Kosova inferiore ndaj trendeve globale dhe rajonale për uljen e çmimit të rrymës

Trende të uljes së çmimit të energjisë elektrike ka kohë që shënohen thuaja në mbarë vendet e Europës dhe në të gjitha tregjet ndërkombëtare të tregtimit të rrymës. Edhe Shqipëria ka paralajmëruar se nga 1 janari i 2025-tës do të ulë çmimin e energjisë elektrike. Këto trende të uljes së çmimit të energjisë elektrike, domosdo duhet të pranohen dhe të aplikohen edhe në Kosovë. Janë një mori argumentesh dhe faktesh që flasin se edhe Kosova duhet të ulë çmimin e energjisë elektrike.

Mehmet GJATA

Qeveria e Shqipërisë këto ditë ka paralajmëruar uljen e çmimit të energjisë elektrike pas 1 janarit 2025. Edhe pse tani për tani paralajmërimi për uljen e çmimit të rrymës në Shqipëri ka disa paqartësi, është e rëndësishme se paralajmërimi për çmime të ulura të rrymës është bërë nga autoritetet më të larta të këtij vendi, nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeminstrja dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku.

I pari i qeverisë shqiptare, siç dihet, ditë më parë premtoi uljen e çmimit të energjisë për pensionistët, duke bërë me dije se Ministria e Energjisë po realizon një studim për të shqyrtuar këtë mundësi. Ndërsa, zëvendëskryeminstrja Balluku ka deklaruar se nga 1 janari, do të ketë ulje të çmimit të energjisë për qytetarët.

“Ne kemi marrë një porosi dhe prej kohësh punojmë me OSHEE-në, me KESH-in edhe me OST-in për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025. Jemi në punë e sipër, në analizë e sipër, por jemi të sigurtë që do t’ia dalim, që duke optimizuar proceset teknike dhe financiare të kompanive tona, ne të kemi mundësi që nga 1 janari t’iu ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë për energjinë elektrike”.

Reklama e sponzorizuar

Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se si do të jetë formula e uljes së çmimit të energjisë; nëse do ketë ulje për kategori të caktuar të shoqërisë si pensionistët apo nëse kjo ulje do të përfshijë të gjithë qytetarët. Sepse, nuk është edhe aq e thjeshtë marrja e vendimit të uljes së çmimit të energjisë elektrike në asnjë vend të botës, dhe as në Shqipëri.

Sipas deklaratave të zëvëndëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kërkesa për ulje çmimi do të bazohet te optimizimi i procesve teknike dhe financiare të 3 kompanive publike të energjisë, që janë OSHEE, KESH dhe OST. Sipas njohësve të ecurive të çmimeve të energjisë elektrike në vendin e “shqipeve”, janë shumë komponentë që merren në konsideratë për uljen e paralajmëruar të çmimit, teksa një nga format që mund të ndiqet është ulja e çmimit të shitjes që aplikon KESH për OSHEE-në për konsumatorët familjarë, që aktualisht është në masën 2.6 lekë/kËh. Kjo do të ulte kostot e blerjes së energjisë elektrike nga FSHU, që është një nga kompanitë e OSHEE Group për këtë kategori konsumatorësh, duke u reflektuar në uljen e çmimit. Në këtë rast, barra do të duhet të mbahet nga KESH.

Ndërhyrje mund të kryhen edhe në tarifat e shpërndarjes së energjisë, që janë pjesë përbërëse e çmimit. Kjo do të pasohej me uljen e të ardhurave për OSSH-në, që është kompania tjetër e OSHEE Group, por deri diku kjo mund të kompensohet nga ulja e humbjeve në rrjet. Sipas të dhënave, në periudhën janar – shtator të këtij viti nga përmirësimi i humbjeve, përfitimi financiar përllogaritet në 5.6 mln euro, bazuar në çmimet aktuale të tregut. Aktualisht, në Shqipëri, siç raportojnë mediet, ka disa kategori klientësh që tarifohen me çmime të ndryshme për energjinë që konsumojnë. Gjithsesi, numrin më të lartë e përbëjnë abonentët familjarë, teksa tarifa e përcaktuar është 9.5 lekë/kËh.

