Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ka dalë me një reagim lidhur me raportimet për projektin e Autostradës Shkup Bllacë. Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri ka mohuar që Ministri Aleksander Nikollovski ka deklaruar se projekti nuk do të përfundojë.
Ajo ka sqaruar se segmenti i parë prej 2 kilometrash tashmë ka përfunduar dhe pritet të hapet për qarkullim brenda dy muajve të ardhshëm, e për pjesën tjetër të autostradës, ka thënë se po shqyrtojnë mundësinë e riprojektimit për të siguruar një zgjidhje më të përshtatshme dhe më të qëndrueshme, raporton Express.
Sipas saj, me planin aktual i bie kostoja rreth 20 milionë euro për kilometër.
“Ky riprojektim është i domosdoshëm për shkak të zgjedhjes së gabuar dhe të palogjikshme të traseve nga drejtuesit e mëparshëm të Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore, të cilët kanë preferuar një terren malor të vështirë dhe të shtrenjtë për ndërtim, PA ARSYE TË QARTA. Nga 12 kilometrat e planifikuara, 6 kilometra janë parashikuar të jenë tunele, duke e bërë këtë projekt jashtëzakonisht të KUSHTUESHËM pa arsye të qarta me një kosto të parashikuar prej afërsisht 240 MILION EURO për 12 kilometrat e mbetura, ose rreth 20 MILION EURO për kilometër gjë që e bënë këtë projekt një ndër projektet me koston më të lartë për një kilometër në rajon”, ka deklaruar Zekolli-Shaqiri.
Ajo ka thënë se po shqyrtojnë mundësitë për një trase alternative, më të favorshme, që do të kalojë përgjatë rrugës ekzistuese.
“Kjo zgjidhje do të sigurojë një qasje më të lehtë për qytetarët dhe një kosto ndërtimi më të arsyeshme, në përputhje me standardet normale të ndërtimit të rrugëve. Qëllimi ynë është të përfundojmë këtë projekt në mënyrë efikase dhe me KOSTO EFEKTIVE, duke siguruar që autostrada Shkup-Bllacë të jetë një rrugë moderne dhe funksionale, që plotëson nevojat e qytetarëve dhe kontribuon në zhvillimin e rajonit”, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, Ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski tha ende se nuk ka marrë sqarim nga drejtuesit e kaluar, përse është zgjedhur një trase e re, dhe jo ajo ekzistuese që të çon drejt Bllacës.
“Kanë vendosur nga udhëheqësia e kaluar e Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore me në krye Ejup Rustemin, deri sot nuk e di arsyen se përse dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje të logjikshme, të mos ndjekin trasenë ekzistuese, por të ndjekin trase tjetër e cila është malore, dhe në të cilën nga 12 kilometra, 6 kilometra janë tunele, që janë shumë të vështirë për t’u realizuar. Neve mund të na ndodhë njëjtë si me hekurudhën drejt Bullgarisë që autostrada të kushtojë shumë shtrenjtë, vlera e përllogaritur për momentin është 240 milion euro, që është 20 milion euro për kilometër, dhe që pyetja tjetër është a mundet të realizohet nga aspekti inxhinierik”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.
Ai do të rishikojnë projektin për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, gjegjësisht për 12 kilometrat e mbetura nga gjithsej 14, për shkak se janë ngritur një sërë dilemash për projektin ekzistues. Mjetet nga Banka Evropiane për Zhvillim janë siguruar por janë të pamjaftueshme për realizimin e versionit që është zgjedhur, deklaroi ministri.