Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se shteti ynë me qeverisjen e Kurtit ka pësuar dobësim serioz në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm.
“Marrëveshjet ndërkombëtare kurrë nuk kanë qenë problem, problem ka qenë menaxhimi kombëtar i brendshëm i Kosovës duke e kthyer mbrapa Kosovën në secilën sferë të jetës”, tha Tahiri.
Ai shtoi se si AAK do të angazhohen që të miratohet Ligji i Pagave dhe ai për Sigurimet Shëndetësore.
“Në këta tre muaj e gjysmë që kanë mbet për Kuvendin, AAK do të mundohet ti adresoj tri çështje të rëndësishme për ne që janë Ligji i Pagave ku vlera mesatare e një page në këtë ligj do të jetë 1000 euro, do të shtyjmë përpara miratimin e ligjit për Sigurimet Shëndetësore dhe çështja e tretë është forcimi ekonomik i Kosovës”, tha Tahiri.
Shefi i deputetëve të AAK-së shtoi se “Kosova kurrë nuk ka qenë më e dobët që nga shpallja e pavarësisë”. /Telegrafi/