“Leximet” kundërthënëse të Raportit të Bankës Botërore për numrin e të papunëve në Kosovë

Në skenën politike të Kosovës vazhdojnë të “lexohen” dhe të interpretohen me shumë ndryshime, me dallime të mëdha dhe diametrisht të kundërta, edhe vlerësimet meritore të institucioneve të respektueshme monetare – financiare për ecuritë e ndryshme zhvillimore në vendin tonë.


Buletini Ekonomik

Ndasitë ekstreme politike dhe vlerësimet edhe për zhvillimet e ndryshme ekonomike dhe shoqërore të mbështetura kryesisht në këto ndasi, gjegjësisht nga cili kamp politik vijnë këto vlerësime, vazhdojnë të dominojnë me më shumë forcë tani në prag të fushatës zgjedhore ndër politikanë të subjekteve politike, ndër përfaqësues të shoqërisë civile dhe ç’është më keq, edhe ndër medie të ndryshme të njohura pro pozitës aktuale, apo pro subjekteve opozitare.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë kuptim, po interpretohen edhe vlerësime meritore të institucioneve të respektueshme monetare – financiare për ecuritë e ndryshme zhvillimore në vendin tonë. Madje, në bazë të “leximit “ të ndryshëm të këtyre vlerësimeve, interpretimeve sipas interesave të dy kampeve politike (pushtetit, pozitës pra, dhe opozitës), po krijohen jo pak dilema në publik, po bëhen të diskutueshme shifrat konkrete të prezantuara në raporte të ndryshme ku përfshihen këto vlerësime, dhe në këtë mënyrë po krijohet paqartësi dhe mjegullnajë, veçmas të publiku i rëndomtë kosovar rreth këtyre vlerësimeve dhe të dhënave të përfshira në to.

Edhe Raporti i fundit analitik i Bankës Botërore mbi ecurinë e ekonomisë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, i bërë publik para një jave, ku paraqiten të dhëna të institucionit prestigjioz ndërkombëtar edhe për numrin e të punësurve në Kosovë, u “lexua” ndryshe, madje shumë ndryshe nga pozita aktuale dhe përfaqësuesit e pushtetit, dhe nga opozita, e cila pa humbur kohë, vrullshëm i kundërshtoi të dhënat e shpërfaqura dhe të “lexuara’ nga përfaqësuesit e pushtetit, të cilët i interpretuan të dhënat e BB-së në favorin e tyre.

“Alarmues është raporti i Bankës Botërore, i cili e radhitë Kosovën në vendin e fundit në Ballkan, me numrin më të madh të të papunëve. Vetëm 37 për qind e njerëzve në moshë pune janë të punësuar, sipas këtij Raporti”, vlerësojnë përfaqësues të shumtë të opozitës.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, pretendon se raporti i fundit i Bankës Botërore u “keq citua”. Ai shkroi në një postim në Facebook se në fund të 2023 –tës ndodhi “rënia më rapide e regjistruar ndonjëherë” e papunësisë.

“Ditë më parë ishim dëshmitarë se si media të afërta me opozitën tentuan të keqpërdorin një raport të Bankës Botërore, duke e keqcituar dhe duke pretenduar se raporti po demanton shifrat e Qeverisë. Por ku qëndron e vërteta sa u përket shifrave të punësimit dhe papunësisë?”, shkroi Murati, duke prezantuar disa statistika të ASK-së.

Sipas tij, “në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej”.

“Sipas statistikave zyrtare të ASK-së: Në fund të vitit 2023 kanë qenë 425 mijë të punësuar. Për periudhën 3-vjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit janë shtuar 78,427 vende pune. Për krahasim, gjatë qeverisjeve të kaluara janë shtuar vetëm 44,228 vende pune, për 8 vite. Vitet kur ka pasur zgjedhje, në qeveritë e kaluara vërehet një rritje e përkohshmee të punësuarve, e cila pastaj vitin pasues zhbëhet dhe numri i të punësuarve ulet përsëri. Kjo dëshmon për punësimin e paqëndrueshëm gjatë fushatave zgjedhore kur qeverisnin të tjerët. I vetmi rast kur edhe pas vitit zgjedhor vazhdon rritja e punësimit, është në Qeverinë Kurti, përkundër faktit që në vitin 2021 kishim zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Kjo dëshmon se punësimi gjatë qeverisjes sonë ka qenë i qëndrueshëm, dhe se masat që kemi ndërmarrë për mbështetje të ekonomisë kanë funksionuar. Shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë”, shkoi ai.

