Të paktën 24 vende të BE-së luftojnë me mungesën e mësuesve

Ndërsa viti shkollor fillon në të gjithë Bashkimin Europian, 24 shtete anëtare po luftojnë me mungesat e mësuesve, duke ndikuar në mësimin e studentëve dhe duke penguar qëllimin për të ofruar arsim cilësor për të gjithë.

Suedia është raportuar si një nga vendet më të prekura, me 153,000 mësues të kualifikuar që nevojiten deri në vitin 2035.

Vetëm Kroacia dhe Qiproja nuk raportuan mungesë të stafit arsimor, sipas raportit të Komisionit Europian të Edukimit dhe Trajnimit 2023, ndërsa të dhënat publike ekzistuese të Greqisë nuk e lejojnë atë të vlerësojë, nëse mbulohen të gjitha nevojat ose nëse lëndë të veçanta mund të pësojnë mungesa.

Reklama e sponzorizuar

Shumica e vendeve përballen me mungesë mësuesish veçanërisht në lëndët STEM dhe personel të kualifikuar në edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme.

Sindikata e Punëtorëve të Arsimit dhe Shkencës në Gjermani, GEW, ka paralajmëruar “kundër uljes së standardeve për kualifikimet pedagogjike për të kompensuar mungesën e stafit”.

Pra, pse ky problem është kaq i keq dhe si është përhapur në të gjithë BE-në?

Cilat janë pengesat?

Profesioni i mësuesit vuan nga probleme të ndryshme, mes tyre paga e ulët, pasiguria në punë dhe ngarkesa e lartë.

Në vitin 2021, vetëm 8% e fuqisë punëtore të përgjithshme të mësimdhënies ishin më të rinj se 30 vjeç, sipas Eurostat.

Integrimi i fëmijëve ukrainas në shkollat ​​e BE-së për shkak të luftës, ka përkeqësuar gjithashtu problemin e mungesës së mësuesve në Europë.

Në Poloni, në shkurt 2023, 43,800 fëmijë të zhvendosur nga Ukraina u regjistruan në arsimin fillor.

Ndërkohë, shumë vende vuajnë nga plakja e popullsisë së mësuesve me një valë pensionesh, që priten në vitet e ardhshme, gjë që vetëm sa shton presionin e mëtejshëm mbi sistemin.

Në Portugali, një nga sindikatat e mësuesve, Fenprof, vlerëson se midis 4,700 dhe 4,800 mësues do të dalin në pension – “numri më i lartë në mijëvjeçar”. Vendi do të ketë nevojë për më shumë se 30,000 mësues të rinj profesionistë deri në vitin 2030.

Një zgjidhje në mbarë BE-në?

Komisioni Europian ka promovuar lëvizshmërinë e mësuesve dhe ka shpërblyer praktikat inovative të mësimdhënies, si një mënyrë për të trajtuar këtë mungesë dhe për të rivendosur prestigjin e këtij profesioni.

Shumë vende të BE-së janë përpjekur gjithashtu të tërheqin pensionistët përsëri në profesion dhe kanë mbushur boshllëqet me mësues me kontrata të përkohshme.

Në prill të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i ASTI i Irlandës, Kieran Christie tha se Departamenti i Arsimit kishte nevojë për një “ndryshim të plotë në të menduarit e tyre” për të trajtuar mungesën aktuale të mësuesve.

Christie ka sugjeruar, që një sërë nismash duhet të zbatohen për të nxitur mësuesit, që janë larguar nga Irlanda për të punuar jashtë vendit, për t’u kthyer.

Megjithatë, një zgjidhje në nivel BE mund të jetë e vështirë për t’u zbatuar.

“Një nga arsyet pse është e vështirë të arrihet është sepse vendet kanë rregulla të ndryshme arsimore institucionale,” shkroi ekonomisti i arsimit Giorgio Di Pietro në një raport teknik për Qendrën e Përbashkët të Kërkimeve të BE-së.

“Për shembull, kualifikimet formale të mësimdhënies mund të merren në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme. Në disa vende, dikush bëhet automatikisht mësues kur përfundon programin e përgatitjes së mësuesve, ndërsa në të tjera ka hapa shtesë për të përfunduar.” /Euronews