisur remonti i planifikuar në njësinë B2 të termocentraleve Kosova B.
Remonti, do të zgjatë saktësisht 35 ditë, po aq sa zgjati i njëjti riparim te njësia B1 e këtyre termocentraleve, dhe i cili, siç dihet, pas remontimit 35 ditësh është rikthyer në punë më 18 gusht. Dhe, dërgimi tani i B2-shit në remontin e planifikuar, do të thotë përgjysmim i prodhimit të Kosovës B, përkatësisht minus 260 megavatë-orë energji elektrike në 35 ditët e ardhshme. Tani, derisa të rikthehet B2-shi në operim, Kosova do të ketë prodhim nga kapacitetet ekzistuese të vetat gjithsej diku rreth 520-550 megavatë-orë energji elektrike, nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur eventuale, ose ndonjë defekt teknik në të dy blloqet e termocentraleve Kosova A (A3 dhe A5), ose edhe në bllokun B1 të Kosovës B.
Më saktësisht, pas ditës së sotme, brenda 35 ditëve në vazhdim, furnizimi i konsumit të Kosovës do varet nga prodhimi i rrymës në dy blloqet e Kosovës A (A3 dhe A5), me kapacitet nga 130 megavatë secili bllok, ose 260 gjithsej të dy bashkë dhe nga blloku B1 i Kosovës B, që ka kapacitet 260 megavatë-orë. Kështu, Kosova do të ketë diku 520 megavatë orë nga termocentralet vetanake dhe dhjetëra megavatë nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme. Dhe kjo do të thotë, se për 35 ditët e ardhshme Kosova do të përballet me situatë më të brishtë elektroenergjetike për shkak se do të ketë saktësisht minus 260 megavatë-orë më pak rrymë të prodhuar nga kapacitetet e veta ekzistuese.
Konkretisht, mungesat e energjisë elektrike nga dita e sotme në vendin tonë, veç prodhimit të përgjysmuar nga termocentralet Kosova B do të varen edhe nga faktorë të tjerë, dhe në radhë të parë nga temperaturat e larta, të cilat domosdo shkaktojnë konsum më të madh të rrymës, nga kursimi që do të jetë i domosdoshëm si një masë e përkohshme në situata të tilla dhe nga mundësitë e këmbimit, në këtë rast, të huazimit të rrymës nga Shqipëria.
Zëdhënësi për medie i KEK-ut, Skender Bucolli, i ka thënë Buletini Ekonomik, se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që edhe te B2-shi, sikundër te B1-shi, të gjitha punët remontuese të përfundojnë brenda afatit 35 ditësh. Dhe, ai shprehet i bindur se do të përmbushet ky parashikim, siç është përmbushur saktësisht afati-dita e planifikuar para shumë muajsh e shkuarjes në remont të kësaj njësie të Kosovës B.
Sipas Bucollit, edhe ky remont, poashtu si në bllokun tjetër, do të jetë goxha i detajuar, i shumanshëm dhe do të ndërhyhet për t’i riparuar shumë stabilemente me qëllim të freskimit të këtyre termocentraleve dhe rritjes së gatishmërisë teknike për të operuar sa më mirë gjatë sezonit të dimrit.
Ndërkohë, te furnizuesi i konsumit të Kosovës me energji elektrike, nga kompania turke KESCO, nuk e fshehin frikën se në edhe në ditët vijuese nëse mbajnë temperaturat e larta, sikundër deri tani, sasia e energjisë elektrike nga kapacitetet vendore nuk do të jetë e mjaftueshme për të plotësuar nevojat në rritje të konsumatorëve të Kosovës. Gjatë gushtit, kur thuaja në të gjitha ditët kanë mbajtuar temperatura ekstremisht të larta, siç dihet, konsumi i vendit ka shkuar në kohën e pikut edhe në 800 megavatë. Dhe nëse edhe në këto 35 ditët vijuese do të vazhdojë të konsumohet më shumë se sa prodhohet në kapacitetet e vendit, domosdo që për t’i kompenzuar mungesat e rrymës, ose duhet të importohet energjia elektrike e munguar, ose duhet të huazohet nga KESH-i në orët e mungesave të theksuara. Gjithsesi, në raste dhe në ditët e caktuara pritet të ketë edhe reduktime të kushtëzuara të rrymës. /Buletini Ekonomik/