BERZH-i dhe BE-ja u ndihmojnë NMVM-ve të Kosovës me financim të gjelbër

Hua e BERZH-it prej 5 milionë eurosh për Raiffeisen Bank në Kosovë për shtim të financimit të gjelbër për firmat lokale

• Linja kreditore e BERZH-it prej 5 milion eurosh e kombinuar me stimuj të investimeve të financuar nga BE-ja për NMVM-të në Kosovë;

• Të paktën një e treta e projekteve do të mbështesin investimet në sektorin e agrobiznesit;

Reklama e sponzorizuar

• Njëzet e pesë për qind e përfituesve do të jenë NMVM të udhëhequra nga gratë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po e rrit shkallën e investimeve në ekonominë e gjelbër në Kosovë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian (BE) dhe Raiffeisen Bank në Kosovë (RBKO).

BERZH-i do të sigurojë financim deri në 5 milionë euro për RBKO-në për kreditim të mëtutjeshëm të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në kuadër të programit NVM të Gjelbra, i lansuar me mbështetjen e BE-së. Mjetet do të jenë plotësisht të dedikuara për investime në ekonominë e gjelbër, duke përfshirë efiçiencën e energjisë, efiçiencën e resurseve dhe investimet për energji të ripërtërishme, të cilat pritet të kontribuojnë në reduktimin e emetimeve të gazrave serë në vend. Veç kësaj, asistenca teknike e financuar nga BE-ja do të mbështesë NMVM-të dhe institucionet financiare partnere me ngritje të kapaciteteve dhe trajnime të përshtatura, duke ofruar njohuritë e nevojshme për ta maksimizuar investimin e mundshëm.

Të paktën një e treta e huasë së BERZH-it për RBKO-në do të jetë e dedikuar për investime në sektorin e agrobiznesit, përfshirë zinxhirët e vlerës. Njëzet e pesë për qind e financimit do t’u ndahet NMVM-ve të udhëhequra nga gratë.

Me përfundimin me sukses dhe validimin e projekteve të tyre për investime, NMVM-të do të jenë të pranueshme për pagesë stimuluese të investimit prej 15 për qind të shumës së kredisë, për investime për energji të ripërtërishme dhe në sektorin e agrobiznesit e zinxhirët e vlerës së tij. Veç kësaj, NMVM-të lokale do të përfitojnë nga një pagesë stimuluese prej 10 për qind të shumës së kredisë për investime të tjera të pranueshme në ekonominë e gjelbër.

Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, tha: “Jemi krenarë që po e vazhdojmë mbështetjen tonë në Kosovë për NMVM-të, një komponent jetik i ekonomisë lokale, me programe të ndryshme të përshtatura për nevojat e tyre. Kjo iniciativë është me rëndësi kyçe për avancimin e tranzicionit të gjelbër në nivel qelizor, duke u ndihmuar firmave lokale të arrijnë qëndrueshmërinë dhe të rrisin reziliencën e tyre. Me BE-në dhe Raiffeisen Bank në Kosovë si partnerët tanë, jemi të pozicionuar mirë për ta nxitur një sektor privat më të gjelbër në vend”.

RBKO është banka më e madhe komerciale në Kosovë dhe partner i BERZH-it prej vitit 2019, me një arritje të dëshmuara në linjat kreditore për NVM-të.

Anita Kovacic, Drejtoreshë Ekzekutive e Raiffeisen Bank në Kosovë, shtoi: “Jemi të kënaqur që po e vazhdojmë partneritetin tonë të gjatë me BERZH-in në këtë program, duke i fuqizuar bizneset kosovare, veçanërisht firmat e udhëhequra nga gratë, për të adoptuar praktika të qëndrueshme. Bizneset mikro dhe të vogla janë shtylla kurrizore ekonomike e Kosovës dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim rritjen dhe qëndrueshmërinë e tyre”.

RBKO bëhet institucioni i parë financiar partner në Kosovë që përfiton nga programi i BERZH-it NVM të Gjelbra pas lansimit zyrtar në shtator 2024. BERZH-i është investitori më i madh institucional në Kosovë, me projekte si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Prej fillimit të operacioneve në Kosovë në vitin 2012, BERZH-i ka investuar rreth 680 milionë euro përmes më shumë se 110 projekteve.