Buxheti i Kosovës për vitin 2025 – 25.4% paga dhe shtesa, 25.8% investime kapitale

Kthyer në përqindje, 3.6 miliardë euro për vitin 2025, Qeveria Kurti ka vendosur t’i shpenzojë kështu: 2.7% për arsim, 2.5% për bujqësi, 5.8% për Ministrinë e Mbrojtjes, 6.3% për Ministrinë e Punëve të Brendshme, 2.1% për Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe gati 260 milionë euro apo 7.2% të buxhetit, për Ministrinë e Infrastrukturës.

Projektligji për buxhetin e vitit 2025, nëse thjeshtësohet, është plani se ku do të investohen 3.6 miliardë eurot që shteti pritet t’i ketë në arkën e tij.

Në draftin 738 faqesh të cilin e ka siguruar TV Dukagjini, nga 3.6 miliardë euro, 916.5 milionë euro ose 25.4% planifikohet të shkojnë për paga dhe shtesa, ndërsa vetëm pak më shumë, 930 milionë euro, apo 25.8% parashihen për shpenzime kapital

Reklama e sponzorizuar

Për shembull, buxhetit të shtetit vetëm për pagat e 120 deputetëve do t’i shkojnë 3.6 milionë euro.

Për Bujqësinë, Qeveria Kurti ka ndarë mbi 90 milionë euro, gati 4.5 milionë euro për investime kapitale, ndërsa për subvencione dhe transfere mbi 74 milionë euro.

Për Ministrinë e Infrastrukturës, buxheti kap shifrën 260 milionë euro, gati 217 milionë euro investime kapitale, për infrastrukturë rrugore shkojnë 170 milionë euro.

Nga to për autostrada do të harxhohen 21.5 milionë euro, për ndërtimin e rrugëve të reja, gati 29 milionë euro, për ura mbi 2.3 milionë euro, për shpronësime mbi 21 milionë euro.

Për zgjerimin e magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, 9 milionë e 650 mijë euro, të bartura nga 2024. Edhe për zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Pejë, 15 milionë euro, për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë, 6 milionë euro, për autostradën e Gjilanit, për vitin 2025 nuk ka buxhet ekstra të ndarë, përpos 20 milionë eurove që janë vazhdim nga viti 2024.

Ministria e Arsimit ka buxhet gati 99 milionë euro, ajo e Ekonomisë mbi 34 milionë euro dhe Ministria e Kulturës, do të ketë në kuletën e saj 86.4 milionë euro.

Ministria e Punëve të Brendshme e udhëhequr nga Xhelal Sveçla do të ketë në menaxhim mbi 227 milionë euro, mbi 53 milionë euro investime kapitale.

Vetëm për Policinë e Kosovës janë ndarë mbi 152 milionë euro, mbi 22 milionë euro investime kapitale, e mbi 110 milionë euro paga. Tek ky 22 milionëshi hyjnë edhe blerjet e pajisjeve mbrojtëse përfshirë edhe armët e makinat e blinduara.

Ministria e Drejtësisë ka mbi 57 milionë euro buxhet, Ministria e Punëve të Jashtme, 7 milionë euro më shumë.

E për mbrojtjen e Kosovës, Ministrja e Mbrojtjes do të shpenzojë gati 208 milionë euro.

Për ushtrinë e vendit, shkojnë gati 203 milionë euro, mbi 113 milionë investime kapitale, apo blerje të armëve dhe investime në infrastrukturë.

Një ndër institucionet më vitale të vendit, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, do të ketë në kuletë mbi 16 milionë euro. Për zgjedhjen nacionale dhe ato lokale janë ndarë 15.5 milionë euro.

Për shëndetësinë Qeveria ka planifikuar të shpenzojë mbi 75 milionë euro, të paktën në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkaq Shërbimi Spitalor Universitar ka në konton më shumë se dyfishin e buxhetit, mbi 190 milionë euro.

Risi në këtë draft-dokument është neni 33, që vlen për rritjen e njësisë së koeficientit të pagave në sektorin publik. Pra mbështetje për vendimin e Qeverisë e cila duke e rritu njësinë e koeficientit për një njësi e ka rritur pagën në sektorin publik për 2025 për 110 euro.

Nga opozita ky vendim dhe futja e këtij rritjes së pagave në ligjin për buxhet po vlerësohet anti ligjore dhe anti kushtetuese.

Neni 42 i ligjit për pagat në sektorin publik tek Përcaktimi i ekuivalencës, thotë se ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave në sektorin publik.

Është shkelur ligji nga Qeveria ose jo, kjo është përgjigje të cilën Gjykata Kushtetuese mund të japë, e që Opozita e ka në dorë ta shfrytëzojë ose jo këtë mundësi.