Hoti: Viti i katërt me radhë me humbje në investime kapitale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se është viti i katërt me radhë me humbje në investime kapitale. 

Hoti në një postim në Facebook shkruan se në periudhën 9-mujore, realizimi është vetëm 36%.

“Janë shpenzuar 325 milionë euro, nga 913 milionë euro të parapara në buxhet. Realizimi tepër i ulët, në veçanti nga disa ministri, tregon dembelinë dhe mungesën e kompetencës të ministrave, si dhe dështimin e Kryeministrit për mbikëqyrjen e punës e ministrave”, shkruan ai.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, deputeti i LDK-së përmend me realizim shumë të ulët, si Ministria e Industrisë 4%; Ministria e Drejtësisë 4%; Ministria e Financave 7%; Ministria e Bujqësisë 7%; Ministria e Arsimit 16%; Ministria e Ekonomisë 16%; Ministria e Shëndetësisë 19%; Ministria e Brendshme 20% dhe Ministria e Kulturës 34%.

“Tabela e realizimit ë investimeve kapitale të Ministrisë së Bujqësisë. Jo vetëm që shuma e investimeve kapitale në bujqësi është tepër e ulët, vetëm 3.8 mil euro, por edhe ato nuk realizohen. Nuk ka asnjë investim për ujitje të tokave bujqësore”, shkruan Hoti. /Telegrafi/