Për të menaxhuar më efektshëm skemat mbështetëse për energjinë e diellit, erës dhe ujit, dhe për ta funksionalizuar dhe valorizuar më shumë shitblerjen e energjisë së rinovueshme (asaj të disponueshme dhe sidomos të energjisë të rinovueshme të pritshme në vendin tonë), edhe Kosova ka nevojë ta ketë një Operator publik të Energjisë së Gjelbër.
Buletini Ekonomik
Edhe Kosova duhet të ketë Operator të Energjisë së Rinovueshme (është fjala për operator publik), për të menaxhuar skemat mbështetëse për energjinë e diellit, erës dhe ujit, dhe për ta funksionalizuar dhe valorizuar më shumë shitblerjen e energjisë së rinovueshme, tregtimin e energjisë së disponueshme dhe sidomos të energjisë të rinovueshme të pritshme në vendin tonë.
Në Kosovë, sipas disa analizave më të detajuara nga ekspertë dhe njohës të mirë të sektorit të energjisë së ripërtëritshme, të cilat hë për hë nuk janë bërë publike, pa vonuar do të duhej të krijohet një kompani e veçantë, si do që të quhet ajo -Operatori i Energjisë së Rinovueshme, Kompani për menaxhimin e energjisë së gjelbër, Shoqëria që do të menaxhonte tregtimin dhe shumë çështje të tjera të sektorit të energjisë së gjelbër, apo ndonjë emërtim tjetër. Por një kompani e këtillë është shumë e domosdoshme për të ekzistuar edhe në Kosovë, aq më shumë për të siguruar tregtim (shitblerje) të ndershme, pa kushtëzime dhe pa shantazhe, të energjisë solare dhe menaxhim perspektiv dhe imponues të skemave mbështetëse për energjinë e diellit, erës dhe ujit. Ky operator tashmë ekziston në shumë vende të botës, ndërsa këto ditë, edhe Qeveria e Shqipërisë ka miratuar vendimin që i hap rrugë krijimit të një operatori të këtillë.
Sipas të dhënave që kanë publikuar mediet shqiptare, Operatori i Energjisë së Rinovueshme do të jetë kompania e gjashtë publike që do të operojë në sektorin elektroenergjetik të Shqipërisë. Përveç 3 kompanive që janë pjesë e OSHEE Group, Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, qeveria ka miratuar vendimin që i hap rrugë krijimit të shoqërisë së re. Operatori i Energjisë së Rinovueshme do të jetë blerësi i energjisë elektrike i të gjithë prodhuesve me përparësi, që janë me mbështetje në formën e një marrëveshjeje të blerjes së energjisë dhe do ta shpërndajë këtë energji direkt në tregun e organizuar. Aktualisht, ky funksion në Shqipëri kryhet nga Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group.
Gjithashtu, kjo shoqëri do të menaxhojë fondin e mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili përllogaritet dhe përdoret për të mbuluar kostot e disa skemave mbështetëse. Një prej tyre përfshin diferencat e pagueshme, ndërmjet çmimit të garantuar dhe çmimit të referencës për prodhuesit me përparësi, mbështetje e dhënë në formën e një kontrate për diferencë dhe pagesave të prim-it për prodhuesit me përparësi. Një tjetër skemë mbështetëse do të jenë edhe tarifat nxitëse për prodhuesit me përparësi, mbështetje e dhënë në formën e marrëveshjeve për blerjen energjisë së prodhuar nga shteti.
Paralelisht, sipas vendimit të qeverisë shqiptare, siç raporton ScanTV, do të jetë Operatori i Energjisë së Rinovueshme, që do të propozojë modelin e operimit për energjinë nga burimet e rinovueshme, që janë dielli, era dhe uji, duke u bazuar në vlerësimin e në krahasimin me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, kjo shoqëri do të propozojë pranë ministrisë përgjegjëse për energjinë përditësimin sistematik të fondit të mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili më pas miratohet me vendim të Qeverisë.
Gjithsesi edhe në Kosovë këto, pak a shumë, me ndonjë specifikë, do të ishin skemat mbështetëse të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme. Me fjalë të tjera, kjo ndërmarrje publike, që mendohet se është e nevojshme të krijohet në të ardhmen e afërt edhe në Republikën tonë, me plane dhe vizione të shumta të zhvillimit të sektorit të energjisë së rinovueshme, veçmas të energjisë solare dhe të parqeve në bazë të erës, do të kishte disa detyra të posaçme dhe mision të veçantë zhvillimin më të hovshëm të sektorit energjetik të gjelbër, por edhe menaxhimin shumë më të suksesshëm dhe më rezultativ të këtij sektori.
Edhe në Kosovë, ky operator do të duhej të përcaktohej si blerësi i energjisë elektrike i të gjithë prodhuesve me përparësi të energjisë së gjelbër, dhe njëkohësisht si shpërndarës direkt i kësaj energjie në tregun e organizuar. Gjithashtu, edhe në Kosovë, kjo ndërmarrje publike do të menaxhonte fondin e mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili përllogaritet dhe përdoret për të mbuluar kostot e disa skemave mbështetëse (diferencat e pagueshme, ndërmjet çmimit të garantuar dhe çmimit të referencës për prodhuesit me përparësi, mbështetje e dhënë në formën e një kontrate për diferencë dhe pagesave të prim-it për prodhuesit me përparësi).
Gjithsesi, sikundër edhe në Shqipëri, një tjetër skemë mbështetëse do të ishin edhe tarifat nxitëse për prodhuesit me përparësi, mbështetje e dhënë në formën e marrëveshjeve për blerjen e energjisë së prodhuar nga shteti.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, pokështu edhe te ne do të duhet të propozojë modelin e operimit për energjinë nga burimet e rinovueshme, që janë dielli, era dhe uji, duke u bazuar në vlerësimin e në krahasimin me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian, ndërkohë te ministria përkatëse për energjetikë – nevojat për përmbushjen e fondit të parashikuar për kapacitetet që do të ndërtoheshin në afat më të shkurtër dhe për investime më afatgjate.
Në Kosovë, roli i një Operatori publik të Energjisë së Rinovueshme, bëhet edhe më i rëndësishëm, kur dihet se aktualisht, në Kosovë ekziston vetëm një furnizues i konsumit të energjisë elektrike për mbarë konsumin, që deshtëm apo s’deshtëm duhet ta pranojmë, e bënë furnizuesin aktual me pozitë reale monopolistike. Një operator plus për energjinë e ripërtëritshme, sektorin e energjisë së rinovueshme, gjithsesi do ta liberalizonte më shumë dhe tërësisht në pajtim me dispozita të BE-së dhe do të evitonte kushtëzime eventuale gjatë procesit të tregtimit të kësaj energjie. Kur të kihen parasysh këto fakte, do të ishte mirë që në ministrinë kompetente të Qeverisë aktuale por edhe në mjedise të tjera zyrtare të sektorit energjetik, ta sheshojnë, së paku, këtë ide, që në shtetin tjetër shqiptar ka nis të jetësohet. /Buletini Ekonomik/