Kultivuesit e lulediellit këtë verë janë ndarë të kënaqur me këtë kulturë bujqësore dhe se prodhimi i sivjetmë i ka bindur që vitin e ardhshëm të rrisin sipërfaqet e mbjella me të. Ata thonë se rendimenti për hektar ka arritur 2 deri në 2.5 tonë për hektar.
Kultivuesit e kësaj kulture bujqësore kërkojnë që krahas ndihmesës së makinerisë për kultura të tjera, të futen në program edhe makineritë që ndërlidhen me kulturën e lulediellit.
Sadri Berisha, nga Gjurgjeviku i Madh i Klinës, i cili për herë të parë e ka mbjellë kulturën e lulediellit dhe ka startuar me një hapësirë rreth 2 hektarësh, prodhimi i sivjetmë e ka bindur që vitin e ardhshëm t’i rrisë sipërfaqet me këtë kulturë.
Ai thotë se temperaturat e larta që mbretëruan gjatë verës kanë ndikuar në rritjen e kësaj kulture.
“Kanë pasur pak ndikim temperaturat e larta e s’e kanë lënë të rritet sa duhet. Rendimenti do të ishte edhe më i lartë nëse nuk do të ishin temperaturat e larta, të cilat zgjatën 3 muaj rresht, në vendin tonë”, thotë Berisha për emisionin ‘Toka’ në RTK.
Berisha thotë se luledielli, përveç si kulturë më rezistence ndaj temperaturave të larta, kjo kulturë mbillet dhe mirëmbahet më lehtë në krahasim me kulturat tjera lavërtarie.
“Edhe pse është më e lehtë për t’u mbjellë dhe mirëmbajtur, edhe luledielli, si kulturat tjera bujqësore, bartin një problem, tashmë, të ri në vendin tonë, atë të mungesës së fuqisë punëtore”, thotë Berisha.
Ai tutje thotë se vitin e kaluar kultivuesit e lulediellit në vendin tonë është dashur që këtë kulturë ta shesin në vende të rajonit, pasi nuk ka pasur pikë grumbulluese në vend.
E këtë vit, siç thotë ai, duket që edhe ky problem ka marrë fund, pasi që pika grumbulluese për lulediellin është një lehtësim për kultivuesit.
Vitin e kaluar kultivuesit e lulediellit në Kosovë është dashur që këtë kulturë ta shesin në vende të rajonit, pasi nuk ka pasur pikë grumbulluese në vend, ndërsa këtë vit duket që edhe ky problem ka marrë fund.
“Krahas lajmit të mirë për shtim të sipërfaqeve me luledielli e mira tjetër është që kjo kulturë ka filluar të krijojë edhe tregun e sigurt të sajë. Derisa vitin e kaluar është dashur të shitet vetëm në vendet e rajonit, tashmë ajo ka filluar të grumbullohet në vendin tonë, për prodhim vendor”, thotë për emisionin ‘Toka’, Qëndrim Selimi, agronom.
Ai thotë se fermerët që kultivojnë luledielli, tashmë, produktin e tyre mund ta dërgojnë në Klinë në kompaninë, e cila, që nga paslufta e fundit në Kosovë, merret me prodhimin e farës së grurit.
Përveç kultivimit dhe grumbullimit të lulediellit, kjo kompani në Klinë merret me prodhimin e farës së grurit, e cila, sipas Selimit, falë edhe kushteve klimatike dhe makinerisë së prodhimit, është shumë e mirë.
Ai thotë se marrja edhe me prodhim të farës së grurit dhe grumbullim të lulediellit s’është punë e lehtë.
Hapja e pikës së grumbullimit të lulediellit ka nxitur kultivuesit e kësaj kulture që t’i rrisin sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë bujqësore.
Selimi thotë se këtë vit ka shtuar hapësirat e mbjella me luledielli.
“Nga 25 hektarë sa kisha vitin e kaluar, sivjet i kam mbjell 40 hektarë me luledielli dhe se rritja e hapësirave me këtë kulturë bujqësore vetëm sa është rritur anembanë Kosovës”, thotë ai.
Sipas tij, cilësia dhe rendimenti i lulediellit këtë vit, për dallim nga misri, ka gjendje më të mirë.
“Krejt kjo falë hibrideve që po kultivohen dhe veçorive që ka kultura e lulediellit për t’u përballur me ekstreme klimatike. Përveç qëndrueshmërisë më të lartë, luledielli ka kosto edhe më të ultë të kultivimit”, thotë Selimi.
Ai thotë se rendimenti i hibrideve në vendin tonë sillet 2 deri në 2.5 tonë për hektarë.
“Subvencionet për luledielli janë të mira dhe se ngritja e vlerës së tyre ka pasur efekt pozitiv në shtimin e hapësirave. Po mendoj që subvencionet, krahas ndihmesës së makinerisë për kultura të tjera të futen në program edhe makineritë që ndërlidhen me kulturën e lulediellit”, u shpreh Selimi për emisionin “Toka” në RTK.