Çmimi i një metri të druve këto ditë, po sillet nga 50, 55 dhe shumë-shumë 60 euro. Ky çmim, është më i ulët se sa çmimi i druve gjatë vitit të kaluar, kur një metër dru, në Prishtinë, por edhe në shumë qendra të tjera komunale, ka kushtuar saktësisht 70 deri në 75 euro.
Buletini Ekonomik
Një metër dru, aktualisht, në tregjet e druve në kryeqytet, në prag të vjeshtës dhe në nisje të ditëve të freskëta, që karakterizohen edhe me temperatura të ftohta, kushton nga 50, 55 dhe shumë-shumë 60 euro. Këto dru, për blerësin eventual nga drushitësi, shkurtohen dhe transportohen deri në shtëpi me të njëjtin çmim. Ky çmim, është më i ulët se sa çmimi i tregtimit të druve gjatë vitit të kaluar, kur një metër dru, në tregjet e druve në Prishtinë, që veçohet me ofertë të shumtë të druve edhe cilësore, ka kushtuar saktësisht 70 deri në 75 euro. Saktësisht, më 14 korrik 2023, sipas evidencave të Buletinit Ekonomik, një metër dru kushtonte hiç më pak se 70 euro. Pothuajse i njëjti çmim i druve ka qenë edhe në një periudhë disa mujore të vitit 2022, gjegjësisht në muajin nëntor, në ditët kur kishte arritur të ftohtit dhe kur temperaturat e ulëta ishin bërë të zakonshme në prag të dimrit të pritshëm.
Një prishtinas i moshuar, i cili rëndom furnizohet në këtë periudhë të vitit me sasinë e nevojshme të druve dhe që tashmë është mësuar me vrojtimin e ecurive të lëvizjeve të çmimeve të druve, i ka thënë të hënën Buletinit Ekonomik se “nuk po i ngutet për t’i blerë drutë’, sepse tregjet e druve në Prishtinë janë të stërmbushura me dru, por edhe çmimi është goxha më i ulët se sa në vitin e kaluar”..
“Sivjet edhe në muajt e verës, kur rëndom deri më tani çmimi i druve ka qenë më i ulët, një metër dru, bung dhe qarr, të cilësisë së mirë, ka pasur pothuaj këtë çmim 50-55 euro metri. Drutë e ahut, edhe tani, edhe gjatë verës për 5 deri 10 euro kushtojnë më lirë se sa ato të bungut dhe të qarrit”, thotë ai për Buletinin Ekonomik.
“Ky çmim i druve, sikur balancon çmimin e ngrohjes së shtëpive me dru me atë të ngrohjes me rrymë”, thotë një tjetër prishtinas, që pyeste për çmimin e druve te shumë druvarë dhe tregtarë të tyre po atë ditë.
Sipas tij, me çmimet e ulura të druve, nuk është çudi që shumë qytetarë që në vitin e kaluar u orientuan në ngrohjen e shtëpive të tyre me rrymë, t’u kthehen sërish druve për ngrohje. Njëri nga druvarët që me vite tregton drutë në Prishtinë, duke kërkuar anonimitetin, shprehet i sigurtë për Buletin Ekonomik se çmimi aktual është i përkohshëm dhe, sipas tij, shumë shpejtë do të ngritet sërish. Në çmimin e druve, thotë ai, në muajt në vazhdim do të ndikojë mungesa evidente e druve në malet rreth e qark Prishtinës, prej nga gjithmonë është furnizuar tregu i kryeqytetit, por edhe mungesa e fuqisë punëtore për të përgatitur drurin për treg.
“Nuk ka punëtorë sivjet. Askush nuk vie në mal. Ndonjë punëtor që shprehet i gatshëm ta bëjë këtë punë kërkon shumë para, dhe nuk ka llogari ta paguajmë aq sa kërkon”, thotë ai.
Ndërsas, sipas, analistëve të tregut, në uljen e çmimit të druve, domosdo që ka ndikuar “mbështetja e konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje” nga ministria e Ekonomisë. Shumë qytetarë, duke shfrytëzuar ndihmën financiare të ofruar nga ministria për të blerë ngrohëse efiçiente, kallda me biomasë, pompë termike si dhe stufë individuale me biomasë, që vjet janë subvencionuar, do të subvencionohen edhe këtyre ditëve nga fondet që janë siguruar nga Bashkimi Evropian. Siç dihet, për kallda me biomasë vlera e subvencionit do të jetë 70%, apo deri në 1,200 euro, për klimë do të jetë 40% e vlerës apo deri në 400 euro, për pompë termike deri në 2 mijë euro, ndërsa për stufë individuale me biomasë deri në 435 euro. Sipas kryeministrit Kurti, në këtë mënyrë “janë përkrahur rreth 40 mijë familje”. /Buletini Ekonomik/