Qeveria merr vendim për sigurim të detyrueshëm shëndetësor, Kurti: E përmirëson jetën e qytetarëve

Qeveria e ka miratuar projektligjin për sigurim të detyrueshëm në kujdesin shënbdetësor.

Kryeministri Albin Kurti tha paraprakisht se ky vendim do ta përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Do të marrim vendime të tjera të rëndësishme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë e pozitiv në jetën e qytetarëve tanë, pa dallim. Ndër to është edhe propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit për sigurime shëndetësore. Andaj ku ka më mirë sesa ta fillojmë rendin e ditës pikërisht me këtë punë, pra shqyrtimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm në kujdesin shëndetësor. Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurim shëndetësor”, tha Kurti.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se “njerëzit në nevojë do të kenë mbrojtje më të mirë sociale që ndihmon për të zvogëluar si varfërinë, ashtu edhe pabarazinë”.

“Nëpërmjet miratimit të këtij projektligji të cilin e kemi përcaktuar si prioritet në strategjinë kombëtare për zhvillim 2030 dhe në programin e Qeverisë, po e arrijmë edhe një zotim të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Me këtë vendim, Kurti theksoi se do të kontribuojnë “në ruajtjen e përparimin e shëndetit, e sëkëndejmi edhe në mirëqenien e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, duke ulur varfërinë dhe pabarazitë e shkaktuara nga shpenzimet shëndetësore”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e quajti këtë si “hap themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë”.

“Me këtë nismë themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor i Republikës së Kosovës”, tha ai.

Vitia tha se për herë të parë do të përcaktohen “rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do ta transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti e jep për qytetarët, veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundjet”.

“Zbatimi i këtij ligji, natyrisht, do të jetë natyrisht një nga sfidat më domethënëse të qeverisjes sonë dhe me të po e japim në të tashmen mbështetjen më të madhe për shëndetësinë dhe për të ardhmen qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e shpenzimeve për çështje të shëndetit”, tha Vitia.