Investimet, “thembra e Akilit” të Kosovës

Në Kosovë për vite të tëra në periudhën e pasluftës, investimet në përgjithësi, kanë qenë objektivat më të papërmbushura, për të mos thënë më të huqurat, te planet dhe parashikimet ekonomike dhe zhvillimore të Republikës. Investimet, thënë më së buti, kanë qenë të zbehta, kanë ngecur edhe sivjet, edhe periudhës së mandatit të Qeverisë aktuale. Thjesht, ka pak investime në Kosovë në gjithë këto vite, ka struktura tejet të pafavorshme të parasë të investuar (kryesisht në banesa), prandaj ka edhe zhvillim të pakët ekonomik, ka varfëri dhe ka ikje goxha të madhe të popullsisë nga atdheu i tyre, madje po shihet se ka edhe ikje jashtë Kosovës të kapitalit dhe të parasë nëpërmjet investimeve direkte jashtë Kosovës.

Buletini Ekonomik

Niveli i investimeve të të gjitha llojeve, edhe të jashtme, edhe kapitale në Kosovë, ka vite që është i vogël dhe me ndikim thuaja minimalist në zhvillimet ekonomike dhe sociale. Edhe gjatë periudhës së mandatit të Qeverisë Kurti, sektori i investimeve nuk u shqua për ndonjë arritje kushedi çfare. Pati edhe në këto katër vitet e fundit ngecje në investime, sidomos u shquan dështimet te investimet kapitale, për çka Qeveria aktuale vazhdimisht ishte e kritikuar nga opozitarët, por edhe nga ekspertë dhe njohës të ekonomisë.

Reklama e sponzorizuar

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, një njohës i zhvillimeve ekonomike dhe një nga kritikuesit permanent të Qeverisë Kurti, vazhdimisht ka akuzuar Qeverinë aktuale për ngecjet dhe dështimet e parashikimeve te investimet kapitale. Hoti, në muajin e kaluar, në një nga paraqitjet e tij më të fundit në rrjetet sociale, ka thënë se është i katërti vit me radhë i humbur në këto investime, duke përmendur edhe shifra konkrete për këto dështime. Sipas Hotit, nga 913 milionë euro të parapara për investime kapitale, për nëntë muaj të këtij viti janë shpenzuar vetëm 325 milionë euro.

“Realizimi tepër i ulët, në veçanti nga disa ministri, tregon dembelinë dhe mungesën e kompetencës të ministrave, si dhe dështimin e Kryeministrit për mbikëqyrjen e punës të ministrave”, ka shkruar Hoti.

Ai ka renditur edhe përqindjen e realizimit nëpër secilën ministri, ku ajo e Industrisë, Drejtësisë, Financave, Bujqësisë, figurojnë me përqindje shumë të ulët të realizimit. Pas tyre renditen Ministria e Arsimit, Ekonomisë, Shëndetësisë, e Punëve të Brendshme dhe Kulturës. Edhe në Raportin e Progresit të sivjetshëm të Komisionit Europian, sado që nuk përimtohen tekstualisht dështimet në investime si një ndër faktorët me ndikim të padiskutueshëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës, apostrofohen rezultatet e dobëta në tregun e punës, ritmi i ngadalshëm i rritjes ekonomike, papunësia e lartë e progresi i kufizuar në infrastrukturë.

Ndërkohë, ekonomistë tanë dhe njohës të çështjeve zhvillimore pas analizave të bëra përmbajtjes së sektorit të ekonomisë të Raportit të Progresit, duke konstatuar që adresimi i kritikave të këtij raporti në një masë të konsiderueshme janë goxha identike me ato të viteve paraprake, kanë theksuar dhe apostrofuar si domosdo shtimin e investimeve, si parakusht për të siguruar rritje ekonomike.

“Qeveria duhet të fokusohet në politika investive, në fokusimin e punësimit, jo me pako sociale dhe politika sociale, por me politika investive, sepse në momentin që ke politika investive, rrjedhimisht determinon në rritjen e punësimit, sepse biznesi privat, sektori privat e ngjall aktivitetin e vet dhe rrjedhimisht rritet punësimi”, ka thënë për medien ekonomisti Mustafë Kadriaj.

Ndërsa, Fidan Qerimi, njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë se “me këto kapacitete që kemi, nuk mund të bëjmë një mrekulli në ekonominë e Kosovës, prandaj duhet të hapemi për investime të huaja dhe këtë duhet ta bëjmë duke lehtësuar procedurat për investime”.

Ndërkohë, kryeministri Kurti në fillim të tetorit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, tregohet tërësisht mospërfillës ndaj të gjitha kritikave duke këmbëngulur se “Kosova është një destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime dhe ka potencial të madh për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

I pari i ekzekutivit të vendit, në këtë takim, duke prezantuar çështje, sipas tij – kyçe, që ndërlidhen me prioritete ekonomike dhe reformat e Qeverisë për të përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe nxitjen e investimeve te huaja, ka theksuar se “vendi ynë ka potencial të shndërrohet në një qendër rajonale për investimeve”.

