Komuna e Prishtinës jep tenderin 6.5 milionësh për ndërtimin e “ishullit urban”, do të lidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë

Komuna e Prishtinës ka dhënë tenderin në vlerë prej mbi 6.5 milionë euro për ndërtimin e “ishullit urban” që do të ndërlidh lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë, raporton Express.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, kontratën e ka fituar konsorciumi “N.N.P. EURO CONSTRUCION; EURO ABI SH.P.K; Beni Contruction SH.P.K; Arifaj sh.p.k”.

Me këtë kontratë parashihen punët e dheut, punët e strukturës, arkitektura dhe ndërtimoi, instalimi i ujësjellësit dhe kanalizimit, instalimet elektrike, instalimet makinerike, elaborate i mbrojtjes nga zjarri, punët e jashtme dhe rregullimi i peisazhit dhe ashensorët. Tek secila prej këtyre punëve, në dosjen e tenderit ka specifikimet se si duhet të kryhen.

Reklama e sponzorizuar

Kohëzgjatja e kontratës është për gjashtë muaj.

Kontrata është dhënë më 22 tetor, derisa nënshkrimi i saj pritet të bëhet sot.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës.