Kalon në parim Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë në Komisionin për Legjislacion

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka kaluar në parim Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Haxhiu, ka thënë se të mërkurën para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion e ka prezantuar projektligjin me fokus ndryshimet që lidhen me adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Sot, përpara anëtarëve të Komisionit për Legjislacion prezantova projektligjin për Byronë me fokus ndryshimet që ndërlidhen me adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, siç janë retroaktiviteti, periudha e verifikimit, komisioni mbikëqyrës dhe ndarja e pushteteve. I falenderoj anëtarët e Komisionit për diskutimet dhe votimin e këtij projektligji të rëndësishëm që ka për qëllim ndjekjen e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

Ky ligji kaloi në Kuvendin e Kosovës me 9 shkurt të vitit të kaluar, mirëpo pas dërgimit nga Partia Demokratike e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësim të kushtetutshmërisë, u shpall i pavlefshëm më 29 korrik të këtij viti.

Me këtë ligj rregullohet mënyra dhe procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, si dhe themelimi, organizimi dhe kompetencat e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme./teve1.info/