Rama kërkon mbështetjen e nivelit qendror për transformimin e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka organizuar të premten Konferencën e Dytë për Investitorë “Prishtina 2030”, ku u prezantuan projekte infrastrukturore për transformimin e Kryeqytetit

E për ta bërë këtë transformim, niveli lokal kërkoi mbështetje edhe të nivelit qendror, pasi interesimi i investitorëve është i madh.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se prezantimet e projekteve të transformimit janë të nevojshme dhe se ka pasur interes të madh të investitorëve vendor dhe të huaj.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, për te gjitha këto projekte te mëdha, Rama tha se do te duhet edhe mbështetje nga niveli qendror për të mirën e qytetarëve.

“Është një ditë monumentale për kryeqytetin. Para nëntë muajve kemi pasur konferencën e parë ku kryeqyteti ka prezantuar projektet e transformimit të cilat janë të nevojshme. Kemi pasur shumë interes të investitorëve vendor dhe nga jashtë te cilët kanë treguar gatishmërinë e tyre. Kemi dashur te gjitha këto projekt-propozime të prezantohen sa më mirë. Kemi arritur me tërheq vëmendjen dhe me ngrit një besim që në kryeqytet po ndodhin gjëra të mira të mëdha dhe transformuese. Prandaj kjo tërheqje e investitorëve ka qenë edhe një qëllim e të gjithave qeverive të mëparshme dhe kjo tregon një siguri në vendin tonë për të ardhmen tonë. Transformimi i kryeqytetit është një punë e madhe dhe jo e lehtë, kam shpall vizionin tim për kryeqytet dhe bashkë me juve po e realizojmë transformimin e kryeqytetit”, u shpreh Rama, teksa përmendi disa nga projektet infrastrukturore që pritet të ndodhin.

“Një prej projekteve më të mëdha është rruga ‘Xhim Xhema’ apo Rruga ‘A’ që tashmë po bëhet realitetet. Po ashtu projekt i madh është vazhdimi i sheshit ‘Nëna Tereza’, ‘Zahir Pajaziti’ deri në sheshin ‘Xhorxh Bush’. Po ashtu po ndërtojmë shkolla të reja, kemi projekte të reja, por te gjitha këto nuk mjaftojnë sepse edhe investitorët kanë dëshirë me jetu në kryeqytet, vijnë e zgjedhin Prishtinën si vend unik. Duhet edhe ndihma e nivelit qendror në mbështetje sepse ka nevojë investimet janë multimilionëshe dhe nuk i mbulon buxheti i tanishëm”, deklaroi Rama.

Drejtori i BERZh në Kosovë, Sergey Maslichenko, tha se gjatë kohës që është në vendin tonë ka investuar 50 milionë euro.

Po ashtu ai njoftoi se ka porositur 30 autobus elektrik në kryeqytet te cilët vijnë vitin e ardhshëm.

“Ne po bëjmë shumë për Kosovën dhe për kryeqytetin e Prishtinës, kemi 50 milionë euro te investuar por mund të bëjmë edhe më shumë. Prishtina është pjesë e një qyteti të gjelbër dhe ne i përkrahim këto projekte në gjithë botën. Ne dëshirojmë të bëjmë shumë kemi porositur 30 autobus elektrik dhe shpresojmë që vitin tjetër do të vijnë. Ne jemi duke bërë një program për të çliruar pak kryeqytetin. Ne gjithashtu e kemi përkrahur kryeqytetin sa i përket që të kemi edhe izolimin e ndërtesave publike kemi një projekt disa milionësh, dëshirojmë që të vazhdojmë edhe më tutje më projekte në të ardhmen. Një prej projekteve është Unaza E Prishtinës BERZH ka investuar afër 1 milionë euro, ky projekt  është i nevojshëm. NË Kosovë i duhet në te ardhmen që të mbyllin ndotësit e ajrit, por mund të bëjmë më shumë. Pika kyçe për të sjellë investitorë të ri është përmirësimi i infrastrukturës”, tha Maslichenko.