Çmimet destabilizuese në Kosovë

Fotografi ilustruese

Po të krahasohen çmimet e dhjetëra produkteve ushqimore, dhe të disa produkteve të higjienës, Kosova lë prapa shumë vende europiane dhe të gjitha shtetet e rajonit thuaja se, përkundër të dhënave se të ardhurat për frynmë në vendin tonë janë ndër më të fundit në Europë.

Mehmet GJATA

Kosova ka vite, e sidomos që nga paraqitja e pandemisë COVID 19 dhe shpërthimi i luftës në Ukrainë, ka ecur me hapa të shpejtë në ngritjen e çmimeve të të gjitha produkteve, madje, te disa sosh ka kapur dhe ka tejkaluar nivelin e çmimeve në Europë. Ndërkohë, që ka mbetur në vendnumëro në nivelin e mirëqenies, që është determinuar kryekëput nga shpërputhja e thellë e çmimeve astronomike me nivelin e të ardhurave, pagave të ulëta dhe pensioneve pakrahasimisht edhe me shtetet fqinje, poashtu të cilësuara nga statistikat e institucioneve kompetente të botës, si vende me paga të ulëta.

Reklama e sponzorizuar

Sipas disa të dhënave, çmimet e ushqimeve në Kosovë, në fund të vitit të kaluar ishin diku rreth 80 për qind e mesatares në BE, ndërkohë që edhe tani në nëntë muajt e shkuar të 2024-tës, nuk është se ka ndryshuar shumë ky raport. Madje, po të krahasohen çmimet e produkteve ushqimore, Kosova lë prapa disa vende europiane dhe të gjitha shtetet e rajonit thuaja se, përkundër të dhënave se të ardhurat për frynmë në vendin tonë janë ndër më të fundit në Europë.

Ka kohë, që në Kosovë çmimet e disa produkteve ushqimore, sidomos të produkteve me origjinë nga qumështi, dhe disa sosh të higjienës, janë ndjeshëm më të larta se në Gjermani, Francë, apo Itali. Dhe këto çmime, nuk është se po ndalen apo se po ulen siç po ndodhë në shumë vende të botës, përkundrazi, çmimet në Kosovë, nuk ka javë e muaj, që nuk ngriten. Ngritja e egër e çmimeve po ndodhë edhe tani, edhe në muajt e verës, kur nga të dhënat që publikohen në medien ndërkombëtare, por edhe në raporte të ndryshme statistikore të institucioneve prestigjioze të shumë shteteve, shihet qartë se në mbarë botën, në periudhën e deritashme të këtij viti, sikundër qysh është paralajmëruar, kanë nis të shënohen trende të prekshme të uljes së çmimeve të shumicës dërrmuese të produkteve (të energjisë elektrike, të disa produkteve elementare ushqimore, të patundshmërive dhe të shumë mallrave industriale).

Edhe sipas statistikave më të fundit të Entit të Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e konsumit në muajin korrik në vendin tone shënuan një ngritje prej 2.2%. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, këtë vit, sipas të dhënave të ASK-së, bie fjala, biletat e fluturimeve dhe udhëtimit janë shtrenjtuar për 22 për qind. Edhe kafja, çaji, pijet alkoolike, lëndët djegëse shënuan rritje të çmimeve në fund të korrikut.

Me fjalë të tjera, në Kosovë, çmimet e të të gjitha produkteve, por edhe shërbimeve, në një farë mënyre, kanë qenë në “rënie të lirë” dhe fare jashtë kontrollit. Pak kush është marrë me to me seriozitetin e kërkuar dhe me përmasat e pasojave të shkaktuara nga rritja e egër dhe e vazhdueshme e çmimeve nga tregtarët abuziv në disa vitet e fundit. Kanë munguar në të shumtën e rasteve edhe analizat më komplekse dhe më të gjithanshme edhe të dikastereve përkatëse, edhe të ekspertëve për të elaboruar shkaqet pse në Republikën tonë dhe më tutje vazhdojnë të ngriten, thuaja shumica e produkteve, edhe të atyre të shportës, edhe produktet e higjienës, edhe produktet të tjera të shumta. Dhe pse tregtarët e Kosovës nuk ndiejnë për tendenca dhe trende ulje çmimesh në botë, por, gjithnjë gjejnë ndonjë pretekst, qoftë edhe inekzistent, për të pasur çmime të reja të ngritura. Siç dihet, fillimisht, pretekst për ngritjen e vrullshme të çmimeve për tregtarët e këtushëm ishte pandemia, pastaj një pretekst tjetër dhe një valë e re ngritjesh të egra çmimesh ndodhi me nisjen e luftës ruso-ukrinase. Dhe nuk u ndalën pretekstet për ngritje çmimesh.

