Sipas Indeksit të Lirisë Ekonomike për vitin 2024, të publikuar nga “Heritage Foundation”, Shqipëria rangohet në vendin e parë në rajon, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi në fund të listës.
Rezultati i lirisë ekonomike në Shqipëri vlerësohet në 64.8 pikë, duke e renditur kështu në vend të 48-të, nga 176 vende në total, në Indeksin e Lirisë Ekonomike për vitin 2024, i publikuar nga “Heritage Foundation”. Vlerësimi është ulur me 0.5 pikë nga viti i kaluar, dhe Shqipëria renditet e 27-ta nga 44 vende në të gjithë rajonin e Europës, ka raportuar Scan tv.
Sipas të dhënave, rezultati i lirisë ekonomike në Shqipëri është më i lartë se mesatarja botërore, por më i ulët se mesatarja europiane.
Ekonomia e Shqipërisë konsiderohet nga raporti si vend “mesatarisht i lirë”. Llogaritja e këtij treguesi bazohet në katër shtylla kryesore që lidhen me kornizat ligjore, qeverisjen, tregun e hapur dhe efiçiencën.
Sipas raportit, Shqipëria ka performuar më mirë sa i përket tregut të hapur dhe rregullatorit të efiçiencës. Ndërkohë, nga ana tjetër, probleme vërehen në aspektin ligjor. Rezultati relativisht i ulët i Shqipërisë vërehet për të drejtat e pronësisë dhe është kryesisht rezultat i ndërhyrjes politike në gjyqësor që përkeqësohet nga korrupsioni i vazhdueshëm.
Efikasiteti i sistemit rregullator është lehtësuar nga një thjeshtësim i gjerë i procedurave të biznesit, ndërsa investimet e huaja direkte paraqiten në nivele të kënaqshme vitet e fundit duke prekur rekorde.
Nëse e krahasojmë Shqipërinë me vendet e rajonit shohim se kryesojmë renditjen. Pas Shqipërisë vjen në renditje Serbia, pasuar nga Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi, siç u tha më lartë janë në fund të renditjes. /Buletini Ekonomik