Spinaqi, produkti me luhatjet më të mëdha të çmimit gjatë një viti

spinaqi
Spinaqi ndikon pozitivisht në shëndet

Në periudha të caktuara, sidomos në muajt e fundit të pranverës dhe gjatë stinës së verës, çmimi i spinaqit ka qenë vazhdimisht i lartë dhe thuaja i standardizuar në 4-5 euro për një kilogram. Më konkretisht, në qershor e korrikun edhe të këtij viti, çmimi i spinaqit kishte arritur në stratosferë, ose një kilogram i tij tregtohej edhe me 5 e 6 euro. Ndërkohë, këtyre ditëve një kilogram spinaq kushton 1 euro, madje edhe nën të.

Buletini Ekonomik

Spinaqi është produkti bujqësor, mbase edhe në mallrat e tërësishme që tregtohen në Kosovë, që brenda një viti ka lëvizjen më të madhe të çmimit. Ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë që ky prodhim bujqësor, i konsumuar me shumicë nga të gjithë konsumatorët varësisht nga çmimi i tij, të bëhet, praktikisht, i pa arritshëm për blerësit e shumtë, për shkak të çmimit enorm të tij, që në raste shkoi edhe në 7-8 e më shumë euro për një kilogram.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa, në periudha të caktuara, sidomos në muajt e fundit të pranverës dhe gjatë stinës së verës, çmimi i spinaqit ka qenë vazhdimisht i lartë dhe thuaja i standardizuar në 4-5 euro për një kilogram. Më konkretisht, në qershor e korrikun edhe të këtij viti, çmimi i spinaqit kishte arritur në stratosferë, ose një kilogram i tij tregtohej 5 e 6 euro. Ndërkohë, në ditët e para të gushtit, çmimi i këtij produkti ishte ulur për disa euro, dhe në tregjet e gjelbra të Prishtinës një kilogram spinaq kushtonte 4, madje edhe 3,5 euro kilogrami.

Qershori, korriku dhe gushti, periudhë kjo e karakterizuar nga bujqit, kopshtarët kosovarë por edhe nga qytetarët, si piku i verës dhe koha kur edhe në Kosovë “arrijnë” produktet bujqësore tonat, veçmas perimet (domatja, speci, qepët, karrota, spinaqi, lakra, sallatat e ndryshme etj), nuk kanë vlejtur fare për ta bërë spinaqin më të afërt me konsumatorët, para së gjithash për shkak të çmimit të tij. Pra, kjo periudhë, që prore ka qenë një kohë e favorshme për furnizimin e familjeve kosovare me perime të stinës edhe nga importi, edhe vendoret, me çmime të pranueshme dhe të arsyeshme, ka vite që nuk vlen për spinaqin, që ka kohë që në këta muaj në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe te shitoret e specializuara, në marketet dhe supermarketet që tregtojnë produkte bujqësore, ka pasur çmim enorm të lartë, dhe siç u tha më lartë, jo rrrallë edhe të pakapshëm për mundësitë blerëse të kosovarëve shumicë.

Gjatë tërë gushtit, por edhe shtatorit, siç rrëfejnë tregtarët në Tregun e gjelbër kryesor të Prishtinës, spinaqi me çmimin enorm të tij, është bërë thuaja “i pakapshëm” për kosovarin e rëndomtë, atë me të ardhura mesatare dhe nën to, i kërkuar dhe i konsumuar me vite të tëra me shumicë nga qytetarët e këtij vend.

Ndërsa, konsumatorët, të mësuar me muaj me çmimin rekord të lartë të spinaqit (nuk ka ndodhur më parë asnjëherë që një kilogram spinaq të kushtojë 8 e më shumë euro), as që janë ofruar te tezgat e rralla që e ekspozonin këtë perim. Por, çmimi i spinaqit që në ditët e para të tetorit, ka nis të ulet suksesivisht: fillimisht është ulur në 4 euro, pastaj në 3 euro, 2,5, 2 për t’u bërë këtyre ditëve çmimi i një kilogrami spinaq 1 euro, madje edhe nën të.

Po pse po ndodhë kështu, gjithë kjo luhatje aq e theksueshme dhe aq evidente, kur dihet që toka e Kosovës, kudo qoftë ajo, thuaja se, është e përshtatshme për kultivimin e këtij perimi?

Tregtari përgjigjet shpejt: “Nuk po duam të punojmë më tokën. Ata që ishin punëtorë të vërtetë dhe që ia dinin vlerën tokës, ose janë tashmë të pensionuar, ose kanë ikur jashtë vendit. Nuk ka mbetur gjithaq edhe kush të punojë! Prandaj janë këto çmime të larta”, thotë për Buletinin Ekonomik, tregtari i moshuar në Tregun kryesor të perimeve në Prishtinë.

Ndërsa për lëvizjen kaq të theksueshme të çmimit të këtij produkti bujqësor, tregtarët nuk kanë ndonjë shpjegim bindës. Sipas tyre, në muajt e verës rëndom mungon ky produkt edhe për shkakun se kopshtarët e vendit nuk e kultivojnë atë gjatë kësaj periudhe, ndërsa edhe importi i tij, kryesisht nga Shqipëria, është me kosto të lartë. Tani në muajt e vjeshtës përherë ka spinaq më shumë, dhe çmimi i tij është më i pranueshëm. Sipas tyre, tani shtohet edhe shitblerja dhe çmimi i ulur shton edhe konsumimin e tij. /Buletini Ekonomik/