ZKA me kritika për Qeverinë: Shumë projekte të nënshkruara në mungesë të fondeve më 2023

Zyra Kombëtare e Audimit ka gjetur shumë gabime në Raportin Vjetor të Qeverisë për vitin 2023. Arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponentë të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale. Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, raporton Ekonomia Online.

Spanca ka thënë se nga vlera prej 25 milionë euro, 11 milionë i takojnë nivelit qendror, ndërsa mbi 14 milionë euro i takojnë nivelit lokal.

Një e gjetur sipas Spancës është numri i madh i kontratave për projekte kapitale të nënshkruara në mungesë të fondeve. Sipas saj, kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me  kosto shtesë të pa planifikuara.

Reklama e sponzorizuar

“Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar. Arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale”, ka thënë Spanca, teksa përmendi disa prej gabimeve.

“Klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve në vlerë prej 25 milionë euro. Prej tyre mbi 11 milionë euro i takojnë nivelit qendror, ndërsa mbi 14 milionë euro i takojnë nivelit lokal. Klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore në vlerë prej mbi 11 milionë eurove, buxhetimit jo adekuat prej afër 9 milionë euro dhe të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore mbi 5.3 milionë euro. Nënvlerësim i pasurive në organizata buxhetore në vlerë prej afër 21 milionë euro, kjo për shkak të mos regjistrimit të plotë të pasurive, regjistrimit të gabuar, apo zhvlerësimit jo adekuat. Llogaritë e arkëtueshme ishin nënvlerësuar në vlerë prej 2.4 milionë euro, dhe detyrimet kontingjente, të cilat janë rezultat i pretendimeve përmes padive gjyqësore ndaj organizatave buxhetore janë nënvlerësuar për afër 20 milionë euro”.

Spanca tha se auditimet individuale për 35 organizata buxhetore, opinionet e auditimit ishin jo të mira, edhe pse krahasuar me vitin paraprak ka përmirësim në cilësinë e raportimit financiar.

“Derisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara, janë dhënë 4 opinione të kundërta, 5 të kualifikuara dhe 3 opinione të pa modifikuara. Më gëzon fakti, që pas shumë vitesh auditimi të Telekomit të Kosovës, që vite me radhë ka pasur opinion jo të mirë, në vitin 2023 Telekomi ka arritur të prezantoj të dhënat financiare drejte dhe të marrë opinion të pastër”, u shpreh tutje Spanca.

“Një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal. Kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me  kosto shtesë të pa planifikuara, ndërsa mungesa e kontrolleve në këto projekte mund të rezultojë edhe në keq menaxhim të tyre. Prokurimi publik dhe menaxhimi i kontratave vazhdon të mbetet sfidë për institucionet publike. Ka nevojë të përmirësohet procesi i menaxhimit të listës së pritjes së pacientëve në sistemin shëndetësor. Procesi i sponsorizimit të sportit në Kosovë duhet të rishikohet dhe të evitohen parregullsitë e evidentuara. Po ashtu  edhe fusha e menaxhimit të teknologjisë se informacionit dhe siguria e saj kërkojnë vëmendje nga bartësit e institucioneve. Menaxhimi i sistemit e-edukimi, sistemit të menaxhimit të stokut farmaceutik dhe sistemi i ujësjellësit rajonal Prishtina janë disa nga sistemet e TI-së tek të cilat kemi gjetur mangësi, të cilat duhet të evitohen”.

Tutje, Spanca ka thënë se tek ndërmarrjet publike, menaxhimi dhe zvogëlimi i humbjeve kishte përmirësim të dukshëm për vitin 2023, mirëpo sfidë mbetet forcimi i menaxhimit financiar dhe kontrolleve në Ndërmarrjen Publike “Trepça”.