Shtatori zbeh të dhënat e Eurostatit se “Kosova në gusht kishte rritjen më të ulët të çmimeve në Ballkan”

Fotografi ilustruese

Në shtator, krahasuar me muajin gusht, janë ngritur ndjeshëm çmimet e shumë produkteve ushqimore, dhe ndër to edhe më tutje në krye të listës së çmimeve shumë të larta renditen çmimet e produkteve bujqësore dhe atyre elementare ushqimore, të nevojshme për ditë dhe në çdo kohë në familjet e kosovarëve.

Buletini Ekonomik

Pavarësisht se sipas të dhënave të Eurostatit, Kosova në muajin gusht kishte rritjen më të ulët të çmimeve në Ballkan, me 1,4 për qind (Serbia prin me rritjen e çmimeve 4.4 për qind, pastaj në vend të dytë rangohet Maqedonia e Veriut me 3.1 për qind, më pas Shqipëria me 2.4 për qind, e katërta renditet Mali i Zi me 2 për qind, e më pas Bosnja e Hercegovina 1.8 për qind), çmimet e të gjitha produkteve në Kosovë në shtator janë realisht shumë të larta dhe me tendencë të ngritjes së vazhdueshme. Sidomos, janë të larta çmimet e produkteve ushqimore, dhe ndër to edhe më tutje në krye të listës së çmimeve shumë të larta renditen çmimet e produkteve elementare ushqimore, të nevojshme për ditë dhe në çdo kohë në familjet e kosovarëve.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, po sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Statistikave (Eurostat), dhe si për ironi, Kosova del të jetë ndër vendet që ka normën më të ulët të të anketuarve që janë përgjigjur se janë plotësisht të pakënaqur me nivelin e çmimeve në vendin e tyre. Sa i përket mesatares së rajonit, rreth 46% prej totalit të të anketuarve nuk janë të kënaqur me çmimet, ndërsa 9% prej tyre janë kryesisht dhe plotësisht të kënaqur. Sidoqoftë, sipas të dhënave më të fundit të Barometrit të Ballkanit të publikuar pak ditë më parë nga “Këshilli për Bashkëpunimit Rajonal”, duket se shqiptarët dhe malazezët janë më të kënaqurit në rajon sa i përket nivelit të çmimeve.

Të pyetur se sa të kënaqur janë me nivelin e çmimeve në vendin e tyre, rreth 14% e të aketuarve në Shqipëri janë përgjigjur që janë të kënaqur. Ndërkohë, këtë përgjigje kanë dhënë edhe 18% e të anketuarve në Malin e Zi. Edhe pse një shifër e ulët ndaj totalit të të anketuarve, sërish Shqipëria dhe Mali i Zi kryesojnë rajonin me numrin më të lartë të optimistëve.

Nga ana tjetër, 41% e të anketuarve në Shqipëri janë shprehur se janë plotësisht të pakënaqur me nivelin e çmimeve, ndërsa 31% prej tyre janë kryesisht të pakënaqur. Duhet thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria që regjistronin edhe përqindjet më të larta të personave të kënaqur nga niveli i çmimeve, në muajin gusht të këtij viti kanë patur edhe normën më të ulët të rritjes së çmimeve në rajon. Këto janë të dhënat zyrtare të Eurostatit, dhe po të analizohen paksa më detajisht, nga gushti deri tani në fund-shtator, ka kaluar saktësisht një muaj dhe në këtë periudhë në Kosovë kanë ndodhur shumë ngritje të reja çmimesh, sidomos të produkteve ushqimore, dhe veçmas në mesin e tyre të produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve), dhe këto ngritje çmimesh kanë qenë enorme të mëdha, madje në raste kanë tejkaluar edhe dyfish çmimin e regjistruar në gusht.

