Që tani, në këtë nisje të parafushatës së egër zgjedhore, pos ndonjë zëri të rrallë nga pozita dhe nga opozita, nuk janë shumë të përqëndruar në çështjet zhvillimore, as në ato sociale, as në parashikinmet dhe vizionet për investimet që janë “harruar” fare nga politika, as në ecuritë e ngritjes së pandalshme të çmimeve në shtetin tonë të varfër… Ndërkohë, këtu në Kosovë, çmimet e konsumit, veçmas të produkteve elementare ushqimore vazhdojnë të rriten.
Buletini Ekonomik
Sado që deri në zgjedhjet e pritshme parlamentare në Kosovë janë pothuajse edhe katër muaj, fushata parazgjedhore e subjekteve politike, praktikisht, ka filluar. Dhe në hovin parazgjedhor të partive politike, edhe kësaj radhe dominojnë dhe janë të sforcuara retorikat rivalizuese të përshkuara me ofendime, akuza të rënda ndaj njëri tjetrit, edhe të subjekteve politike, edhe të përfaqësuesve të tyre pa zgjedhur leksik. Opozita akuzon pozitën për dështime në të gjithë sektorët, ndërkohë që pushtetarët radhisin në përgjigjet dhe demantet e tyre – sukseset e njëpasnjëshme të arritura gjatë viteve të qeverisjes nga ta.
Ndërkohë, që tani, në këtë nisje të parafushatës së egër zgjedhore, pos ndonjë zëri të rrallë, edhe nga minoranca, edhe nga mazhoranca, nuk janë shumë të përqëndruar në çështjet zhvillimore, as në ato sociale, as në parashikinmet dhe vizionet për investimet që janë “harruar” fare nga politika, as në ecuritë e ngritjes së pandalshme të çmimeve në shtetin tonë të varfër.
Ndërkohë, këtu në Kosovë, edhe në këtë vit, kur realisht pritej të ketë zbritje çmimesh, sikundër në të gjithë globin, çmimet kanë shënuar ngritje, ndërsa çmimet e konsumit, veçmas të produkteve elementare që përbëjnë shportën vazhdojnë përditë të rriten, ç’është e vërteta jo në nivelet e ngritjes së çmimeve në vitet e para pos-pandemisë dhe të shpërthimit të luftës ruso-ukrainase, por, megjithatë, edhe sipas qytetarëve, edhe sipas të dhënave zyrtare, ka ngritje çmimesh edhe të produkteve elementare ushqimore edhe të mallrave të tjera. Me fjalë të tjera, është evidentuar me të dhëna zyrtare ngritja e çmimeve të konsumit në janar krahasuar me muajin paraprak, dhjetorin e 2023-ës, dhe kështu me radhë në shkurtin e sivjetshëm çmimet kanë qenë më të larta se sa në janar. Ndërsa realisht, të dhënat statistikore të shtatorit, tani në tetor dalin të jenë të vjetëruara, sepse deri në këto ditë të tetorit kanë ndodhur edhe një varg çmimesh të ringritura të produkteve të konsumit, sidomos të produkteve bujqësore dhe të disa produkteve industriale ushqimore.
Sivjet, duhet thënë, së paku në muajt e verës, çmimet e disa perimeve, si: domates, specit, lakrës, karrotës etj., ishin paksa më të ulura se sa në muajt e pranverës. Por, me të kaluar gushti, edhe çmimet e këtyre produkteve u shtrenjtuan shumë, madje çmimi i domates dhe disa perimeve të tjera (fasules, spinaqit) tashmë janë të dyfishuara, madje edhe të trefishuara. Por, edhe çmimet e tjera të produkteve esenciale ushqimore dhe të jetesës, janë të gjitha të ngritura edhe në këtë vit, kur mbështetur nga informacionet që vinin nga bota, pritej të ketë zbritje çmimesh.
Edhe në këto ditë po dëshmohet njëtrajtshmëria e ngritjes artificiale të çmimeve të shumë produkteve. Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, një nga zërat më kundërshtues ndaj qeverisjes aktuale, në një postim në Facebook, madje shkruan se prej 2021 deri më sot, çmimi i miellit është rritur me 52%, çmimi i bukës me 48%, çmimi i qumështit me 37%, çmimi i sheqerit me 78%, e drutë e zjarrit me 54%. Dhe këto të dhëna, sado që kanë zënë të shpërfaqen dhe të propagandohen thuaja pa ndërprerë edhe nga përfaqësues të tjerë opozitarë, flasin për rritjet flagrante të çmimeve në Republikën tonë.
