Nëse dalin të sakta parashikimet e meteorologëve, Kosovën e pret një dimër i vështirë energjetik, për shkak se termocentralet ekzistuese të prodhimit në vend (dy blloqe të termocentraleve të Kosovës A dhe dy sosh të Kosovës B) me gjithsej 750 deri në 780 megavatë dhe dhjetëra megavatë që do të sigurohej nga kapacitetet modeste të energjisë së rinovueshme, nuk mjafton as për së afërmi për të përmbushur nevojat e konsumit të vendit me rrymë, që në ditë të acarta mundet të shkojë (siç ka shkuar në shumë raste dimrave të kaluar) deri në 1300 megavatë e përtej.
Mehmet GJATA
Paralajmërimet e sinoptikëve për një dimër të pritshëm me më shumë të ftohtë dhe me më shumë të reshura të borës, në njërën anë dhe mundësitë reale të prodhimit në termocentralet e stërvjetëruara të Kosovës për të përmbushur nevojat e shtuara të konsumit të vendit me energji elektrike gjatë periudhës dimërore 2024-2025, kanë shkaktuar dilemat jo të pakta edhe në opinion edhe ndër njohësit e zhvillimeve elektroenergjetike për stabilitetin energjetik në këtë dimër.
Shkurt, nëse dalin të sakta parashikimet e meteorologëve, Kosovën e pret një dimër i vështirë energjetik, për shkak se termocentralet ekzistuese të prodhimit në vend (dy blloqe të termocentraleve të Kosovës A dhe dy sosh të Kosovës B) me gjithsej 750 deri në 780 megavatë dhe dhjetëra megavatë që do të sigurohej nga kapacitetet modeste të energjisë së rinovueshme, nuk mjafton as për së afërimi për të përmbushur nevojat e konsumit të vendit me rrymë, që në ditë të acarta mundet të shkojë (siç ka shkuar në shumë rastte dimrave të kaluar) deri në 1300 megavatë e përtej.
Sivjet, fare lehtë mund të rritet sasia e konsumuar e rrymës në Kosovë, meqenëse për shkak të disa masave të ndërmarra nga Qeveria për ta nxitë shpenzimin efiçient të rrymës, ka ndihmuar financiarisht blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje dhe kushtimisht ka shtuar numrin e qytetarëve që shtëpitë e tyre do t’i ngrohin me rrymë.
Ndërsa, sipas inxhinierëve të KEK-ut, sivjet nuk duhet pritur shumë as nga këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkak të rënies së rezervave ujore në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit, por edhe për shkakun se sivjet deri në këtë kohë, Kosova nuk ka arritur të deponojë në KESH ndonjë sasi për t’u përmendur të rrymës. Kosova, gjithë shkëmbimin e rrymës me Shqipërinë, që e ka bërë deri më 15 tetor 2024, e ka pasur të dedikuar për kthim borxhi, dhe tani, praktikisht është në nivelin zero këmbimi i energjisë KEK-KESH.
Sivjet, Kosova nuk ka arritur të deponojë rrymë në KESH, siç ndodhi vitin e kaluar, kur në këtë kohë rezervat e deponuara nga KEK-u në KESH tejkalonin 160 mijë megavatë orë. Në këtë mënyrë, parashikimet e njohësve të mirë zhvillimeve energjetike, edhe të inxhinierëve me përvojë në KEK, të mbështetura, siç u tha më lartë, në kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës, por edhe të gjendjes së rezervave të ujit në Shqipëri, tani për tani janë pesimiste sa i përket furnizimit me rrymë të konsumit të Kosovës gjatë ditëve dhe javëve të ftohta të dimrit të pritshëm. Shumica e zërave që janë të preokupuar me situatën elektroenergjetike në vend në muajt në vijim, parashohin se do të ketë mungesë evidente të energjisë dhe sipas tyre, do të ishte fat i mirë të ketë sa më pak mungesë dhe sa më pak restriksione të rrymës në këta muaj.
