Hykolli thekson nevojën për përmirësimin e kushteve të punëtorëve

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Atdhe Hykolli ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin si dhe me përfaqësuesit e Konfederatës Evropiane të Sindikatave.

Siç bëhet e ditur, aty u diskutua për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve, me fokus të veçantë në ekonominë informale dhe të zezë, sidomos në sektorin privat, si dhe në kushtet e punës në ndërmarrjet strategjike si Trepça dhe Elektroekonomia e Kosovës.

“ Hykolli theksoi nevojën për përmirësimin e kushteve të punëtorëve, duke adresuar çështje kritike si ekonomia informale dhe ndikimi i saj negativ në të drejtat e punëtorëve në sektorin privat. Kryetari Hykolli nënvizoi se informaliteti krijon pasiguri të punësimit dhe mungesë të mbrojtjes ligjore, dhe theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë me autoritetet për të luftuar këtë fenomen dhe për të siguruar zbatimin e standardeve të punës së denjë”, thuhet tutje në njoftimin e BSPK-së.

Reklama e sponzorizuar

Si shqetësime në këtë takim thuhet se Hykolli ka ngritur edhe moskonstituimin e Këshillit Ekonomiko-Social, mos nënshkrimin e kontratës së përgjithshme kolektive, mungesën e dialogut të mirëfilltë social, dhe pengesat në organizimin sindikal për shkak të e-Kosovës.

Ndërsa përfaqësuesit e DG NEAR dhe ETUC shprehën interesin e tyre të fortë dhe mbështetjen për reformat që synojnë luftimin e ekonomisë informale dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat evropiane kërkon një qasje të fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.