Javën e ardhshme diskutohet për buxhetin e vitit 2025, opozita nuk do ta votojë

Kuvendi i Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që javën e ardhshme të mbahet një seancë me vetëm një pikë të rendit të ditës “Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2025”.

Gashi pas mbledhjes së Kryesisë përmes një konference për media ka thënë se seanca për buxhetin do të jetë shumë dinamike, përcjellë Telegrafi.

“Patëm mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ku u diskutuan çështje të ndryshme dhe u vendos që ditën e hënë të jetë një seancë me një pikë të vetme të rendit të ditës ‘diskutimi i buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025’. Pra do të jetë një seancë dinamike dhe që e ka një fokus të veçantë”, ka thënë Gashi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, java e ardhshme është përcaktuese se si do të jetë buxheti i Kosovës, por i pyetur se a do ta votojnë buxhetin, Gashi tha: “Ne nuk e votojmë buxhetin. Buxheti ka probleme ligjore dhe kushtetuese”.

Ai po ashtu tha se vendimmarrja në Kuvend vazhdon të jetë e vështirësuar.

“Sot kemi vazhdimin e seancës së javës së kaluar. Por të shohim se a do të jetë prezent LVV-ja…”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se edhe AAK-ja do ta kundërshtojë buxhetin.

“Buxheti i kësaj qeverie është buxheti i cili e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ja ka varros shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtet, është buxhet që nga ne do të kundërshtohet fuqishme dhe është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit te ardhshëm. Nuk ka mundësi ky ligj as të përmirësohet më. Ne nuk e votojmë këtë buxhet”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkaq shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ata e kanë shumicën parlamentare dhe se sa i përket deklarimit të opozitës se nuk do ta votojnë buxhetin, ka thënë se është çështje e vendimmarrjes së tyre.

“Ne e kemi shumicën parlamentare. Për opozitën s’kam çfarë të them. Është çështje e vendimmarrjes së tyre. Qëndrimin e grupit parlamentar të VV-së mund ta dëgjoni në seancë”, është shprehur ajo.