AVONET: Komuna e Ferizajt nënshkruan kontratë rreth 2 milionë euro me kompaninë që ka të dënuar përfaqësuesin e saj për mashtrim në prokurim publik

Rrjeti i OJQ-ve AVONET e ka monitoruar dhe hulumtuar aktivitetin e prokurimit të Komunës së Ferizajt në lidhje me tenderin e titulluar “Asfaltimi i rrugës Pleshine-Kashtanjeve” (nr. prokurimit: 656-23-13993-5-1-1). Ky tender, me një vlerë prej 1,838,675.00 euro, iu dha Grupit të Operatorëve Ekonomik GËRLICA – COMPANY SH.P.K. dhe IPN GROUP SH.P.K., të përfaqësuar nga Bledar Krasniqi dhe Albion Vogliqi, ku gjatë hulumtimit AVONET ka identifikuar se në dosjen e tenderit janë dokumentet, listat e kontratave të nënshkruar nga z. Mifail Vogliqi dhe Licenca e shfrytëzimi me nr. 2097/KPMM/2020 që ka kohëgjatje deri 01.07.2036 dhe Leje për aktivitetet e veçanta me nr. 775/KPMM/2019, ku kjo ka kohëgjatje deri me 07.112024, e lëshuar si pronar i OE “GËRLICA – COMPANY” sh.p.k. Këto dokumente kanë plotësuar kriteret e dosjes së tenderit, duke i dhënë të drejtë grupit të operatorëve ekonomik që të fitojë këtë tender (aktivitet të prokurimit).

Mifail Vogliqi sipas AVONET, ka një aktgjykim të formës së prerë nga GJYKATA THEMELORE NË  GJILAN – Departamenti i Krimeve të Rënda, me nr PKR.nr.125/2021 dhe numrin e  lëndës: 2021:119771 të datës 02.08.2021, përmes së cilës është shpallur fajtor për kryerjen e veprës nga neni 415 i KPRK-së, në cilësi të pronarit  të operatorit ekonomik “Gerlica Company” – SHPK me seli në fshatin Babush, të  Komunës së Ferizajt, me vetëdije të plotë ka shkelur rregullat e Ligjit për Prokurim  Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe ndikimit tek  autoriteti kontraktues, në atë mënyrë që ka paraqitur dokumentcion të rremë, e që me  këto veprime ka kryer veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim  publik nga neni 415 paragrafi 1. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ( në tekstin e  mëtutjeshëm KPRK-s ) dhe është denuar.

Poashtu KRPP-ja ka dhënë intepretimit me datën 22.11.2022, ku thuhet që sipas paragrafit 3 nën paragrafëve 3.1-3.6 të nenit 65 të LPP-së të lartë cituar, asnjë Operator Ekonomik, drejtues, menaxher ose drejtor i saj nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose ekzekutim të kontratës në çoftë se i njëjti është shpallur fajtorë nga ndonjë gjykatë kompetente gjatë 10 viteve të kaluara nga data e publikimit të Njoftimit për Kontratë, ose dërgimit të ftesës për pjesëmarrje për njërën nga  veprat penale apo civile të përcaktuara me këtë nen.

Reklama e sponzorizuar

Meqenëse sipas nenit 65 të LPP-së, Operatori Ekonomik (ndonjë punonjës, drejtues, menaxher ose drejtor i OE) nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet prokurimi ose të marrë pjesë në ekzekutimin e kontratës, atëherë kjo duhet të kuptohet se edhe nëse një OE shpallet fajtor pas datës së publikimit të Njoftimit për Kontratë, i njëjti nuk mund të shpallet fitues dhe të nënshkruaj kontratën sepse i njëjti nuk mund të marrë pjesë në ekzekutimin e kontratës. Por kjo duket se nuk ka qenë e rëndësishme për operatorin ekonomik në fjalë.

AVONET dyshon se përfaqësuesit e këtij grupit të operatorëve ekonomik të përfaqësua nga Bledar Krasniqi (GËRLICA – COMPANY me nr. unik 810305616 ) dhe Albion Vogliqi (GËRLICA – COMPANY, me nr. unik 812025030) kanë bërë veprime të kundërligjshme të cilat janë të sanksionuara me ligjet pozitive të Republikës së Kosovës, për faktin se kanë mashtruar Komunën e Ferizajt duke nënshkruar deklaraten nën betim dhe duke e shkelur Ligjin mbi Prokurimin Publik në Kosovë (Ligji Nr. 04/L-042), si dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës (Ligji Nr. 06/L-074, neni 415 dhe neni 383), ku me rastin e ofertimit nuk e kanë njoftuar Autoritetin Kontraktues se Mifail Vogliqi është i denuar, sepse listat e kontratave të nënshkruar nga z. Mifail Vogliqi dhe Licencë shfrytëzimi me nr. 2097/KPMM/2020 që ka kohëgjatje deri 01.07.2036 dhe Leje për aktivitetet e veçanta me nr. 775/KPMM/2019, ku kjo ka kohëgjatje deri me 07.112024, e lëshuar si pronar i OE “GËRLICA – COMPANY” sh.p.k. Këto dokumente kanë plotësuar kriteret e dosjes së tenderit, duke i dhënë të drejtë grupit të operatorëve ekonomik që të fitojë këtë tender.

AVONET kërkon që organet kompetente nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës të ndërmarrin veprime hetimore urgjente lidhur me këto të gjetura. Gjithashtu, kërkojnë që Komuna e Ferizajt të anulojë këtë kontratë të dyshimtë dhe të iniciojë procedurat për përgjegjësinë ligjore siç parasheh LPP.

Sipas AVONET, transparenca dhe llogaridhënia duhet të mbeten parime themelore në të gjitha nivelet e qeverisjes. Këto veprime janë shkelje të rënda që dëmtojnë besimin dhe transparencën në procedurat e prokurimit publik, andaj si të tilla duhet të ndërprehen dhe parandalohen sa më shpejt.