Bie fjala, menjëherë pas gushtit, që në fillim të shtatorit, një kilogram i spinaqit, nga 50,80 e 1 euro, është ngritur në 4, 5 madje edhe 6 euro, një kilogram i fasules cilësore tani ka çmimin 8 e 9 euro, domatja, sivjet shumë e pranishme në tregjet tona dhe me çmime të pranueshme gjatë gushtit (60-70 centë kilogrami), në shtator, çmimi i saj shkoi në 1 dhe në 1,5 euro për një kilogram.

Janë shtrenjtuar tani edhe pemët, thuaja të gjitha llojet, edhe perimet e tjera po ashtu, shumica e tyre, pos qepëve.

Në markete dhe supermarkete, në këtë muaj, siç pohojnë vrojtues të tregut dhe njohës të rrethanave të ecurive të çmimeve, kanë ndodhur ngritje çmimesh të shumë produkteve industriale, sosh të higjienës dhe të produkteve që kanë burim bazën e qumështit.

Në anën tjetër, qytetarët krahas ankesave për çmime të larta, kanë vërejtje të shumta vazhdimisht edhe për keqpërdorime dhe abuzime të shumta dhe lloj-llojshme brenda për brenda ambienteve tregtare. Ankohen për manipulime dhe shitje të produkteve me afate të skaduara, me mospërputhje të çmimeve në rafte me çmimet në arkë, me cilësinë diskutabile të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore. Kurse, asociacionet e ndryshme, OJQ që merren me të drejtat e konsumatorëve, më shumë shquhen me evidentimin e këtyre parregullsive, se sa me ndonjë efekt në parandalimin e abuzimeve të tejdukshme. Këto asociacione vazhdojnë të konstatojnë se një nga shkaqet e forta të manipulimeve dhe abuzimeve të tregtarëve, ende sot e kësaj dite, është mungesa e inspektorëve dhe kapacitetet e limituara njerëzore.

Zhvillime anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çrregulluara dhe jo normale në këtë sektor, kanë qenë shumë të pranishme në Kosovë (ndër më e varfëra në rajon dhe përtej), sidomos që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, dhe nga nisja e luftës ruso-ukrainase. Që nga kjo kohë, rreth 2 -3 vjet e më shumë në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar anarkia, kaosi, anashkalimi dhe mospërfillja e shkakut dhe të pasojave të daljes jashtë kontrollit të ecurive të çmimeve. Praktikisht, tregtarët, u dëshmuan se janë të paprekshëm dhe vepruan rreth ngritjes së çmimeve, siç iu tek atyre, edhe në raste krizash, edhe në raste të ditëve më të qeta në tregjet ndërkombëtare, por edhe në tregun e vendit.

Disa nga tregtarët e fuqishëm dhe me produktet e tyre përcaktues evidentë të ecurive në tregun kosovar, shfrytëzuan edhe situatën politike të brishtë në vend, përqendrimin e vëmendjes së institucioneve dhe të subjekteve politike në zhvillimet politike aktuale. Atyre në këto rrethana nuk pati kush t’u dalë përpara. Thjeshtë, shumë tregtarë kosovarë në periudhën e apostrofuar, praktikisht nuk përfillën thirrjet e përfaqësuesve të shtetit, për të respektuar ligjshmërinë e tregut, por edhe tendencat e uljes së çmimeve në botë. Përkundrazi, vazhduan me ngritje thuaja të përditshme enorme të çmimeve të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore. Dhe, çmimet po vazhdojnë të ngriten në Kosovë ende dhe në të gjithë muajt e sivjetshëm, kur, praktikisht, në mbarë botën ka ulje evidente të çmimeve, edhe të produkteve ushqimore.

Praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, u treguan të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave keqpërdoruese, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Dhe për shkak të këtyre fakteve parashikimi i Erurostatit se Kosova në muajin gusht kishte rritjen më të ulët të çmimeve në Ballkan, 1,4 për qind, zbehet, bëhet i diskutueshëm dhe e humb rëndësinë që do ta kishte në secilin vend me ecuri më normale çmimesh. /Buletini Ekonomik