Murati thotë se Qeveria i referohet “indikatorit më të saktë” për matjen e punësimit. Ai madje i konteston të dhënat rreth papunësisë të prezantuara në disa medie duke thënë se “shifra që disa media po i referohen në atë raport, ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullsisë aktive në tregun e punës, pra tregues tjetër prej atij të papunësisë”.

“Kushdo që e ka lexuar së paku një libër për këtë temë, din ta bëjë dallimin në mes të shkallës së papunësisë dhe shkallës së pjesëmarrjes së popullsisë aktive në tregun e punës”, shkroi Murati në Facebook.

Por, përfaqësues të LDK-së, numerikisht më të shumtë dhe kontestues më të zëshëm të ministrit Murati, deklarojnë se “Ky raport (i Bankës Botërore), është ri-konfirmim i asaj që ne si LDK e kemi potencuar vazhdimisht. Kjo Qeveri nuk ka plan për zhvillim ekonomik; por ka vetëm propagandë dhe keqqeverisje. Si rezultat i mungesës së vizionit dhe projekteve zhvillimore të kësaj qeverie, të rinjtë tonë po e braktisin vendin dhe largohen nga Kosova”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, një kundërshtuese e vazhdueshme e ministrit Murati dhe të dhënave të tij për të arriturat zhvillimore, në një reagim ka thënë se “Qeveria ka gënjyer kur ka thënë se papunësia në Kosovë është 4 për qind”.

“Banka Botërore po thotë se në Kosovë është shkalla më e ulët e punësimit në rajon, vetëm 37% e qytetarëve në moshë punë janë të punësuar, këtë e thotë edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, këtë jemi duke e thënë edhe ne që një kohë të gjatë se vendi është katandisë si mos më keq”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se “shqetësim mbetet që mbi 30 për qind e të rinjve të moshave 15-24 vjeç sot nuk janë në punë, as në shkollë as duke u trajnuar”.

Edhe përfaqësuesi tjetër i LDK-së, Berat Rukiqi, i njohur në publik po kështu si një oponent agresiv kundrejt vlerësimeve të përfqësuesve qeveritar për të arriturat zhvillimore, nëpërmjet një shkrimi Facebook për raportin e Bankës Botërore ka konstatuar se “raporti në fjalë konfirmon dështimin e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti”. Problematike, sipas Rukiqit janë gjetjet për nivelin e ulë të punësimit, ku vetëm 37.1% e popullsisë në moshe pune punon.

“Punësimi në Kosovë: 2/3 e popullsisë në moshë pune, nuk punojnë. Norma e punësimit në Kosovë është më e ulëta në Evropë, me vetëm 37.1% të popullsisë në moshë pune të punësuar, krahasuar me vendet e rajonit, ku mesatarja është 48.5%, ndërsa në Bashkimin Evropian, ku është 54.5%”, ka thënë ai.

“Gjithsesi, për të evituar diskutimet mbi metodolgjinë e përllogaritjes së shkallës së papunësisë, Qeveria pothuajse çdoherë i është referuar shifrës absolute të të punësuarve, e cila është indikatori më i saktë për të treguar se sa është rritur punësimi. E ky indikator, siç edhe mund të shihet, tregon se në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej”, shkruan ai.

Kurse, ministri Murati ka insistuar se “Qeveria Kurti qëndron pakrahasueshëm më mirë sesa qeveritë e kaluara, sa i përket punësimit”. Dhe, dallimet në interpretimin edhe të të dhënave të institucioneve me renome ndërkombëtare për zhvillimet prej më të ndryshmeve ekonomike dhe të dhënave për sektor të tjerë që kanë të bëjnë me sektorin ekonomik, janë thuaja vazhdimisht prezente në skenën politike kosovare. Ndoshta, një interpretim i paanshëm i ndonjë asociacioni të pavarur politik i këtyre të dhënave do të ishte më i besueshëm dhe më bindës për publikun dhe do të evitonte paqartësitë e “leximeve” të ndryshme të këtyre shifrave. /Buletini Ekonomik/