Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me GIZ-in dhe ministrin e Bujqësisë kanë hapur panairin bujqësor dhe të energjisë së ripërtërishme “Agri Renew 2024”.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha energjia e ripërtërishme po ndikon shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ai tha se institucionet lokale dhe qendrore sa më shpejtë t’i thjeshtësojnë procedurat dhe të eliminohen pengesat që në Kosovë të ketë sa më shumë energji të ripërtërishme sidomos për fushat solare.
“Duhet të punohet me shumë strategji, t’i eliminojmë të gjitha barrierat që të kemi sa ma shumë fusha solare ne vend”, tha Rafuna për RTK.
Rafuna tha se sipas raportit të Bankës Botërore rritja ekonomike është 3.7 dhe kjo rritje ekonomike nuk është e kënaqshme.
“Është një rritje ekonomike që nuk e ulë papunësinë, nuk ndikon në ngritjen e mirëqenies sociale. Inflacioni e ka bërë të veten, rritje të pagave në sektorin privat ka pas pak, mirëpo në sektorin publik nuk ka pasur rritje të pagave dhe paraja e ka humb vlerën e vet”, tha ai
Sipas Rafunës, borxhi publik duhet të rritet për investime kapitale që ndikojnë në ngritje të zhvillimit ekonomik dhe në mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës.
Rafuna shtoi se Plani zhvillimor i Komisionit Evropian ku parashihet që Kosova do t’i fitojë rreth 900 milionë do të ketë ndikim shumë të mirë, mirëpo është i kushtëzuar me disa hapa që duhet të plotësohen nga qeveria.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë që mos t’i neglizhoj por t’i plotësoj ato dhe të përfitojë nga ajo shumë e mjeteve që është parapa për arsye se do të ketë ngritje të menjëhershme në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në mirëqenien më të mirë sociale për qytetarët”, tha ai.
Rafuna u shpreh se do të jetë problem shumë i madh integrimi në tregun evropian.