Ndërsa, në statistikat e ASK-së, këto që vazhdojnë të bëhen publike në periudha të caktuara (në tremujor, në gjashtëmujor dhe në nëntëmujor), dalin të jenë të pa përditësuara, për shkak se ngritja e çmimeve të shumë produkte në Kosovë është e vazhdueshme, e vrullshme dhe i bënë të vjetruara statistikat e ASK-së për çmimet.
Në Kosovë, pra, ka ngritje çmimesh, sidomos në produktet e konsumit, të cilët edhe kanë ndikimin më të madh në ç’ekulibrimin e mirëqenies dhe të ekuilibrit social të shtetit. Tregtarët kosovarë, fundja, asnjëherë në këto vitet e pasluftës, nuk e kanë pasur ndjenjën për gjendjen sociale të kosovarëve të varfër numerikisht. Ata, në radhë të parë, kanë bërë llogari për t’u pasuruar sa më shumë dhe sa më shpejtë edhe me marzha enorme dhe jashtë logjikës së lartë të fitimit. Në anën tjetër, institucionet shtetërorë, me vëmendje të përqëndruar me përparësi te situatat politike të ndërlikuara në veri të vendit dhe në tensionimet me Serbinë, gjithnjë, sikundër edhe tani, kanë margjinalizuar tërësisht komsumatorët kosovarë si dhe mbrojtjen e tyre nga çdo tentativë dhe përpjekje abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të tyre.
Në Kosovë, Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i miratuar që në qershor të 2004-tës, që parasheh të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar, thuaja se është inekzistent. Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), objektiva e dytë e BQK-së është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Por, që nga fillimi i pandemisë e deri tani, as BQK nuk ka bërë asgjë në stabilizimin e çmimeve. Nuk ka bërë asgjë thuaja për të ndalur kaosin dhe anarkinë në ecuritë e çmimeve në Kosovë, as Agjencia Kosovare e Konkurrencës, dhe asnjëra nga ministritë, që e kanë detyrë dhe mision ta bëjnë këtë.
Më konkretisht, legjislacioni në fuqi në Kosovë, akoma, sot e kësaj dite, është shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar. Ata as që i pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, të tregtimit të produkteve me afate të skaduara dhe me cilësi të diskutueshme. Dhe, konsumatori i varfër kosovar, vazhdon të përballet me çmimet rekorde, të cilat i aplikojnë tregtarët e Kosovës me pranimin në heshtje të dorës së shtetit, edhe në këtë fillim fushatë parazgjedhore të heshtur.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekonomistë, nuk është që nuk kërkuan jo pak herë nga Qeveria e Kosovës të vendosë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve në tregun vendor dhe për të rritur angazhimin për monitorimin e tregut. E kërkuan ndërmarrjen e masave edhe ekspertët dhe njohësit e rrethanave të ecurisë së lëkundjes së çmimeve. Por, këto kërkesa, praktikisht ranë në “vesh të shurdhër”, sikundër që edhe tani, edhe pozita, edhe opozita, nuk shpërfaqin ndonjë vizion për të vënë ndonjë rregull në sektorin e ndjeshëm të çmimeve.
Nuk po ndërmerret asgjë, dhe prandaj, Kosova vazhdon të ketë çmimet më të larta në Ballkan dhe përtej, por edhe varfërinë më të madhe në rajon. Dhe prandaj, problemi më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet vendi ynë, del të jetë kostoja e jetesës apo çmimet e larta dhe çmimet për furnizimet thelbësore, qoftë nga regjistrimi nga Përmbledhja e Pulsit Publik, qoftë nga raporti i fundit për Kosovën i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI).
Realisht, në Kosovë, kostoja e jetës, në radhë të parë si rrjedhojë e çmimeve të larta të shumicës absolute të mallrave dhe të produkteve të domosdoshme për jetesë normale dhe sidomos çmimet për furnizimet thelbësore, është goxha një kohë të gjatë dhe akoma vazhdon të jetë problem shqetësues për shumicën e qytetarëve dhe në veçanti për shtresat e varfëra, që janë me shumicë në Republikën tonë. Çmimet vazhdimisht të ngritura të shumicës së produkteve elementare ushqimore janë bërë sfidë thuaja e papërballueshme për pensionistët, për familjet me probleme sociale dhe për të papunët, por edhe për kategori të tjera qytetarësh që të ardhurat i tyre mujore nuk u mjaftojnë për ta përmbyllur muajin me muaj. Ç’do të bëhet pas 9 shkurtit të 2025-tës, mbetet për t’u parë… /Buletini Ekonomik/