Të hënën (më 18 nëntor 2024) është raportuar në medie se me çmime më të ulura u tregtua energjia edhe në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (Bursa e përbashkët Shqipëri-Kosovë) gjatë muajit tetor, në raport me muajin shtator. Sipas të dhënave nga ALPEX çmimi mesatar për tetorin arriti në 105.46, apo gati 25 euro/ mËh më pak se shtatori, kur çmimi mesatar u shënua në 130.21 euro/mËh. Ndërkaq, për periudhën janar – tetor, çmimi mesatar për zonat ofertuese të Shqipërisë dhe Kosovës përllogaritet të ketë qenë në rreth 101 euro/mËh.

Pak kohë më parë ALPEX raportoi pranë Entit Rregullator të Energjisë se në rreth 73% të rasteve, çmimet e tregtimit të enegjisë në Bursën Shqiptare të Energjisë ndjekin të njëjtin trend me çmimet e Bursës hungareze, që do të thotë se edhe në bursën hungareze ka kohë që rryma tregtohet me çmime ndjeshëm të ulura në krahasim me vite e muaj më parë. Më konkretisht, sipas të dhënave, çmimi mesatar në Bursën Hungareze, HUPX, rezulton më i ulët në 65.4% të rasteve.

Dhe, trende të uljes së çmimit të energjisë elektrike ka kohë që shënohen thuaja në mbarë vendet e Europës dhe në të gjitha tregjet e tregtimit të rrymës. Prandaj, këto trende të uljes së çmimit të energjisë elektrike, duhet të pranohen dhe të aplikohen edhe në Kosovë, e cila megjithë termocentralet e stërvjetëruara me djegie të qymyrit, në pjesën dërmuese të vitit, nevojat e konsumit vetanak i plotëson nga prodhimi vetanak. Vetëm në muajt ekstremisht të acartë, kur konsumi i vendit shënon ngritje më të vrullshme, Kosova detyrimisht duhet të importojë rrymë.

Janë një mori argumentesh dhe faktesh që flasin se edhe Kosova duhet të ulë çmimin e energjisë elektrike. Janë broçkulla zërat, edhe  nga zyrtarë, se gjoja Kosova ka çmimin më të lirë të energjisë në rajon. Kosova, konsumatorët e saj paguajnë çmim të shtrenjtë të rrymës, dhe këtë çmim e bëjnë stratosferik të lartë çmimet e energjisë elektrike të kamunfluara dhe të fshehura në kuadër të çmimit të proklamuar zyrtar, siç është bllok tarifa, e rikthyer para dy-tre vjetësh dhe që me me riaplikimin e saj, kosovarët paguajnë goxha më shtrenjtë çmimin e rrymës se sa që duket nga çmimi i proklamuar i një kilovat-ore.

Po kështu, qëkur ishte paraqitur kriza energjetike në mbarë botën, edhe në Kosovë pra, në fillimin e pandemisë COVID19 dhe që ka zgjatur deri pak vite më parë, kosovarët paguajnë edhe një çmim tjetër të lartë të paproklamuar të energjisë elektrike, e që është pagesa e kushtëzuar e një sasie të madhe të energjisë elektrike të importuar nga ana e Qeversisë së Kosovës, që bëhet me mjete financiare të taksapaguesve kosovarë, pjesë direkte të taksave të qytetarëve të Republikës, që shkojnë në arkat e KEDS-KESCO. Pastaj, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë, pavarësisht tendencave për ta minimizuar atë, del të jetë enorm i lartë edhe nga fakti se rryma e prodhuar nga termocentralet e stërvjetruara të KEK-ut, që vjellin në çdo kohë me mijëra tonelata hi dhe ndotës të tjerë potencial të ambientit dhe që për pasojë ka rrezikimin permanent të shëndetit të kosovarëve që jetojnë në dhe përreth oxhakëve të Obiliqit, tregtohet në relacionin KEK prodhues -KEDS-KESCO furnizues, me disproporcion të theksueshëm të çmimit në dëm të prodhuesit.

KEK-u vazhdon t’ia shesë KEDS-it akoma një megavat nën 30 euro, ndërsa ky i fundit këtë megavat ia shet konsumatorit kosovarë me çmimin trefish e më shumë. Por, duhet thënë qartë se edhe çmimi i proklamuar aktual, pa çmimet e fshehura dhe të aplikuara brenda për brenda çmimit zyrtar të sotshëm është shumë i lartë për rrethanat ekonomike financiare të kosovarëve. Ky çmim në dy tre vitet e fundit është rritur disa herë.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, kompetentë dhe njohës të ecurive të çmimeve energjetike në Kosovë, në tri vitet e fundit – çmimi i rrymës është rritur mesatarisht për 25.8 për qind. Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, duke reaguar ndaj deklarimeve të VV-së se “çmimi i rrymës në Kosovë është më i ulëti në rajon”, këto ditë ka thënë se “pushteti po prezanton shifra të pavërteta”.

“Në tri vitet e fundit, çmimi i rrymës në Kosovë është rritur mesatarisht 25.8%. Ndërkohë partia në pushtet prezanton shifra të pavërteta. Që nga marrja e pushtetit në mars të vitit 2021, Qeveria e Vetëvendosjes ka rritur vazhdimisht tarifat e energjisë”, ka thënë Azemi.

“Sipas Raportit Vjetor të ZRRE-së, nga viti 2020 deri më 2023 faturat e rrymës për biznese u rritën për 28.22% kurse për familjet 25.8%. Me tarifat aktuale të rrymës, familjet kosovare paguajne dyfish më shtrenjtë se para vitit 2021”, ka thënë tutje ai.

Ndërkohë, po këto ditë (më 4 nëntor 2014) , edhe ish-ministrja e Financave dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka rikthyer në vëmendje një video të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili premtonte ulje të çmimit të energjisë elektrike në vitin 2019, ndërkohë që çmimi i energjisë është shtrenjtuar dy herë gjatë kësaj periudhe.

Bajrami thotë se qytetarët e Kosovës, pavarësisht se si i konsideron Lëvizja Vetëvendosje, ata dinë të lexojnë faturat e energjisë elektrike dhe e dinë sa kanë paguar më herët energji elektrike dhe sa po paguajnë sot.

Edhe reagimi i Bajramit ka ardhur pas pretendimeve të partisë në pushtet se çmimi i energjisë elektrike është ndër më të ulëtit në rajon. Bajrami ka përkujtuar se në këtë periudhë, që do të thotë, gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, dy herë është ngritur çmimi i energjisë elektrike: herën e parë me 8 shkurt të vitit 2022, çmimi i energjisë është ngritë për konsum familjar dhe atë tarifa e lartë është ngritë për 104% dhe tarifa e ulët është ngritë për 85% për shpenzimin mbi 800 KËh (sipas bllok-tarifës së rikthyer), ndërsa herën e dytë, çmimi i energjisë elektrike është ngritur për 15% për të gjithë shpenzuesit.

Vendimi i fundit i ZRRE-së ka qënë për ulje të çmimit për 8%, ulje kjo që nuk është vërejtur nga askush. Kjo do të thotë ngritje mbi 100% dhe ulje vetëm 8%, edhe pse arsyet që janë përdorë kur është ngritur çmimi i energjisë elektrike, ka kohë që janë inekzistente. Këto duhet të jenë fakte bindëse dhe të mjaftueshme që çmimi i energjisë elektrike edhe në Kosovë, duhet të ulet, dhe në asnjë mënyrë të ngritet me asnjë centë të vetëm.

Ndërsa, inferioriteti i zyrtarëve ndaj kërkesave për ta ulur çmimin e energjisë elektrike dhe për të pranuar pa hezitim trendet globale dhe rajonale për uljen e çmimit të rrymës, janë të pakuptueshme dhe gjithsesi, të diskutueshme. Sikundër që janë të pakuptueshme disa tendenca dhe zëra që vijnë nga alarmet për gjoja rritje enorme të konsumit të energjisë elektrike, si uvertyrë për ta legjitimuar më pastaj, si gjithë herë deri më tani, kërkesën për ta ngritur çmimin e rrymës edhe në kohën kur në mbarë botën dhe në rajon është evidente ulja e çmimit të këtij produkti. /Buletini Ekonomik/