Edhe tregtarët e Kosovës në fushatë, garojnë për rekorde të çmimeve të ngritura

Fotografi ilustruese

Duke shfrytëzuar tjetërsimin e vëmendjes të pushtetit dhe të subjekteve opozitare nga jeta reale e përditshme në Kosovë pas nisjes së hershme të parafushatës zgjedhore, këtyre ditëve edhe tregtarët e vendit janë futur në fushatë dhe po garojnë se cili nga ta do të ngritë më shumë çmimet e produkteve jo vetëm ushqimore por të gjitha mallrave dhe shumë nga shërbimet.  

Buletini Ekonomik

Kosova dhe subjektet politike të saj, edhe pse deri në zgjedhjet e pritshme të 9 shkurtit kanë mbetur mbi 2,5 muaj, kaherë kanë nisur parafushatën zgjedhore me tërë ashpërsinë e mundshme dhe rivalitetin e pashembullt ndërpartiak. Praktikisht, e tërë jeta tjetër në Kosovë tashmë është margjinalizuar, veçanërisht janë lënë anash zhvillimet ekonomike, është bërë inekszistent aktiviteti investiv, është hequr vëmendja nga politikat sociale dhe nga konrollet, edhe ashtu të pakta, të ecurive të çmimeve. Dhe, po duket se duke shfrytëzuar këtë tjetërsim të vëmendjes të pushtetit dhe të subjekteve opozitare nga jeta reale e përditshme në Kosovë, këtyre ditëve edhe tregtarët e vendit janë futur në fushatë dhe po garojnë se cili nga ta do të ngritë më shumë çmimet e produkteve jo vetëm ushqimore por të të gjitha mallrave dhe shumë nga shërbimet.

Reklama e sponzorizuar

Duke parë çmime të reja të ngritura në dy-tre javët e fundit, i bie saktësisht se shumë nga tregtarët e vendit mezi kanë pritur gjendjen e krijuar nga përqëndrimi politik e shoqëror në fushatën parazgjedhore, për t’i ngritur pakuptueshëm çmimet, sisomos të atyre ushqimore, të domosdoshme përditë për familjet tona.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimi i një numri të madh të produkteve ushqimore, por edhe të tjera kanë pasur rritje, në krahasim me tetorin e vitit të kaluar. ASK ka potencuar kafenë, çajin dhe kakaon si produktet, çmimi i të cilave është rritur më së shumti. ASK-ja ka paraqitur çmimin e rritur 11.3 për qind, të këtyre produkteve, krahasuar me tetorin e vjetshëm.

Janë ngritur ndjeshëm, sipas ASK-së edhe biletat e fluturimeve duke shënuar rritje prej 10.9 për qind, shërbimet financiare 9.1 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet, pemët dhe perimet 5.1 për qind, pijet alkoolike 3.7 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 3.6 për qind, mishi 3.1 për qind si dhe duhani ka shënuar rritje prej 3.0 për qind. Por, këto të dhëna statistikore tashmë janë të vjetëruara, ngase çmimi i shumë produkteve ushqimore tashmë është ngritur mbi 50 për qind, krahasuar vetëm 2-3 muaj më parë.

Po ta marrësh, çmimin e këtyre ditëve të vezëve bie fjala, shihet qartë rritja suksesivisht nga gushti e këtej përtej 50 për qind. Deri në javën e parë të nëntorit, në zinxhirin e shitoreve të specializuara të prodhuesit të produkteve të shpezëve me emër në Kosovë, që në njëfarë mënyre vlerësohet ndër konsumatorë dhe shërben si referencë për të parë ecurinë e çmimeve të produkteve të shpezëve, e sidomos të vezëve, çmimet e vezëve për një paketim prej 30 copësh kanë kushtuar saktësisht 3 euro, kurse pas një jave, ose shumë-shumë 10 ditësh, të njëjtat kushtonin 3, 30 euro. Më pastaj ky çmim shkoi në 3,50 euro, dhe së fundi çmimi i vezëve në shitoret e specializuara të vezëve të këtij prodhuesi, kushton hiq më pak, se 3,70 euro. Kjo i bie që çmimi i këtij produkti, ndër më popullorët te vendet e varfëra, pra edhe në Kosovë, të jetë ngritur në muajt e fundit në çdo periudhë 15-20 ditore mbi 10-15 për qind, që krahasuar me çmimin e muajve të verës, lehtësisht e tejkalon çmimin e ngritur prej 50 për qind. Po e përsërisim, diku kah gjysma e korrikut, çmimi prej 2,50 eurosh për 30 copë vezë u ngrit në 2,70, për të arritur kështu në nivelin aktual që është 3,70 euro për 30 copë vezë.

Një produkt tjetër që vazhdon të importohet nga nga Shqipëria, është domatja, por çmimi i këtij perimi tani është thuaja i dy-trefishuar krahasuar me çmimin e dometave para disa javësh dhe muajsh. Dje në tregjet tona, një kilogram domate nga serrat shqiptare kishte çmimin 1,70 deri në dy euro. Në supermarkete, çmimi i këtyre domateve shkon edhe në 2,5 euro e përtej. Ka pafundësisht produkte të tjera që këtyre ditëve tregtohen me çmime të ngritura, qoftë produkte ushqimore, qoftë të higjenës, apo sosh teknike. Ndërkohë, të ashtuquajturat aksione, që aplikojnë kohë pas kohe megamarketet dhe supermarketet e shtëpive të mëdha tregtare, janë kryekëputë keqpërdorim i tejdukshëm i klientelës me falsitetin e uljes se çmimeve.

Shumë megamarkete nëpërmjet reklamimit agresiv paralajmërojnë ulje të çmimit të disa produkteve, në veçanti të atyre ushqimore, të nevojshme për çdo ditë për familje, por kur klientela shkon të furnizohet me mallin e ofruar me ulje çmimi, në rafte nuk e gjen atë mall fare, përkatësisht rezervohet vendi i zbrazët në raft për mallin e reklamuar me çmim të ulur që me mëngjes. Arsyetimi i personelit është i përsëritur: Nuk ka mbetur, është shitur shpejtë.

Ka shumë gjasë që malli i reklamuar me ulje çmimi të mos ekspozohet fare, por në vend të tij përgatitet rafti i zbrazur, ose në raste edhe ekspozohen disa ekzemplarë të produktit, që me të vërtet tregtohen shpejtë.

Tani, në mungesë të kontrollit, kanë zënë ta alikojnë një metodë më të sofistikuar mashtrimi të reklamimit të mallit me gjoja çmim të ulur: Supermarketi, gjatë ditës së shitjes me aksion, mbyllet pas disa orëve pune me arsyetimin se ‘ka regjistrim”. Këtë e kanë vërejtur konsumatorët e zhgënjyer, të cilët përmendin edhe shumë raste të tjera, të keqpërdorimit të ashtuquajturave “aksion”, siç janë shitjet e mallrave me afat të skaduar, apo vetëm një ditë nga skadimi i mallit, dallimi i çmimit në raft nga ai në arkë e shumë të tjera. Kjo është ‘parafushata’ e tregtarëve të shumtë të Kosovës, të cilët tashmë nga përvoja dijnë të shfrytëzojnë shumë mirë anarkinë e krijuar në vend gjatë parafushatave dhe fushatave reale zgjedhore. /Buletini Ekonomik/