Është lansuar platforma digjitale për sektorët e teknologjisë së komunikimit, Agrobiznesit dhe përpunimit të drurit. Projekti i mbështetur nga USAID, ka integruar të dhëna nga burime të Doganave, Bankës Qendrore të Kosovës e ATK-së.
USAID dhe IREX lansuan platformën digjitale për sektorët e teknologjisë së komunikimit, të agrobiznesit dhe përpunimit të drurit. Kjo platformë ofron të dhëna gjithëpërfshirëse për këta sektorë, duke integruar të dhëna nga burime si Dogana, Banka Qendrore e Kosovës, Administrata Tatimore, Ministria e Arsimit dhe KosovaJob.
“Ky është një moment historik, ndoshta për disa, ndoshta për disa jo, por dua të them se të dhënat janë boshti kurrizor i vendimmarrjes së mirë. Jam i ngazëllyer ngase fokusi ynë është te sektorët kryesorë, te bizneset dhe përpunimi i drurit”, tha Alexander Albertine nga USAID-i
“Këto platforma që ne po prezantojmë sot janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat dhe institucionet …. që synojnë dhe forcojnë kapacitetet tona për të mbështetur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, u shpreh Agon Dobruna, Zëvendësministër i Financave.
“Kjo platformë e paraqet një analizë të fuqisë punëtore për të tre sektorët, në këtë rast për sektorin e përpunimit të drurit në Kosovë. Platforma si e tillë ka informacione të shumta për kërkesën dhe për ofertën“, tha Donika Maqastena, menaxhere e angazhimit të sektorit privat.
Gjithashtu, kjo platformë u mirëprit nga sektori privat.