Përkundër faktit se “për tri vjet në total janë ndarë mbi 226 milionë euro mbështetje financiare për fermerë përmes subvencioneve dhe granteve dhe se buxheti për bujqësi ka arritur vlerën më të lartë ndonjëherë, mbi 100 milionë euro’, edhe më tutje, bujqësia kosovare përballet me rendimente të ulëta, edhe më tutje importojmë thuaja të gjitha produktet bujqësore, edhe ato që arat e Kosovës i bëjnë më së miri, edhe më tutje, mbetën jo pak toka djerrë dhe po degradohen me qindra hektarë tokë buke brenda një viti.
Mehmet GJATA
Agrari i Kosovës, megjithë përkrahjen goxha imponuese financiare të shtetit dhe trajtimit më të gjithanshëm institucional, nuk është se ka lëvizur dhe ka bërë ndonjë progres që do të reflektonte këtë përkrahje. Përkundrazi, edhe më tutje, bujqësia kosovare përballet me rendimente të ulëta, ndër më të ultat në rajon, edhe më tutje importojmë thuaja të gjitha produktet bujqësore, edhe ato që arat e Kosovës i bëjnë më së miri, edhe më tutje, mbetën jo pak toka djerrë dhe po degradohen me qindra hektarë tokë buke brenda një viti. Thjesht, diçka nuk shkon në bujqësinë tonë.
Ndërkohë, është e vërtetë se në disa vitet e fundit nuk ka munguar mbështetja institucionale për zhvillimin e bujqësisë. Shifra dhe përqindje të shumta rritjeje të përkrahjes financiare dëgjohen përditë, qoftë nga ministri aktual i këtij sektori, qoftë nga vet kryeministri. Sipas Kurtit dhe të dhënave të paraqitura nga ai në një postim të mëhershëm në Facebook, “për tri vjet në total janë ndarë mbi 226 milionë euro mbështetje financiare për fermerë përmes subvencioneve dhe granteve dhe se buxheti për bujqësi në vitin 2023 arriti vlerën më të lartë ndonjëherë, mbi 100 milionë euro’.
Kreu i ekzekutivit ka thënë jo njëherë se janë shënuar rekorde në përkrahjen financiare për fermerë.
“Fermeri i Kosovës është më i përkrahuri në rajon. Për këto tri vjet në total kemi ndarë mbi 226 milionë euro mbështetje financiare për fermerë përmes subvencioneve dhe granteve. Buxheti për bujqësi në vitin 2023 arriti vlerën më të lartë ndonjëherë, mbi 100 milionë euro, duke tejkaluar kështu edhe premtimin tonë”, shkruante Kurti, duke shtuar se për çdo vit kanë mbështetur mbi 30 mijë fermerë meritor. E për të siguruar meritokracinë që ka munguar në të kaluarën, përveç mirëbesimit në rritje, janë realizuar shumë kontrolle të rregullta. Vetëm në vitin 2023 janë bërë mbi 10 mijë sosh, ku në 7 komuna, kontrolla është realizuar deri në 100%”, shkruante Kurti në Facebook.
Me këtë intonacion dhe po me këta numra, pak a shumë deklarohet parreshtur edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Dhe, këto shifra të deklaruara, nga autoritetet më të larta të vendit askush nuk i bënë të diskutueshme. Janë të vërteta, pra. Por megjithatë, premtimi i zyrtarëve të shtetit, edhe i kryeministrit dhe ministrit të bujqësisë se do ta reformojnë e përmirësojnë sektorin e bujqësisë, nëpërmjet eliminimit të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të deritashëm, sikur nuk është realizuar edhe përkundër gjithë këtyre parave të dedikuara për zhvillimin e agrarit tonë. Nuk ka rezultate të spikatura në këtë sektor. Rendimentet e kulturave bujqësore vazhdojnë të jenë të ulëta dhe dëshpëruese, hiç këtë vit, kur të gjitha konditat e mira i ka diktuar natyra për të arritur rendimente të kënaqshme.