Sipas Kurtit, “rritja ekonomike prej 6.2% në vitet e fundit, projektet infrastrukturore, rinia e madhe, fuqia punëtore, janë bazë e fuqishme për zhvillim të mëtejmë”.

Albin Kurti vazhdon të thotë në paraqitjet e tij se solli “2.7 herë më shumë” investime të huaja direkte sesa qeveritë e kaluara, duke u mburrur se “po e bëjmë shtetin destinacion tërheqës të investimeve të huaja. Sipas tij, 705.6 milionë euro është mesatarja vjetore e investime të huaja direkte gjatë qeverisjes së tij.

Kurti kohë më parë shkroi në Facebook se me të kryeministër, ka pasur “2.4 herë më shumë” investime të huaja direkte sesa “mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara” për të cilën tha se “është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej”.

Ndërsa në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, gjatë fjalimit të tij, të transmetuar nga Zyra e Kryeministrit, ka thënë se nga viti 2008 e deri në 2020 mesatarja e rritjes së GDP ka qenë 3.65%. Ndërkaq në periudhën 2021-2023, pra duke iu referuar Qeverisë së tij, thotë se kjo shifër ka shkuar në 6.2%.

Ndërkohë, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-ministrja Hykmete Bajrami, një kritikuese e ashpër e qeverisë aktuale dhe mohuese e pandalshme e të arriturave nga zyrtarët aktual, vlerëson se “investimet e huaja direkte janë rritur “kryesisht nga inflacioni” dhe se “shkojnë kryesisht në blerje të banesave nga mërgata jonë”.

Bajrami publikoi shifra të investimeve të huaja direkte gjatë mandatit të kësaj Qeverie, duke polemizuar me kryeministrin, dhe të dhënat e tij për investimet, të paraqitura në një nga postimet e kryeministrit Kurti, ku ai shkroi se mesatarja vjetore e investimeve të huaja direkte gjatë qeverisjes së tij është “2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara”.

Sipas Bajramit, “Investimet e Huaja Direkte: 2021: 420 milionë euro, prej tyre 384 milionë në patundshmëri ose 91%, 2022: 732 milionë euro, prej tyre 529 milionë në patundshmëri ose 72%, 2023: 844 milionë euro, prej tyre 511 milionë në patundshmëri ose 60%, 2024 (janar-prill): 269 milionë euro, prej tyre 186 në patundshmëri ose 69%”.

Sidoqoftë, duhet thënë se në Kosovë për vite të tëra në periudhën e pasluftës, investimet në përgjithësi, edhe ato të huajat edhe investimet kapitale, kanë qenë objektivat më të papërmbushura, për të mos thënë më të huqurat, te planet dhe parashikimet ekonomike dhe zhvillimore të Republikës. Investimet, thënë më së buti, kanë qenë të zbehta, kanë ngecur edhe sivjet, edhe vjet edhe në shumë vite më herët. Thjesht, ka pak investime në Kosovë në gjithë këto vite, ka struktura tejet të pafavorshme të parasë të investuar (kryesisht në banesa), prandaj ka edhe zhvillim të paktë ekonomik, ka varfëri dhe ka ikje goxha të madhe të popullsisë nga atdheu i tyre, madje po shihet se ka edhe ikje jashtë Kosovës të kapitalit dhe të parasë nëpërmjet investimeve direkte jashtë Kosovës. Dhe, këto fakte, sidomos ato që kanë të bëjnë me periudhën pas vitit 2020, i madhëron pushteti aktual, duke radhitur përditë suksese dhe progres zhvillimor, ndërkohë që oponenca politike dhe ekspertët nga radhët e opozitës përditë e më shumë përmendin numra, përqindje e grafikone të dështimeve të përmbushjes së parashikimeve të investimeve dhe të objektivave të tjera ekonomike të autoriteteve aktuale. Dhe, kushdo të qeverisë këtë vend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duhet të ketë prioritet investimet, të sjellë edhe investime të jashtme, siç po bëjnë të gjitha shtetet e rajonit, që pak a shumë deri vonë kishin stad thuaja identik të zhvillimit me vendin tonë.

Pas zgjedhjeve të pritshme duhet medoemos të emërohen njerëz të shkathët, kompetentë profesionalisht dhe intelektualisht për investime, të cilët do të dinin të menaxhojnë këtë sektor të rëndësishëm në vend. Po të arrihet një stabilitet i dëshiruar në sektorin e investimeve, pastaj polemikat pushtet-opozitë rreth të arriturave dhe dështimeve do të ishin fare të parëndësishme. /Buletini Ekonomik/