Bajrami: Buxhetin për vitin 2025 e kemi pa si buxhet tranzitor

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka folur rreth projekt buxhetit për vitin 2025, i cili ka kaluar në Kuvendin e Kosovës  në lexim të parë.

Bajrami ka thënë se është hera e parë që si LDK nuk e kanë analizuar, sepse, sipas saj, ky buxhet është buxhet tranzitor.

“Nuk e njohim si buxhet, si planifikim një vjeçar… Meqë i kemi zgjedhjet e shpallura dhe tash është e ditur që do të mbahen me 9 shkurt, ne e kemi pa si një buxhet tranzitor. Dhe me të ardhur qeveria e re, qeveria e cila do të formohet pas datës 9 shkurt, do të ulet dhe do ta rishikojë këtë buxhet. Ne jemi duke punuar shumë që qeveria e ardhshme të jetë qeveria e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryetarin Lumir Abdixhiku”, ka thënë ajo, në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

Reklama e sponzorizuar

Tutje Bajrami është shprehur se në seancën e Kuvendit ku ishte në lexim të parë draft buxheti për vitin 2025, diskutimin si LDK e kanë kthyer në efektet që kanë dhënë për këtë buxhetet, të cilin Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur rastin ta planifikoj dhe ta ekzekutoj ashtu siç ata kanë ditur.

“Theksin e kemi vënë pikërisht te efektet që ne në shumicën e fushave dhe në shumicën e rasteve konsiderojmë që kanë qenë efekte zero”.

Bajrami tutje ka thënë se krahasimet e bëra nga pushteti kanë qenë jo konvencionale pasi që “ndarjet buxhetore të vitit 2025 i kemi pa duke e  krahasu me atë të vitit 2020… por edhe të vitit 2000. Ka pas edhe krahasime të tilla me buxhetin e vitit 2000”. /Dukagjini/