Kosova vazhdon të importojë shumë, thuaja nga të gjitha produktet bujqësore, edhe grurë, edhe perime, edhe pemë. Dhe në Kosovë çmimet e produkteve bujqësore, qoftë ato nga importi, qoftë nga prodhimi i bujqve dhe kopshtarëve të këtushëm, janë shumë të larta dhe ndër më të lartat nga shtetet e rajonit. Një sallatë jeshile, këto ditë në tregjet e gjelbra të Kosovës, ka çmimin 1,5 euro e përtej. Një kilogram i spinaqit tregtohet me 5 edhe 6 euro gjatë korrikut dhe gushtit të sivjetshëm, ndërsa, një kilogram i fasules së cilësisë së mirë kushton 6 euro.
Po të vazhdohet me listën e produkteve të çmimeve enorme të larta të perimeve në tregjet tona, ajo do të bëhej shumë e gjatë. Pak a shumë, i ngjashëm është edhe tregtimi i produkteve nga drithërat, dhe nga gruri, si një nga më kryesorit dhe më i konsumuari ndër kosovarët.
Një tjetër sfidë me të cilën përballet me vite Kosova është edhe toka e bukës e tkurrur dhe e humbur vit pas viti dhe që nuk është tejkaluar asnjëherë nga asnjëra qeveria, dhe as nga kjo aktualja. Në Kosovë po “humbet’ çdo vit e më shumë sipërfaqja e tokës së bukës, arave e kopshtijeve. Me këtë trend të shkatërrimit të tokave të bukës, Kosova, praktikisht, rrezikon të mbetet pa ara dhe pa kopshtije, dhe në këtë mënyrë, nuk do të ketë sipërfaqe as përafërsisht të mjaftueshme për të mbjellë drithërat, as ato të domosdoshmet, as pemë dhe perime, alarmojnë ekspertët e bujqësisë.
Sipas të dhënave të bëra publike sa e sa herë edhe nga zyrtarë të institucioneve të ndryshme që merren me bujqësinë, por asnjëherë të verifikuara saktësisht, në Kosovë gjatë një viti, që nga paslufta, shkatërrohen rreth 1.000 hektarë tokë buke (ara dhe kopshtije) dhe kjo i bie se që nga viti 2000, Kosova ka humbur rreth 24 mijë hektarë me ara. Që nga paslufta, në Kosovë, praktikisht qindra e mijëra hektarë të tokave bujqësore, kryesisht rreth magjistraleve në të gjitha komunat e Kosovës, janë përdorur për qëllime jobujqësore. Poashtu, edhe pse mungojnë të dhënat e sakta zyrtare, qindra e mijëra hektarëve të tokës së bukës u është ndërruar destinimi. Sipas të dhënave të Sindikatave të Bujqëve, kjo sipërfaqe arrin deri në 1000 hektarë. Mirëpo, njohësit e rrethanave dhe ekspertët, mendojnë se Kosova në vitet e pasluftës ka humbur shumë më shumë tokë të punueshme edhe nga ndryshimi i destinimit të tokave të bukës, sidomos pas privatizimit të shumë sipërfaqeve të tokave nga ish-kooperativat bujqësore.
Profesor Halim Gjergjizi, ligjërues shumëvjeçar i politikave agrare në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë, ka thënë për Buletinin Ekonomik se “Kosova po mbetet pa toka të bukës. Trendi i shkatërrimit të tokave është i vrullshëm dhe nuk po ndalet”.
Sipas tij, Kosova ka pasur gjithsej diku rreth 600 mijë hektarë tokë (ara, kopshtije dhe livadhe), nga kjo sipërfaqe – diku rreth 440 mijë hektarë kanë qenë tokë e bukës (ara dhe kopshtije). Mirëpo, nga shkatërrimi i pamëshirshëm dhe i vazhdueshëm, sipas tij, tani “nuk kanë mbetur më shumë se 200 mijë hektarë ara dhe kopshtije”.
“Kjo është e dhimbshme”, thotë profesor Gjergjizi, duke shtuar se “kanë dështuar politikat dhe ndonjë masë e ndërmarrë nga shteti për të parandaluar asgjësimin e tokave të bukës”.
