Shpërndarja e foto-montazheve me fotografi të gazetarëve në rrjetet sociale, reagon AGK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka quajtur të rrezikshme shpërndarjen e foto-montazheve me fotografi të gazetarëve dhe medieve, në rrjetet sociale.

Sipas AGK-së një sërë foto-montazhesh janë shfaqur sot (8.8.2024) në mediat sociale, në të cilat shihen fytyra e disa prej gazetarëve kosovarë, përcjellë me mesazhe të sajuara, por logo të vërteta të disa prej medieve kosovare.

“Disa prej gazetarëve të atakuar nga këto foto-montazhe janë: Vehbi Kajtazi, Valon Syla, Berat Buzhala, dhe të tjerë. Në to, zakonisht është përdorur rrejshëm logoja e medias së pavarur serbe nga Mitrovica Veriore, Kossev. Ndërkohë, linqet e supozuara të lajmit përfshijnë media si Zëri, Telegrafi, Kosova Sot, dhe të ngjashme”- thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja e sheh këtë fushatë si ekstremisht të rrezikshme për gazetarët dhe mediat, dhe fton Policinë e Kosovës me Njësitin Kibernetnik, që urgjentisht të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre.

Reklama e sponzorizuar