Ndërpritet seanca ndaj Nagip Krasniqit, avokati kërkon qasje në dokumentet e prokurorisë

Me kërkesë të palës mbrojtjes, është ndërprerë seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në një prononcim për Telegrafin avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga ka thënë se prokurori i rastit nuk i ka ofruar të gjitha dokumentet që i posedon në lidhje me këtë rast.

Sipas tij, përderisa si avokat nuk ka qasje në të gjitha dokumentet që i posedon prokurori seanca nuk mund të mbahet.

Reklama e sponzorizuar

“Seanca është ndërprerë pasi prokurori nuk i ka zbardh të gjitha dokumentet dhe nuk i ka dhënë qasje në të gjitha dokumentet mbrojtjes, dhe përderisa mbrojtja nuk ka aksesë në të gjitha dokumentet, seanca nuk mund të mbahet”, Ibrahimaga.

Sipas tij, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 8.10.2024.

Ndryshe, Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), sipas Dosjes se Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), akuzohet se KEK-ut i ka shkaktuar dëm mbi 3.2 milionë euro dhe mbi 500 mijë euro shmangie tatimore në dem të Republikës së Kosovës.

Krasniqi, po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së ngritur, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në aktakuzë thuhet se, operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.

Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.