Humbje e madhe e tokave të punueshme në këto vite ka ndodhur, siç u tha më lartë, edhe nga privatizimi i tokave të ish-kooperativave bujqësore, të cilat në të shumtën e rasteve, pas shitblerjes së tyre, nga pronarët e rinj janë përdorur kryekëput për ndërtime të ndryshme. Në këto vite pra, shkaktari kryesor i asgjësimit të tokave bujqësore, është ndërtimi i madh në to, pavarësisht se Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili kishte për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore, i cili në gjithë këto vitet e pasluftës thuajse nuk është respektuar fare. Ndërtimet e pakontrolluara vazhduan edhe më vrullshëm, dhe sipërfaqja e tokës bujqësore në Kosovë nga viti në vit është “tkurrur”. Tokat bujqësore janë shndërruar në zona kinse industriale, por ku dominojnë depo për mallra ekskluzivisht tregtimi, objekte afariste, komerciale dhe banesa kolektive. Dhe, edhe po të ekzistonin tani rreth 400 mijë hektarë, sa bëhen përllogaritjet në institucionet kompetente të vendit, nëse kjo sipërfaqe toke bujqësore llogaritet për kokë banori, sipas ekspertëve, është shumë e ulët dhe nën mesataren e standardit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së (FAO).
Në bujqësinë e Kosovës vazhdon të mbetet problematike çështja e të dhënave të sakta, për sipërfaqet e mbjella me drithëra, për nevojat e Kosovës për grurë dhe produkte të tjera bujqësore. Asnjëherë, në vitet e pasluftës, praktikisht nuk është saktësuar se sa hektarë realisht janë mbjellë me grurë. Ka pasur vlerësime vetëm të përafërta. Ose, thënë më konkretisht, në rastet më të shpeshta, ka pasur të dhëna kontradiktore, të bëra publike, qoftë nga institucionet zyrtare, qoftë nga individë të caktuar – përfaqëues të shoqërisë civile, sindikatave, apo asociacioneve të tjera. Dhe, këto të dhëna me të cilat institucionet shtetërore, jo rrallë, kanë manipuluar dhe pokështu shpesh janë përgënjeshtruar nga palë të tjera (opozita, shoqëria civile dhe njohës të çështjeve konkrete për të cilat bëhet fjalë), deshëm apo s’deshëm, janë ende të diskutueshme. I diskutueshëm dhe mjaft polemizues është bërë në shumë vite, edhe plasimi në publik i të dhënave me dallime edhe të skajshme të subjekteve, rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, rreth rendimenteve të pritshme nga korrje-shirjet dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës.
Për shkak të mungesës së të dhënave të sakta dhe reale rreth sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha, dhe me grurë në veçanti, për vite të tëra pas luftës është kalkuluar me shifra shumë kontradiktore nga zyrtarët, përfaqësues të sindikatave të agrarit kosovar, por edhe nga asociacione të shoqërisë civile që janë të regjistruar ta trajtojnë agrarin tonë në një mënyrë apo tjetër. Kështu ka ndodhur ndër vite te ne, ndërkohë që në gjithë botën dhe në shtetet e rajonit saktësisht bëhen publike hektarët e mbjellë, por edhe rendimenti dhe sasia e grumbulluar e grurit. Ndoshta, do të vijë një ditë, që të bëhen edhe te ne.
Premtimi i zyrtarëve të shtetit, edhe i kryeministrit dhe ministrit të bujqësisë se do ta reformojnë e përmirësojnë sektorin e bujqësisë, nëpërmjet eliminimit të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të deritashëm, nuk është realizuar as te ndalja e reduktimit të tejdukshëm të kultivimit të perimtarisë në përgjithsësi, dhe në veçanti të disa perimeve dhe produkteve bujqësore, që fare mirë dhe suksesshëm do të rriteshin në tokat e bujqëve kosovarë, por që tani e sa kohë, në mungesë të ofertës për to, çmimet e këtyre perimeve kanë shkuar në stratosferë.
Në agrarin e Kosovës ka tkurrje sipërfaqesh të mbjella, sidomos në perimtari, ka dështime evidente të planifikimit të sipërfaqeve dhe kulturave me kërkesa dominuese, siç është perimtaria, ka çmime të produkteve bujqësore që kanë prekur qiellin dhe fundi i fundit, paefektshmëri të masave të shumta të ndërmarra nga institucionet e shtetit, të identifikuara pa rreshtur me miliona subvencione dhe buxhet që tejkalon 100 milionëshin për ta intensifikuar agrarin kosovar. /Buletini Ekonomik/