Janë tregtarët në tregje të gjelbra të vendit, që puna shumëvjeçare në tregtimin e produkteve bujqësore tashmë i ka bërë edhe të njohur dhe kanë fituar edhe njëfarë statusi nga konsumatorët për cilësinë e produkteve që tregtojnë, por edhe për sjellje korrekte ndaj klientelës. Sa fitojnë ata dhe sa janë të kënaqur me punën e përditshme të tyre?
Buletini Ekonomik
Në Kosovë, thuaja në të gjitha tregjet e gjelbra, tregtimin e produkteve bujqësore (perimet dhe pemët) fare pak e bëjnë prodhuesit-bujqit dhe fermerët. Janë tregtarët, që për shkak të shumë viteve përvojë në shitjen e produkteve bujqësore, tashmë janë bërë edhe të njohur dhe kanë fituar edhe njëfarë statusi nga klientela për cilësinë e produkteve që tregtojnë, por edhe për sjellje korrekte ndaj konsumatorëve.
Konsumatorët prishtinas, ata që janë bartës të furnizimit të shtëpive të tyre me produkte bujqësore, “symbyllurazi” i dijnë vendet, raftet e këtyre tregtarëve dhe pa më të voglin hezitim shkojnë te raftet e tyre për t’u furnizuar, sidomos me perime. Njëri nga këta tregtar është edhe një 44 vjeçar, kaherë banor i kryeqytetit por me origjinë nga një fshat i Llapit. Ai flet lirshëm me reporterin e Buletinit Ekonomik, për punën e tij tashmë shumëvjeçare të tregtarit të pemëve e perimeve, ose “stërshitësit” siç jemi mësuar të dëgjojmë, në tregun e gjelbër kryesor të kryeqytetit.
“Me vite të tëra e punoj këtë punë. Zgjohem përditë shumë herët, diku para orës 5 të mëngjesit, përgatitem dhe shumë herët shkoj me furgon në tregun me shumicë për t’u furnizuar me mallin që e tregtojë në të shumtën e rasteve brenda ditës. Unë e dua shumë punën që e bëjë dhe nuk e mendoj asnjëherë si parësor fitimin. Fitoj goxha mirë, sidomos gjatë muajve të verës, e veçmas gjatë fundit të gushtit dhe muajit shtator, kur nis dhe mbanë kohë e turshive dhe njerëzit blejnë me shumicë edhe specin, edhe domaten edhe kumbullën edhe perime të tjera, të nevojshme për turshitë”, tregon tregtari, që, megjithatë preferon anonimitetin.
Ai thotë se fiton mirë nga puna e vet. Dje dhe sot, rrëfen se ka arkëtuar saktësisht 150 euro fitim. Nga këto para, 20 euro ka fituar nga shitja e 100 kilogramë të kumbullave.
“Kumbullat i kam shitur brenda pak orësh me çmimin 50 centë kilogramin”, thotë ai.
I bie që këto kumbulla në tregun me shumicë ai i ka blerë me 30 centë një kilogram. Pjesën tjetër të parave, ose diku rreth 130 euro të fitimit e ka realizuar nga tregtimi i specave, më saktësisht nga shitja e 250 thasëve me speca, me peshë prej 3 – 3,5 kilogramësh, të cilët i ka shitur, siç thotë ai, sa çelë e mbyllë sytë, me çmimin 2,5 euro thesin.
“Të gjithë konsumatorët dhe klientela ime janë të kënaqur nga malli që e blejnë te unë. E zgjedhë shumë atë në tregun me shumicë, e zgjedhë kur të kem mundësi edhe prodhuesin e rajonin prej nga vjen perimet dhe sigurohem gjithnjë të kem mall cilësor, sa më të freskët për t’i kënaq kërkesat e blerësve”, thotë ai.
Ai tregon se fitimin ditor e ndajnë në dy pjesë, sepse ai në punën e vet është “ortak’, që i bie aksionar me një person tjetër, të cilët punojnë bashkarisht edhe te tregu, edhe te transporti i mallit.
“Ka raste, bile nuk janë të pakta edhe ditët kur nuk arrijmë të fitojmë, ose ta kemi fitimin minimalist. Ndodhë të prishet malli që nuk shitet brenda ditës, dhe atë doemos duhet hedhur. Tregtari i mirë e mënjanon pa humbur kohë mallin e prishur”, ka vazhduar rrëfimin e tij tregtari.
“Dhe, prap jam i kënaqur edhe me fitimin. E kam bërë shtëpinë me këtë veprimtari, e kam krijuar një standard solid dhe jetoj mirë nga kjo punë”, ka rrëfyer ai për Buletinin Ekonomik, duke treguar se nuk ka nevojë për ndihmën e dy djemëve që i ka të sistemuar dhe me punë të mirë në Gjermani.
“Djemtë i kam shumë të mirë dhe gjithmonë shprehin gatishmëri për të më ndihmuar financiarisht, por unë nuk kam nevojë për ndihmën e tyre. Ata, disa herë më kanë kërkuar edhe ta braktisë punën në treg, por unë nuk mund ta lë sa të jem kështu me shëndet të mirë. Kjo punë, më mbanë dhe unë e dua atë”, ka thënë ai gjatë bisedës.
Sipas tij, periudha disamujore e dimrit, është më e vështirë për tregtarët në tregjet e gjelbra, për shkak të ditëve të ftohta dhe me të reshura. “Edhe fitimi është më i vogël. Por muajt e verës, pastaj e kompenzojnë dimrin”, ka thënë ai.
Në pyetjen se si i vlerëson ai çmimet e produkteve bujqësore tani në muajt e verës, kur, dominojnë prodhimet vendore, ai pa menduar shumë thotë se “çmimet janë të shtrenjta, por kërkesa në rritje në kohën e turshive dhe eksporti, sidomos i “somborkës’ së cilësisë së mirë, i bëjnë çmimet e shtrenjta”.
Sipas tij, këtyre ditëve, pos limonit dhe bananeve, të gjitha produktet e tjera bujqësore që tregtohen në tregjet e Prishtinës, thuaja se janë vendore, të prodhuara nga bujqit dhe fermerët vendas. /Buletini Ekonomik/