KEK-u, këto ditë, në një përgjigje dhënë Buletinit Ekonomik për gjendjen elektroenergjetike në vend, sado që thotë se “KEK ka përfunduar me sukses revizionet dhe riparimet e nevojshme për njësitë prodhuese të planifikuara për vitin 2024” dhe se “këto aktivitete kanë kontribuar në përmirësimin e sigurisë dhe efikasitetit të operimeve në të gjitha njësitë prodhuese të KEK-ut, duke siguruar që kapacitetet e prodhimit të energjisë të jenë të gatshme për sezonin dimëror”, në njëfarë mënyre do ta largojë përgjegjësinë nga vetja për mungesat eventuale të rrymës gjatë sezonit të dimrit.
Sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike e Kosovës (KEK), “që nga viti 2013, pas shthurjes së sistemit të distribucionit dhe rrjetit, përgjegjësitë e saj janë përqendruar në eksploatimin e thëngjillit dhe prodhimin e energjisë elektrike dhe termike. Kjo energji termike përdoret për ngrohjen e kryeqytetit përmes sistemit të Termokos-it. Për sa i përket operimit, KEK zakonisht operon me dy njësi të TC Kosova A dhe dy njësi të TC Kosova B, me një kapacitet konstant të prodhimit të energjisë elektrike prej rreth 750 MË/h. Sa i përket furnizimit me energji elektrike, në raste të ngritjes së konsumit, kjo mbetet përgjegjësi ekskluzive e kompanisë që merret me këtë sektor, sipas licencës përkatëse”, duke aluduar qartë te KEDS-KESCO, kompanitë turke që janë përgjegjëse për furnizimin e Kosovës me rrymë.
KEK-u pra, sivjet megjithë renovimet e detajuara dhe të stërzgjatura në blloqet e Kosovës B (riparimet në B1 dhe në B2, gjatë muajve të verës kanë zgjatur nga tre muaj) dhe riparimeve për të ruajtur freskinë e njësive të termocentraleve të stërvjetruara, Kosova A për sezonin dimëror, as që premton për ndonjë stabilitet të pritshëm.
Zyrtarët e KEK-ut e thonë shkurt, kaq ka Korporata kapacitet prodhues dhe për furnizmin me rrymë e drejton gishtin drejt KEDS-it, duke e emërtuar edhe zyrtarisht si përgjegjëse të furnizimit të Kosovës me rrymë. Ndërsa, sipas inxhinerëve të KEK-ut, edhe po qe se kapacitetet potencialisht të mundshme për të prodhuar në KEK, dy njësitë e Kosovës B dhe dy blloqet e Kosovës A, gjatë dimrit do të operonin thuaja në mënyrën ideale, pa ndonjë prishje të madhe teknike dhe pa ndonjë ndërpreje të gjatë, prap se prap do të ndihet mungesa e rrymës për shkak të rritjes enorme të shpenzimit dimëror.
Llogaria për mungesë evidente të energjisë elektrike në këtë dimër del e qartë: Prodhimi vendor, dy blloqe të Kosova A – A4 dhe A5, janë aktualisht në prodhim, secili me kapacitet prodhues 130 megavat-orë, ose gjithsej rreth 260 megavatë dhe dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2), secili nga 260 megavatë, përkatësisht 520 megavatë gjithsej, si dhe dhjetëra megavatë nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme, që do të bënin shumë-shumë rreth 780 megavatë orë gjithsej.
Ndërsa, konsumi i energjisë elektrike, për shkak të temperaturave të acarta që në Kosovën kontinentale tipike dijnë të mbajnë me javë të tëra, në dimrat e fundit ka shkuar në mbi 1.100 dhe 1.200 megavatë, dhe në raste ka tejkaluar edhe 1.300 megavatëshin. Pak a shumë, i bie që gjatë dimrit, në rrethanat më të mira, Kosovës për ditë do t’i mungojnë nga 200-300 megavatë, ndërsa në rrethanat e këqija, kur kaplojnë ngricat dhe të ftohtit e madh, edhe më shumë. Është çështje se a do të ketë Kosova para të mjaftueshme për të importuar këtë sasi të rrymës, kur përvojat nga vitet e fundit, sidomos pas shpërfaqjes së krizës globale energjetike, na kanë bërë me kohë me dije, se çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare në ditët e ftohta di të jetë “i kripur” dhe në stratosferë.
