Spinaqi dhe fasulja, dy produktet bujqësore më të shtrenjtat në Kosovë

spinaqi
Spinaqi ndikon pozitivisht në shëndet

Gjatë korrikut dhe javës së parë të gushtit të sivjetshëm, dy produktet bujqësore më të shtrenjta në Kosovë pa dyshim janë fasulja, e cilësisë së mirë, dhe spinaqi. Ka javë e muaj që fasulja e cilësisë së dallueshme ka kapur çmimin 6 euro për një kilogram, ndërsa çmimi i një kilogrami të spinaqit dje ishte 4 euro.

Buletini Ekonomik

Dy produktet bujqësore më të shtrenjta në Kosovë gjatë korrikut dhe javës së parë të gushtit të sivjetshëm, pa dyshim janë fasulja, e cilësisë së mirë, dhe spinaqi. Ka javë e muaj që fasulja e cilësisë së dallueshme ka kapur çmimin 6 euro për një kilogram, qoftë në tregjet e gjelbra, qoftë në shitoret e specializuara të tregtimit të produkteve bujqësore. Fasulja cilësore, që në tregjet e Kosovës vie kryesisht nga importi (nga Turqia, nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, por edhe nga shtete të ndryshme aziatike), gjatë periudhës më të gjatë të vitit, praktikisht ka kushtuar 5 dhe 6 euro kilogrami. Edhe sot, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit ka këtë çmim. Po kështu, edhe në shitoret e pemëve dhe perimeve të Prishtinës, ky produkt bujqësor i cilësisë së dallueshme, tregtohej me 6 euro.

Reklama e sponzorizuar

“Thuaja tërë vitin e ka pasur këtë çmim fasulja e mirë. Unë tregtoj vetëm fasule të Korçës, dhe është me garancion i mirë, prandaj kushton kaq shtrenjtë. Me çmim të lartë e sigurojmë edhe ne tregtarët”, thotë një pronar i një dyqani të specializuar të pemëve dhe perimeve, shumë pranë qendrës së Prishtinës.

Sipas tregtarit kryeqytetas, nuk ka fasule vendore në këtë kohë, deri sa të vjelet i riu. Dhe, prezantimi i të riut në tregjet tona nuk zgjatë shumë kohë. Shitet shpejt, pavarësisht çmimit të lartë. Është i kërkuar, sidomos fasulja e Pejës, Tetovës, por edhe i fshatrave të Llapit dhe të rajonit të Dukagjinit mbarë. Ndërsa, çmimi prej 4 eurosh i një kilogrami spinaq që mbanë këto ditë në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, praktikisht, është rikthim te çmimi rekord në Kosovë i këtij perimi që mbajti në periudha të ndryshme gjatë vitit të kaluar, kur në tregjet tona çmimi i një kilogrami të spinaqit kishte shkuar edhe në 6 e më shumë euro.

Sot, në tregjet e kryeqytetit, por edhe në shitoret e specializuara të tregtimit të produkteve bujqësore, një kilogram i spinaqit kushtonte saktësisht 4 euro. Ky çmim i këtij produkti goxha popullor, bëhet edhe më i papranueshëm për kosovarët, aq më shumë kur dihet se sivjet, për një periudhë disamujore, çmimi i spinaqit në Kosovë ishte i kapshëm, i pranueshëm dhe si i tillë nuk bëhej fare i diskutueshëm nga blerësit e shumtë.

Fare në fillim të vitit, në fund të janarit dhe gjatë tërë muajit shkurt dhe mars të këtij viti, kilogrami i spinaqit në Kosovë kishte çmimin nga 70-80 centë deri në 1 euro. Nuk ndryshoi shumë ky çmim as gjatë prillit dhe majit. Ndërkohë, që nga fillimi i qershorit, siç thonë edhe frekuentues të rregulltë të tregjeve të gjelbra, “çmimi i këtij perimi nisi të ngritet gradualisht prej 1,5, 2, 2,5 euro, për të arritur këtu në nivelin e këtyre ditëve prej 4 euro. Dhe, edhe me këtë kosto shumë të lartë, këtyre ditëve ka fare pak spinaq në shitje në tregjet tona.

Në një shitore të specializuar pemësh dhe perimesh, dje ishte ekspozuar një sasi fare e paktë e spinaqit, që dukej në të parë shumë cilësor.

“Ky spinaq, është nga Lupçi i Poshtëm, dhe cilësia e tij është shumë e mirë”, thotë pronari i shitores. Edhe në Tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit , një kilogram i spinaqit kishte çmimin 4 euro.

“Ka vite, që në muajt korrik, gusht dhe shtator, në Kosovë ka fare pak spinaq. Pakësohet ndjeshëm edhe sasia nga importi që është kryesisht nga Shqipëria, por edhe sasia nga kopshtet e vendit, që është fare simbolike”, thotë një tregtar i vjetër në tregun e kryeqytetit.

Ndërsa sa i përket perimeve të tjera, në tregjet tona të gjelbra dominojnë domatet, specat, patatet, shalqini dhe trangujt. Dhe të gjitha këto kanë çmime të pranueshme, ndjeshëm të ulura krahasuar me 1-2 muaj më parë dhe kanë cilësi imponuese. Shembull, një kilogram domate kushton nga 50, 60 deri në 80 centë, ndërsa specat kanë standardizuar çmimin 1 deri në 1,5 euro kilogramin. Krahasuar me vitin e kaluar, sivjet perimet, qoftë ato nga importi, qoftë këto nga arat e vendit, janë shumë më cilësore dhe edhe për nga çmimi, janë më të pranueshme. /Buletini Ekonomik/