Një periudhë si shkas të çmimeve stratosferike të reja për shumë produkte, sidomos për produkte industriale me origjinë nga Kina, tregtarët e Kosovës, e merrnin krizën e shpërfaqur në Detin e Kuq, si pasojë e sulmeve të rebelëve të Huthit kundër anijeve të ndryshme tregtare dhe të transportimit të mallrave nga Lindja e Largët. Dhe, prandaj në Kosovë nuk vlejtën dhe vazhdojnë të mos vlejnë edhe më tutje trendet e uljes, as të ngadalësimit të rritjes së çmimeve, të ndodhura në shumë vende të botës. Prandaj, paraqiten çmime të reja të rritura ndjeshëm te shumë produkte ushqimore, madje edhe nga ato elementare (hiç disa nga perimet, që në këto javët e fundit kanë një ulje evidente).

Sipas vlerësimeve të njohësve të ecurive të çmimeve, edhe çmimi i ushqimit, të të gjitha llojeve, praktikisht në lokalet kur gatuhet ushqim në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera të Kosovës, është ngritur për 20 deri në 30 për qind.

Edhe në sektorin e ndjeshëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në standardin e qytetarëve, sidomos të atyre të moshuarëve, siç është ai i produkteve medicinale (lexo: ilaqeve) çmimet janë ngritur vazhdimisht. Me çmimet e barnave në Kosovë, me rritjen e shpeshtë të çmimeve të tyre edhe disa herë, patën fare pak efekt premtimet e autoriteteve se do të vendoset një rend edhe në tregtimin e produkteve medicinale, ndërkohë që tregtarët e barnave, ka vite që dëshmohen të shkathët, shfrytëzues të padiskutueshënm të situatave stihike dhe kaotike në tregun kosovar të barnave dhe përfitues, po kështu, të zotët në situatat e krijuara në këtë sektor si pasojë e lënies pasdore nga institucionet dhe të gjithë të tjerët.

Në një mbledhje të Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës (në fillim të qershorit të këtij viti), ku u diskutua për Listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës, u shpërfaqën të dhëna të frikshme ngritje çmimesh të barnave dhe lënie të barnave të shumta jashtë listës zyrtare të çmimeve të barnave. Në këtë mbledhje u dëgjuan zëra se rreth 40 për qind të barnave kanë mbetur jashtë Listës zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, dhe rritje të çmimeve të disa barnave për 50 për qind dhe 300 për qind në disa produkte të tjera medicinale.

Siç u tha më lartë, ky trend i ngritjeve të çmimeve nuk po ndalet dhe ka vazhduar tash e një kohë më të gjatë. Tani, sektori i çmimeve në vend është bërë thuaja me përmasa të gjendjes kaotike dhe goxha destabilizuese të mirëqenies dhe gjendjes sociale të kosovarëve shumicë të varfër. Thënë shkurt, çmimet stratosferike të të gjitha produkteve, veçmas të atyre ushqimore elementare, në Kosovë reflektohen tejdukshëm, sidomos në ç’ekulibrimin e gjendjes sociale të një numri të madh qytetarësh, në mirëqenien e tyre, në futjen borxh të shumë familjeve të banka komerciale me kredi të mbijetesës dhe në varfërimin gjithnjë e më evident të kosovarëve. Ndërsa, çmimet e larta të barnave, të shërbimeve dhe produkteve të tjera medicinale reflektojnë drejtpërdrejt në mbijetesën e mijëra të moshuarve kosovarë. Sidomos e kanë të vështirë të sigurojnë ilaqet e domosdoshme pensionistët e Kosovës, rreth 150 mijë me pensione të pleqërisë prej 100 eurosh, pensionet e të cilëve nuk janë rritur që nga 2016-ta (hiç dy –tre “infuzione financiare” prej 100 eurosh nga Qeveria). Prandaj, çmimet enorme të larta dhe jashtë çdo logjike të tregut janë bërë destabilizuese dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në luhatjen e gjendjes sociale të Kosovës, edhe ashtu, ndër vendet më të varfëra në rajon dhe përtej. /Buletini Ekonomik