Saktësisht, 61% e kosovarëve janë shprehur se preferojnë të jetojnë ose punojnë në Bashkimin Europian. Sipas rezultateve të anketës nga “Barometri i Ballkanit 2024” (realizuar më 2024 me 1 mijë të anketuar gjithsej), 20 për qind e kosovarëve janë deklaruar se janë në përpjekje për të ikur, për ta braktisur vendin. Edhe Shqipëria rangohet lartë në listën e vendeve me dëshirën më të madhe për emigracion.
Buletini Ekonomik
Sipas të dhënave të publikuara nga “Barometri i Ballkanit 2024”, Kosova kryeson në listën e vendeve, qytetarët e së cilës preferojnë të jetojnë e punojnë në shtetet e Bashkimit Europian.
Saktësisht, 61% e kosovarëve janë shprehur se preferojnë të jetojnë ose punojnë në Bashkimin Europian. Sipas rezultateve të anketës nga “Barometri i Ballkanit 2024” (realizuar më 2024 me 1 mijë të anketuar gjithsej), 20 për qind e kosovarëve janë deklaruar se janë në përpjekje për të ikur, për ta braktisur vendin.
Të dhënat e “Baromteri i Ballkanit”, tregojnë se edhe Shqipëria rangohet lartë në listën e vendeve me dëshirën më të madhe të qytetarëve për emigracion, ku një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit për pesë vitet e ardhshme, duke e bërë Bashkimin Europian destinacionin më të preferuar. Në vitin 2024, sipas anketës, rreth 50% e shqiptarëve janë shprehur se preferojnë të shkojnë për të jetuar në një nga vendet e Bashkimit Europian, duke e renditur Shqipërinë si vendin e dytë (pas Kosovës) me përqindjen më të lartë në rajon për këtë preferencë.
Ndërkohë, 31% e shqiptarëve kanë shprehur dëshirën për të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një shifër e konsiderueshme krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Nga ana tjetër, vetëm 11% e qytetarëve shqiptarë preferojnë të jetojnë dhe punojnë në Ballkanin Perëndimor, duke treguar një interes relativisht të ulët për këtë rajon si destinacion. Kurse 16 për qind e shqiptarëve të anketuar, janë deklaruar se janë në proces përgatitjeje për t’u larguar nga Shqipëria.
Nga anketa e “Barometri i Ballkanit 2024” mësohet se edhe për preferencat e shtetasve të vendeve të tjera të rajonit për të ikur nga vendet e tyre. Kështu, në Malin e Zi, 44 për qind të qytetarëve janë shprehur se preferojnë të ikin nga vendi i tyre, në Bosnjë e Hercegovinë ka një përqindje të ulët të qytetarëve që preferojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara me vetëm 18%, ndërsa Mali i Zi ka përqindjen më të lartë për këtë destinacion me 32%. Ndërsa, Serbia tregon një interes më të ulët për Bashkimin Evropian, krahasuar me Shqipërinë dhe Kosovën.
Nga ana tjetër, 36% e malazezëve kanë shprehur dëshirën për të jetuar apo punuar në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u renditur kështu në vendin e parë mes popujve tjerë të marrë në studim. Ndërsa një vit më parë, përgjigjet e shqiptarëve në “Barometrin e Ballkanit 2023” tregojnë se 49% e tyre shprehën gatishmërinë për të jetuar dhe punuar jashtë vendit. Kjo përqindje ishte më e lartë se mesatarja e rajonit, që ishte 44%. Ky rezultat nënkupton që për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, emigrimi shihet si një mundësi për një jetë më të mirë.
Ndërsa, sipas të dhënave të ndryshme, brenda 4 vjetëve nga Kosova janë larguar më shumë se 156 mijë banorë, që në përqindje i bie 8.85% e popullsisë së vendit. Është vlerësuar se deri në fund të vitit 2022, mbi 949 mijë banorë të Kosovës jetojnë jashtë vendit.
Në të dhënat e publikuara së fundmi nga Ministria e Punëve të Brendshme, “Migrimi 2018-2022”, thuhet se nga kërkesat e shtetasve të Kosovës për t’u pajisur me vizë të zonës Shengen, 84 për qind prej tyre ishin pozitive, derisa 16 për qind janë refuzuar. Gjithashtu në raport thuhet se numri i shtetasve kosovarë me leje-qëndrime për herë të parë në vendet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, ka vazhduar të rritej.
“Kërkesat e përgjithshme për viza Schengen nga shtetasit kosovarë në misionet diplomatike dhe konsullore të shteteve anëtare të BE-së dhe në zonën Schengen, të akredituara në Republikën e Kosovës dhe vendet e rajonit, gjatë periudhës 2018 – 2022, ka shënuar rritje prej rreth 16.2%, krahasuar me periudhën e kaluar. Nga numri i përgjithshëm i kërkesave për viza Schengen, 84% ishin pozitive, ndërsa 16% u refuzuan”, bëhet e ditur në raport.
Numri i qytetarëve që u pajisën me leje-qëndrime u rrit për 38.3% këtë periudhë, e që shumica prej tyre ishin me bashkim familjar, 46%, dhe 36% me punësim, e rastet më të shumta janë në Gjermani, Slloveni dhe Kroaci.
“Gjatë periudhës së referencës, numri i shtetasve kosovarë me leje-qëndrime për herë të parë në vendet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, ka vazhduar të rritej. Krahasuar me periudhën e kaluar, dhënia e leje-qëndrimeve të para u rrit prej rreth 38.3%”.
Rreth dy të tretat e shtetasve të Kosovës që kanë leje të parë të qëndrimit të vlefshëm në vendet anëtare të BE-së qëndrojnë në Gjermani, Slloveni dhe Kroaci. Ndërsa në vitin 2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 4,792 persona, kurse 62 janë refuzuar për mos plotësimin e kritereve ligjore. Nga 4,792 personat të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës në vitin 2022, të dhënat tregojnë se 4,211 (88%) janë nga Gjermania, 419 (8.7%) nga Austria, 71 (1.5%) nga Sllovenia dhe 91 (1.8%) nga shtetet e tjera.
Gjithsesi, pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, numri i kosovarëve që kanë ikur nga vendi, është ndjeshëm më i madh. Dihet, në bazë të kritereve të udhëtimit pa viza në shtetet e zonës Shengen, kosovarët të cilët kanë braktisur vendin, detyrimisht pas një kohe kthehen, pastaj prap shkojnë në perëndim, varësisht se si kanë siguruar vende pune. /Buletini Ekonomik/