Sipas zyrtarëve të KEDS-it, më 7 nëntor 2024, kur për disa orë, importi i sasisë së madhe të rrymës si pasojë e rënies nga prodhimi i njërit bllok të termocentralit Kosova B, Kosovës i ka kushtuar 1,5 milion euro. Nuk është vështirë për ta përceptuar sa do t’i kushonte blerja e 200-300 megavatëve gjatë ditëve të acarta të dimrit, kur çmimet në tregjet ndërkombëtare shkojnë në stratosferë, ose disa fish mbi çmimet që ishin më 7 nëntor 2024.
Ndërsa, nëse dalin të sakta paralajmërimet për dimër të pritshëm të ftohtë, druhet se importi i energjisë elektrike gjatë shumë ditëve të dimrit që po vjen do të jetë i kushtëzuar, doemos, dhe pokështu i kushtueshëm. Nuk ka të tjera alternativa në këto rrethana Kosova, për ta zbutur mungesën e rrymës dhe importin e papërballueshëm gjatë dimrit. Doemos, kushtëzohet si alternativë, gjithsesi, kursimi dhe përkushtimi i konsumatorëve për të racionalizuar shpenzimin e rrymës gjithkund ku është e mundshme. Shpenzimi racional i rrymës, ose kursimi i këtij produkti të shtrenjtë gjithnjë ku ka mundësi të bëhet, mbetet alternativa më e pranueshme, më e zbatueshme lehtësisht dhe me shumë efekte në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike dhe në kursimin e parave të shtetit, të cilat do të shkonin në importimin e rrymës. Prandaj, kosovarët (sipas statistikave, më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë, me rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm) duhet të jenë koshientë, të përgjegjshëm dhe të “dëgjueshëm” ndaj thirrjeve të zyrtarëve të shtetit dhe nëpunësve të kompanive prodhuese, shpërndarëse dhe të furnizimit për të kursyer energjinë elektrike.
Fundja, bota shumicë, edhe shtetet e fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, në njëfarë mënyre, më shpejtë se sa është parashikuar nga njohësit e rrethanave dhe më lehtësisht se sa është pritur, kanë pranuar “regjimin” e kursimeve, të restriksioneve të energjisë elektrike, duke sakrifikuar dhe hequr dorë nga jeta me energji të bollshme dhe nga maniret për të shpenzuar pafundësisht edhe rrymën. Duhet ta pranojmë kushtimisht edhe ne tashmë këtë mënyrë të re jetese, sidomos në muajt e dimrit, kur siç po paralajmërohet nga ekspertët, por edhe nga prodhuesit dhe shpërndarësit e rrymës në vend, do të jetë “një dimër me goxha të panjohura”, por, gjithsesi, me mungesë të energjisë së bollshme elektrike. Dhe, nuk kemi zgjidhje tjetër.
Nëse do të mbajnë shumë ditë të acarta gjatë këtij dimri, njohësit e zhvillimeve energjetike në vend nuk fshehin pesimizmin e tyre sa i përket furnizimit të konsumit të vendit. Aq më shumë, kur KEK-u nuk merr përgjegjësi për të siguruar furnizimin e konsumit të vendit me rrymë, madje në përgjigjen e tij për Buletinin Ekonomik sugjeron se “për çdo kërkesë lidhur me furnizimin dhe ndihmën ndaj konsumatorëve, të gjitha palët të drejtohen te institucionet përgjegjëse për këtë fushë veprimtari”, ndërsa KEDS-KESCO nuk “lodhet” shumë se a do të ketë, apo s’do të ketë energji elektrike për nevojat e Kosovës.
Deri tash KEDS-KESCO kanë qenë mjaftë të shkathta për ta detyruar Qeverinë për të intervenuar me mjete shtesë financiare për importin e domosdoshëm të rrymës. Mbetet të shihet se çka do të bëhet këtë dimër… /Buletini Ekonomik/