Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka shprehur shqetësimin mbi efektet e Ligjit të ri për tatimin në pronë, i miratuar vitin e kaluar, dhe rritjen e ndjeshme të faturave për pronat komerciale.
Në një deklaratë për Telegrafin, Ibrahimi theksoi se ky ligj do të ketë pasoja të rënda për bizneset, pasi rritja e normave tatimore mund të arrijë deri në 300%.
“E kemi kalkuluar vlerën minimale të faturës së tatimit në pronë dhe diferenca mes vlerës së faturës së këtij viti dhe asaj të vitit të ardhshëm është jashtëzakonisht e madhe” tha Ibrahimi.
Ai theksoi se Kryetarët e Komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës e kanë kundërshtuar këtë ligj për shkak të rritjes së konsiderueshme të faturave, e cila është bërë nga Ministria e Financave pa asnjë konsultim me komunat.
Ibrahimi paralajmëroi se kjo rritje do të përballë bizneset me një barrë të madhe financiare, duke rrezikuar zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kjo do ketë pasoja në biznese sepse me normën minimale të tatimit në pronë mund të ngritët më shumë se 200% apo të dyfishohen faturat për biznese dhe nëse kjo normë do jetë më e madhe, që e lejon ligji, atëherë faturat mund edhe të ngritën për 300% apo trefishohen por mund edhe të katërshifohen,” theksoi ai.
Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga niveli qendror që të fillojë me amandamentimin e këtij ligji në mënyrë që të diskutohet me komunat dhe të merret parasysh mirëqenia e qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/